Albert Zholi: Mesazhi i një nate pranvere


Atë mbrëmje pranvere isha tepër i lodhur. Sa hyra në shtëpi mbylla celularin dhe u shtriva në krevat, pa komunikuar me njeri. Gjumi më zuri menjëherë si me magnet. Të nesërmen, kur u ngrita, koka më dukej e rëndë si vare. Hapa celularin. Menjëherë ndjeva sinjalin e mesazhit. Kërkova menjëherë rubrikën te leximi i mesazheve dhe lexova me një frymë: “Berti, të mora në telefon mbrëmë, por e kishe fikur. Takohemi në orën 08.00 te stacioni, Akademia (Athinë), te stacioni i autobusit 103. Afrimi”.


– Nuk më mbeteshin as 25 minuta kohë. Ishte ditë e diel Marsi, e diela e dytë. U bëra gati ngutshëm, ashtu si munda, dhe u nisa për te vendi i takimit…Kur mbërrita, Afrimi, me një paraqitje të jashtme të shkujdesur, (jashtë natyrës së tij), rrinte ulur te stoli i stacionit me bërryla të vendosur mbi gjunjë dhe mollëzat e duarve në nofulla. “Diçka i ka ndodhur”, thashë me vete. Sa zbrita nga autobusi ai u ngrit dhe më përqafoi me lot në sy.


-Ç’ke? Si është puna që je katandisur kështu?!,-i them i tronditur.


-Hajde të pimë një kafe afër, e të them se çfarë kam,- më tha. U ulëm në lokalin më të afërt dhe porositëm unë çaj dhe ai kafe.


-Hë, fol! Tregomë se s’duroj dot më,- i thashë.


-Ç’është kjo jetë,- tha dhe tundi kokën.- Flluskë sapuni është,- dhe psherëtiu. Tashmë lotët nga sytë nuk mundi t’i mbante. Më çoroditi fare. Ai e kuptoi ankthin tim dhe filloi të fliste sërishmi me një zë…


-Mbrëmë më vdiq gjyshja…


-Si, vdiq gjyshe Afërdita?!


S’mund ta besoja. Kisha vetëm një javë pa e parë. Ajo më donte njëlloj si Afrimin. Kështu më thoshte sa herë shkoja për vizitë dhe fillonte të më pyeste ç’farë kisha shkruar, si shkonin punët nga Shqipëria…


Po, – dhe psherëtiu thellë sërishmi. – Vdiq, në orën 23.00, dha shpirt tak-fak. Po bisedonim për të shkuar për verë në Shqipëri. Kishte 8 vjet pa shkuar, ti e di mirë. Kur i thashë se tashmë që mora kartën jeshile e kishim të lehtë për të shkuar, kaloi në një gëzim të tejskajshëm. Lotoi nga gëzimi për lajmin. Duke folur për ikjen çehrja filloi ti ndryshonte….Pas pak, ngeli si pa frymë, ngeli si statujë. I hodha ujë, i fërkova ballin, supet dhe e shtriva në krevat. Ashtu e përhumbur fliste përçart nga gëzimi.


-Rrofsh, more djalë. Rrofsh. Behari erdhi. Është shumë afër, shumë…Duke parë gjendjen e saj, shkova të marr në telefon Artanin, doktorin, shokun tonë. Nëna dhe babi rrinin si të ngrirë. Pa arritur te telefoni dëgjova:


-Bir, vendosëm një kasetë me këngë polifonike.. Dua ato këngë që më shërojnë,- më tha me gjysmë zëri. Vura në magnetofon një nga kasetat me këngë të zgjedhura polifonike që i kishe sjellë ti në Janar (2000). Kur në dhomë u përhapën tingujt e parë të polifonisw , ajo buzëqeshi. Sa e bukur m’u duk ato çaste. Për disa sekonda buzëqeshja dhe shkëlqimi i syve i jepnin asaj fytyre një pamje engjëllore. Pastaj diçka belbëzoi dhe pas 5-6 sekondash mbylli sytë…


U afrova t’i dëgjoja frymëmarrjen. Fillova ta qëlloja në fytyrë por më kot… Kur erdhi Artani asaj ende nuk i i kishte ikur buzëqeshja dhe kënaqësia nga fytyra për lajmin e mirë se në verë do të shkonim në Shqipëri. Magnetofoni ende përhapte tingujt e një kënge polifonike… Ishte dëshira e saj të mbyllte sytë duke dëgjuar një këngë polifonike shqiptare. “Kënga polifonike është bashkimi i magjisë së tingullit me magjinë e fjalës”, më thoshte. Pa këto këngë populli do dukej si pa zë dhe pa fjalë. Kënga polifonike është memoria e gjallë e një kombi, ajo përbën themelin e historisë e transmetuar në shekuj. Ndërsa në emigracion, kënga polifonike është ruajtja dhe ndërgjegjësimi i identitetit kombëtar. Vallë a i dëgjonte ajo tani tingujt e atyre këngëve që vazhdonin ende të përhapeshin siç i donte ajo, në hapësirën e dhomës së një shtëpie të marrë me qira në Greqi, 700 km larg shtëpisë së saj në Tiranë? Ajo mbylli sytë nën tingujt e këngës polifonike që i donte dhe i barazonte me atdheun dhe me ëndrrën se së shpejti do të shkonte në Shqipëri.


Albert Zholi


Athinë, 16 Mars 2000


 


 


A. Zholi: Portat e hallit


 


Nga lindja gjer tek vdekja njeriu udhëton nëpër portat e hallit… Sa del nga një portë   halli hyn tek porta tjetër. Hyn pa trokitur  se ato janë të hapura  në dy kanatet  e padukëshme…


Dhe nga njëra portë   tek tjetra, njeriu shpreson  e shpreson për t’i  dhënë  fund  asaj udhe    paudhë, por asnjëherë  nuk e sheh  dot fundin.


Edhe portën e vdekjes  e gjen  hapur … Hyn edhe atje pa trokitur  për të vazhduar udhën e pasjetesës.


Deri në  cilën portë ke arritur o njeri ?!


E gjen  gëzimin  duke ecur  nëpër portat e hallit ?!


Pa kaluar në ato porta  nuk e kupton jetën ?!


 


Si?


 


E gjithë  jeta është HALL?!


Hall që jetohet?!…


Deri në cilën portë të hallit ke arritur o njeri?!


 


 “…ARAT PO I  LËNË, PO MARRIN  KURBETIN, CA MALLKOJNË  TOKËN, CA MALLKOJNË  SHTETIN…”


 


 Është një orkestër e vogël me katër  vetë. Këndojnë dhe u  bien veglave  muzikore, duke i  rënë  cep më  cep  lagjeve    Athinës. Por  më shpesh i  gjen  nën këmbët  e Akropolit  e    lagjen “Plaka”, ku i gjetëm edhe ne  për  herë    parë …


 


Sa I  dëgjuam, menduam  se ishte  ndonjë kasetë  me  këngët e njohura përmetare. Së bashku me  një  shokun  tim, i afruam  këmbët  andej  nga  vinte ëmbëlsia  e  atyre  këngëve…


 


Ata  të katërt ishin pranë  murit  të një ndërtese. Të katër  esmerë, nga ata stërnipërit  e muzikantëve, që solli Pirroja  i madh nga Egjipti, që në Përmet  e gjetkë u  bënë djep- kënge. Sikur ishin vëllezër ngjanin. Klarinetisti ishte pak më i shkurtër …U binin veglave dhe këndonin  sic bëjnë grupet e herëshme përmetare, sidomos ai më famozi, grupi i Laver  Bariut. Ia kishin marrë vence një kënge  të vjetër, sikur të ishin në  grykën  e Këlcyrës e jo në këmbët  e Akropolit:


 


“Në qivur të shtrinë,


 


Të veshën si nuse.


 


Sa hije të kishin,


 


Të shkretat baluke!


 


Rreth këngës grumbulloheshin  e grumbulloheshin  shqiptarë e turistë  të ardhur  ‘pranë bukurisë  greke…Ne dëgjonim si pa  marrë frymë  e  ata këndonin :


 


“…Te gorica plakë,


 


Po ta bëjnë  varrë.


 


Pleqtë  po  rrëmojnë …


 


Beqarët po qajnë …


 


Edhe ne na mori  kënga  dhe thoshim nëpër  buzë :


 


“Pleqtë  po  rrëmojnë/Beqarët  po qajnë …


 


Disa turistë nordikë, kështu dukeshin nga trupat  e gjatë  e nga tiparet e theksuara  të bardha, sic i  themi ne shqiptarët “të shpëlarë”, hodhën disa monedha në kapakun e violinës dhe ngatërruan disa fjalë, që donin të thoshoshin, “tjetër..tjetër”


 


Aq donin ezmerët:


 


 “…Kishe  dalë e rrije, afër trëndafilit,


 


Të digjej jeleku, nga zjarret e gjirit…”..Ah..zjarret…


 


Bravoo, bravoo!-folën dy nga “të shpëlarët”…


 


Neve sa nuk bëheshim me  krahë nga gëzimi  e krenaria. Në ato caste


 


mu kujtua një thënie e një filozofi: “ Popujt që kanë këngë të bukura, kanë të ardhme …” E kujtova këtë thënie  dhe psherëtiva. “Ku është e ardhmja  e këtijë populli  këngëbukur si i yni?!!…” dhe shoh me keqardhje bashkëatdhetarët  e mi të ikur tufa-tufa, nëpër udhët e botës…. Dhe këngëtarët derdhnin  shpirtin e tyre në këngë  për të kënaqur zotërinjtë  portë më portë  e lagje më  lagje. Dhe ata si ta kishin  lexuar  dhimbjen time, ia morën një këngë tjetër: Një këngë të dhimbëshme  kurbeti:


 


 “…C’ka që s’mbin bari në qafë ?


 


Nga lotët  që derdhnin gratë !


 


Marrin rrugën e kurbetit


 


Dhe s’e  dimë c’vjen prej detit ?


 


Rruga jonë, dreq o rrugë,


 


Zgjatet për një  copë bukë…”


 


Një vogëlushe  u lëshua nga dora e nënës  dhe i dhuroi një trëndafil  të kuq  atij me  klarinetë qe po e magjepste kete kenege. Klarinetisti e vuri karafilin  diku, aty nga qante klarineta : “…Djemtë e burrat tanë, shpirt e zemër vrarë,


 


Arat po i lënë  pa i hedhur farë.


 


Arat po i lenë  po marrin kurbetin,


 


Ca mallkojnë tokën, ca mallkojnë shtetin…”


 


Ikëm me dhimbjen e gëzimit, që na kish mbushur  shpirtin dhe na derdhej  si kënga  pambarim e katër esmerve.               


Athine 1994

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …