Albert Z. ZHOLI: Flet ish gazetari i TVSH, ish-përgjegjës i redaksisë së Informacionit, Tomorr Topore

Albert Z. ZHOLI: Flet ish gazetari i TVSH, ish-përgjegjës i redaksisë së Informacionit, Tomorr Topore

NTERVISTA/ Flet ish gazetari i TVSH, ish-përgjegjës i redaksisë së Informacionit, Tomorr Topore

– Drejtuesi i parë, organizuesi e krijuesi i TV ishte Klimi Misa

– Marash Hajati, një njeri me horizont, autoritar me iniciativë, i guximshëm

-Për 30 vjet nëpërmjet syrit tim kanë kaluar 85 klm film

-Ministri Thoma Deliana, mbetet ministri korekt më dha emërimin për TVSH

– Për mësimin e artit kinematografik, na jepnin leksione regjisori Piro Milkani e operatori Faruk Basha.

– Kronika e parë zyrtare e imja që edhe u transmetua ishte më 1 Maj 1969

-Gazetarët e parë në TV Alfons Gurashi, Milto Baka, Shyqyri Skënderi, Vladimir Grillo, Amalia Dhamo

– Operatorët e talentuar Gazmir Shtino, Astrit Omeri, Bujar Kore, Astrit Kazaferi, Arjan Negro

-Festivali i 11-ishte  një prurje ndryshe ndaj u dënua

– Për herë të parë kam dalë jashtë shtetit në tetor të vitit 1978 në turneun e Ansamblit Shtetëror të këngëve e valleve në Itali

-Kam patur fatin e madh ta filmoj E.Hoxhën në festat e 1 Majit në kongrese e në shumë raste të tjera. Takimi i fundit ishte kur ai ishte i vdekur. Kam qenë pranë tij me kamera e mikrofon në ceremoninë madhështore të nderimit,  që i bëri populli ynë.

Vite të tëra në emigracion ai sërish e ka mendjen në atdhe. Gjen momentin dhe e viziton atë. Në facebook herë pa here hedh kujtime nga TVSH. Sidomos në këtë kohë Pandemie këto kujtime të së kaluarës janë nostalgjike. Ka studiuar në Institutin e Lartë Bujqësor 1964-1969. Zgjodhi me dëshirë këtë degë, që nuk pëlqehej shumë në atë kohë nga ata që banonin në Tiranë, sepse si tip romantik, i pëlqente natyra, edhe sepse daja kishte studiuar në B.Sovjetik i specializuar për seleksionimin e krijimin e varieteteve të reja të grurit me prodhimtari të lartë. Bisedat me të e shtynë të zgjedhë fakultetin e agronomisë. Ka qenë student i mirë. Kisha shumë shokë, si Sotir Tashi, Nevzat Kurti, Fuat Memeli, Ibrahim Baçi, Zyhdi Pepa, Mandir Cela etj. Nga gjithë krahinat e vendit. Marrëdhëniet me shokët ishin të mira, megjithëse banonte në Tiranë, e ata shumica ishin konviktorë. Shumë nga shokët ju bënë kryeagronomë, kryetar kooperativash, kuadro në komitetet ekzekutive të rretheve të Kom.Partisë, gazetarë, shkencëtarë etj. Kërkesa e llogarisë nga pedagogët ishte normale, pa probleme në marrëdhëniet student-pedagog.

 

  – Në facebook në këtë situatë Pandemie hidhni kujtime të TVSH….Ndoshta përbën një veccanti në fushën e gazetarisë shqiptare pasi ju studionit në Institutin e Lartë Bujqësor. Kur shkove për herë të parë në TV dhe me çfarë detyre?

Po është e vërtetë. Studiova me dëshirë në atë Institut, por ëndrra e gazetarisë ishte brenda meje. Dua të të them një detaj. Kur kaloja me të fejuarën para godinës së Radio Tiranës i thosha me shaka: këtu do të punoj. Ajo më shikonte me habi dhe qeshte.

Fakulteti ynë ishte katër vjet e gjysmë, pasi në dhjetor jepnim provimet për diplomën. Si rregull emërimet i mernim në Ministrinë e Bujqësisë. Kur vajtja në ministri më thanë duhet të shkosh në ministrinë e Arsimit. Mendova, do më kenë emëruar në ndonjë shkollë bujqësore për të dhënë mësim. Në ministrinë e arsimit u ndesha me burokracinë e kohës. Nëpunësi që merrej me emërimet, më përcillte duke më thënë që dokumentet janë gati, por nuk janë firmosur nga ministri. Më sorollati rreth 20 ditë, derisa portierja që më dinte hallin me tha një ditë:ngjitu lart se ministri është në zyrë. Dhe ashtu bëra, e për fat e ndesha atë në korridor. Ministër në atë kohë ishte Thoma Deliana. I thashë dua të bisedoj për një problem. Mirë, më prit tek sekretarja për dy minuta kthehem. Dhe ashtu ndodhi. I thashë hallin, më dëgjoi me vëmendje e thiri nëpunësin e kritikoi dhe duke më thënë: sa të shkosh në Institut me autobus, do të gjesh emërimin gati. Vajtja tek sekretaria  dhe më dhanë emërimin: “do te paraqitesh në Radio Tirana. Ishte fillimi i shkurtit 1969. Të nesërmen u paraqita dhe më priti drejtori i radios Klimi Misa, i cili më tha të bëja nja dy foto për flete hyrjen dhe nesër të fillosh punë. Emërimi im përkoi me vendimin e Byrosë Politike të P.P.SH, për të kaluar televizioni nga faza eksperimentale në program të rregullt

 Ditën e parë drejtori K.Misa më vuri në dukje se po organizohemi e po mbledhim kuadro që do të punojnë në TV. Në bërthamën që gjeta ishin A,Gurashi, Dh.Rembeci, S Beli, P Lati,G. Shtino. Unë, Petro e Gazmiri do të përgatiteshim për t’u bërë telekronista. Kishin ardhur dhe disa djem nga rrethet e mëdha të vendit që do ishin telekronistët e atyre rretheve.

Në redaksinë e informacionit të radios mësonim si përgatiten lajmet. Ndërkohë për mësimin e artit kinematografik, na jepnin leksione e na bënin praktikë regjisori Piro Milkani e operatori Faruk Basha. Detyra ime ishte telekronist, i cili filmonte dhe përgatiste lajmin , pra pasqyronte jetën ekonomike, kulturore e artistike, ngjarjet e ndryshme.

  -Drejtorët në atë sistem ndërroheshin shpesh Kush ishte drejtor në atë kohë dhe cilat ishin marrëdhëniet e tua me drejtorin? Ku ju caktoi?

  Ishin vitet e para të televizionit.  Siç thashë edhe më lart drejtori i radios dhe njëkohësisht i TV ishte Klimi Misa. Njeri shumë i mirë, i urtë, komunikues,dhe me kulturë. Marrëdhëniet me të ishin shumë të mira e respektoja e kryeja mirë punët dhe ai sillej ngrohtë dhe më donte e më vlerësonte .

Puna në një televizion është komplekse, është zinxhir, ku duhet të funksionojnë në mënyrë harmonike të gjithë hallkat. Gjëja më e parë ishte ngritja e nivelit profesional. Për këtë me mundësitë e athershme shfrytëzonim çdo mjet për tu kualifikuar. Takimet, vizitat në Kinostudio më ndihmuan shumë për të njohur teknologjinë e kohës, radhën e punës përvojën e realizimit të kronikave e dokumentarëve. Natyrisht ngritja profesionale e çdo individi çon dhe në rritjen e cilësisë, e larmisë së paraqitjes së emisioneve. Një ndihmesë të madhe kam dhënë në përgatitjen profesionale të telekronistëve të rretheve të vendit. Të gjithë telekronistat, që janë emëruar gjatë 23 viteve që punova në TV janë përgatitur nga unë.

  -Sigurisht një jetë të tërë në TVSH. Nuk mbahet mend ccdo detaj, por ndoshta mbahet mend xhirimi juaj i parë?

  Provën e parë te suksesshme e kam bërë duke filmuar ceremoninë e fejesës së vëllait të gruas, film që e kam dhe sot. Ishte një detyrë shtëpie që  P.Milkani më caktoi për të parë punën e pavarur, se si do ta filmoja, montoja e të bëja tekstin e ngjarjes.

 Por kronika e parë zyrtare që edhe u transmetua ishte 1 Maj 1969, pra pas rreth tre muaj që kisha filluar punën. U pëlqye dhe ishte suksesi im i parë.

– Cilët ishin gazetarët që mbanin gjallë këtë media të vetme vizive?

  Duhet të të them që redaksia ku unë punova për 23 vite, pra ajo e informacionit, ishte si të thuash zemra e televizionit. Aty pasqyrohej jeta politike, ekonomike, kulturore e artistike e sportive e gjithë vendit. Nga puna jonë informohej publiku se ç’bëhej çdo ditë në Shqipëri e jashtë saj. Pra ajo mbante peshën kryesore dhe aty ishin njerëzit më të përgatitur. Po të përmend Alfons Gurashin, Milto Bakën, Shyqyri Skënderin, Vladimir Grillon, Amalia Dhamon. Gëzim Qinami, Halit Lleshi etj ,si dhe operatorët e talentuar Gazmir Shtino, Astrit Omeri, Bujar Kore, Astrit Kazaferi, Arjan Negro etj.

  Cilët ishin drejtorët që kaluat gjatë punës suaj në TV dhe mund të na thoni disa karakteristika të tyre?

  Drejtuesi i parë, organizuesi e krijuesi i TV ishte Klimi Misa. Pastaj erdhi Marash Hajati, një njeri me horizont, autoritar me iniciativë, i guximshëm, i cili bëri si të thuash një revolucion, duke futur ide të reja e duke bërë organizime për një funksionim më të mirë të punës në TV gjë që bëri të ngrihet ndjeshëm cilësia e programeve. Pas tij erdhi Agron Çobani, radiokronist i shquar, novator e i talentuar. Virgjil Kule është drejtori simpatik e i fundit i periudhës deri në vitin 1992. Gazetar i talentuar njeri i qetë i respektueshëm zotërues i disa gjuhëve të huaja, bëri shumë për t’i dhënë një larmi programeve e roitjes cilësore të tyre.

 -Sa emisione, filmime, xhirime ke kryer dhe në cilat qytete të Shqipërisë ke qenë, si ju kanë pritur?

Në redaksinë tonë të informacionit përfshiheshin edhe emisionet ekonomike-bujqësore, e sportive. Kam realizuar qindra emisione, që po të bësh një llogari të thjeshtë që për një emision 30 minuta harxhoheshin 500 deri 600 metra film i bie të kenë kaluar nëpërmjet syrit tim 60 kilometra film, plus gjatë punës 10 vjeçare si telekronist i Tiranës kam harxhuar 25 kilometra film të tjera.

Këto emisione rubrika e telekronika janë realizuar duke shkelur në të gjithë vendin. Nuk ka mbetur jo qytet po fshat pa shkuar, nga Konispoli deri në Vermosh dhe jo vetëm njëherë.

Pritja nga populli ka qenë e mrekullishme, e papërshkruar, gëzoheshin kur shkonim të paraqisnim jetën dhe punën e tyre. Çfarë të të them nuk mbahen mend drekat e darkat që kemi ngrënë me ta, me atë që kishin dhe sa herë e kemi gdhirë duke pirë raki .

Ku ishe në festivalin e 11 të RTV, çfarë u thanë për këtë Festival kaq shumë të diskutuar?

Festivalet organizoheshin nga redaksitë e kulturës së radios e televizionit, kështu që ne nuk mernim pjesë drejtë përsëdrejti në përgatitjen e tij. Por në diskutimin që u bë në kolektiv për dënimin e T.Lubonjës kam qenë në sallë.Midis të tjerave ju vu në dukje liberalizmi  i thellë ën këtë Festival kaq të bujshëm. Se besonim që do të mirte kaq rëndësi dhe kaq dënime. Por orientimet ishin të qarta në luftën ndaj liberalizmit.

-Çfarë aparaturash gjete në RTV dhe si u modernizua RTV?

  Aparaturat e para që u vunë në godinën e re te TV ishin kineze, të prodhuara për herë të parë dhe që u eksperimentuan tek ne. Filmi që përdornim ishte film negativ, montohej po në negativ dhe kur transmetohej në Efir aparatura e kthente në pozitiv. Në fillim filmat i lanim në laboratorin e Kinostudios nën drejtimin e inxhinierit teknologjik Nasi Shamia. Më vonë me specializimin e disa vajzave bëhej tek ne në TV. Por teknologjia kineze nuk i rezistoi kohës, kishte defekte, ishte me cilësi të dobët dhe më vonë u blenë aparatura të reja në Francë. Me kalimin e viteve edhe teknika përmirësohej, silleshin aparatura të reja me teknologji të kohës.

Në fillim kamerat tona ishin të markës zvicerane Bolex që kurdiseshin me dorë, ishin me zemrek. Më vonë erdhën kamera gjermanoperëndimire Ariflex më të avancuara që lidheshin me një manjetofon dhe bëhej njëkohësisht edhe marja e figurës edhe e zërit,që në gjuhën tonë i themi sikron.

  Pastaj erdhën kamara elektronike Ikegami nga Japonia,dhe kur kaluam në transmetimin nga bardh e zi në atë me ngjyra, teknologjinë e morëm nga gjermania perëndimore. Aparaturat ishin të firmës Boch.

– Kur ke dalë jashtë shtetit për herë të parë dhe në ccvend?

  Për herë të parë kam dalë jashtë shtetit në tetor të vitit 1978 në turneun e Ansamblit Shtetëror të këngëve e valleve në Itali. Përgatita një dokumentar prej tre orësh qe u transmetua në dy pjesë.i cili u pëlqye shumë, një turne që korri një sukses të shkëlqyer e u prit me shumë entuziazëm nga publiku italian  në Venecia, Milano, Firence e deri ne Kalabri e Sicili tek arbëreshët. Pastaj më vonë kam qenë në Turqi, Kosovë, Francë etj.

  Si u ndjetë jashtë shtetit dhe a i tregove në Shqipëri ndryshimet?

  Unë nuk ndjeva ndonjë gjë të veccantë, sepse gjerat i shikonim si turistë, nga pamja e jashtme Ato që më bënin përshtypje ishin gjerat antike, godinat e vjetra, qendrat antike muzetë që vizitonim, sheshet e mbushura me vepra arti, skulpturat etj. Natyrisht bisedova si me kolegët e punës ashtu edhe me familjen e shoqërinë time.

  Dua të evidentoj një gjë me rëndësi: Ne në redaksinë tonë bisedonim lirshëm për çdo gjë që na bënte përshtypje. Kishim krijuar një besim të tillë me njeri tjetrin dhe nuk kemi pasur asnjë problem “tradhëtie”.

–   Kur e ke ndjerë veten më keq në TV dhe pse?

  Nuk është vetëm një rast. Një herë po drejtoja një emision direkt për problemet e frutikulturës. Midis të tjerëve kisha te ftuar në studio edhe drejtorin e frutikulturës në Ministrinë e Bujqësisë Stefan Gjoka,i cili ishte pa flokë  por   dukej sikur kishte barseta të gjata. Sa mbaroi emisioni më thirri në zyrë Marashi, e më tha :të keni kujdes, sapo më mori në telefon Fiqirete Shehu e më tërhoqi veshin, që nxirni njerëz me flokë të gjata. E keqja ishte se sa herë  bëhej mbledhja e kolektivit unë përmendesha për të keq.

 Më keq e kam ndjerë kur filloi ndryshimi i sistemit. Shikoja shokë të mi e punonjës të TV, që kishin ardhur aty më shumë nga biografia se sa nga aftësitë, shikoja anëtarë të PPSH, që bërtisnin e ulërinin kundër sistemit ku ata ishin pjesë përbërëse dhe thosha me vete : si është e mundur, ç`patën, çfarë virusi ju ka hyrë në tru dhe i ka çmendur, që kanë humbur logjikën. Filloi një shthurje e përgjithshme, asnjë nuk bindej të kryente punën, rrinin gjithë ditën shkallëve të TV.

Po të jap një detaj. Unë nga viti 1988 deri ne vitin 1992 isha përgjegjësi i redaksisë së informacionit. Nga unë kalonin lajmet që dilnin në ekran. Punonjësit e TV bënin grevë dhe qëndronin në shkallët tek hyrja e TV. Në atë kohë shtypi ishte paralizuar, gazetat nuk dilnin se nuk kishte letër për t’u shtypur. I vetmi mjet informimi  në atë terr ishim ne dhe: prandaj punonim e nuk morëm pjesë në grevë. Kisha shkuar për kafe me Artan Gjatën, gazetar në ATSH dhe po kthehesha në TV. Një nga grevistët më drejtohet duke bërtitur: po ju pse s`merni pjesë në grevë?!.Dhe unë me qetësi i them: Zbrit pak shkallët dhe eja të bisedojmë dhe me zë të fortë që ta dëgjonin të gjithë i thashë: E di ti kush je, je djali i P.SH. Anëtare e K.Q të PPSH, babai yt komunist e ushtarak i lartë, gruaja jote sekretare e Haxhi Lleshit, hajde mbushu, bëj grevë.

  Një rast tjetër është kur Arjan Negro më jep librezën e punës. Kush ta dha: ku e more e pyeta? Asnjeri, kisha punë në zyrën e kuadrit dhe e pashë në koshin e plehrave librezën tënde e të M. Bakës. Shiko ku arritën.

  Kë nga udhëheqësit e asaj kohe ke takuar gjatë punës apo i ke xhiruar E.Hoxhën, M.Shehu, A.Çarçani, apo ushtarakë të lartë?

  Të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të K.Q.të PPSH, e ministra të ndryshëm, duke përfshirë E.Hoxhën, M.Shehun etj i kam takuar, biseduar e filmuar.

Takimi i parë emocional me E.Hoxhën është në prill 1969 në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve mbajtur në sallën e Akademisë. Unë kisha rreth tre muaj që kisha filluar punë dhe shefi i redaksisë së lajmeve të radios Thoma Kërkeshi, më thotë do shkosh bashkë me A.Ccobanin të ndiqni punimet e Kongresit. Do shikosh kush merë pjesë nga udhëheqësit, kush do hapë punimet e kush do mbajë raportin, e të na japësh lajmin në telefon. Disa minuta para se të mbaronte pjesa e parë e të bëhej pushim, ndërsa Agroni merrte intervista, unë hyra në një dhomë me kolltukë ku ishte telefoni i vendosur në një tavolinë të vogël pranë dritares. Formova numrin dhe me fytyrë nga dritarja fillova të flas e të jap informacionin. Sapo ula receptorin, befas ndjeva që dikush më preku lehtë në sup. Kthej kokën shoh E.Hoxhen, i cili më buzëqeshi e më tha: flet bukur, ku punon ? Pasi e mora veten nga emocioni i thashë se kam filluar punë në radio. Ashtu, shumë mirë. po nga je? Prindërit i kam nga Gjirokastra, nga familja Topore.U mendua një çast dhe m’u drejtua: A e di që në Gjirokastër ka një rrugë që i thonë sokaku i Toporeve? Jo u përgjigja, unë kam lindur në Tiranë. Mirë vazhdoi ai: punë të mbarë.

Në festimin e 60 vjetorit të shpalljes së pavarësisë kam një mbresë tjetër nga E.Hoxha. Ndërkohë  që ai e udhëheqësit e tjerë përshëndesnin popullin ne nga TV, Kinostudio e fotoreporterë të shtypit filmonim për një moment Mehmet Shehu na drejtohet: Ikni se na mërzitët, po na shqetësoni. Në këtë çast ndërhyn Enver Hoxha dhe e qetësoi: Thotë -leri Mehmet ata të shkruajnë historinë e dokumentojnë atë, sa mirë do ishte sikur të kishim të filmuar luftën tonë Nacionalçlirimtare, betejat e partizanëve tanë trima.

  Takimi i para fundit është kur për herë të parë u dha në TV një mbledhje e Byrosë Politke . Për filmimin isha unë me operatorin Stefan Gajo. Në gatishmëri prisnim të vinte E.Hoxha. Dhe ja u hap dera e ashensorit, ai si artist që ishte na përshëndeti, buzëqeshi dhe tha:” filluat që tani, nuk duroni” dhe hyri në sallë.

  Në tavolinën në qendër bashke me E.H. U ul dhe Ramiz Alia. Pasi filmuam fillimin e mbledhjes Ramizi na tha: -mjaft ikni tani, dilni ,por ne për të qenë më të sigurt për pamjet vazhdonim të filmonim. Ndërkohë sikur të kishte kuptuar hallin tonë Enveri ndërhyn duke thënë leri Ramiz nuk kanë të ngopur ata dhe filloi të fliste, hapi mbledhjen.

Kam patur fatin e madh ta filmoj E.Hoxhën në festat e 1 Majit në kongrese e në shumë raste të tjera. Takimi i fundit ishte kur ai ishte i vdekur. Kam qenë pranë tij me kamera e mikrofon në ceremoninë madhështore të nderimit që i bëri populli ynë.

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …