Dr. Shefqet Krasniqi: Reflektimet e Ramazanit në Dituri


Nuk ka dyshim se Ramazani është sezoni më i mirë dhe më i begatshëm për muslimanët. Ky muaj pothuajse përgjatë gjithë historisë u solli ndryshime dhe suksese muslimanëve. Begatitë e tij reflektojnë në çdo pore të jetës. Zakonisht Ramazani konsiderohet muaji i pendimit, përmirësimit dhe rikthimit të njeriut në rrugën e vërtetë. Shumë njerëz udhëzohen gjatë këtij muaji dhe e mbajnë mend për kohë të gjatë, të tjerët gjejnë shërim shpirtëror në të ashtu që t’i shlyejnë mëkatet e tyre që i kanë bërë më parë.


 


Por pa dyshim ky muaj i bereqetshëm ka mjaft ndikim edhe në aspektin e shkencës dhe diturisë. Zaten sa më larg mëkateve po aq më afër devotshmërisë, diturisë së vërtetë e të hairit. Në këtë kontekst edhe ne ia pamë hairin shumë këtij muaji të bekuar dhe falë të madhit Allah arritëm që edhe në këtë vit, pikërisht në këtë sezon të sukseseve, të botojmë dhe promovojmë edhe dy tituj të ri librash, Merjemja Gruaja më e Veçantë dhe Kiameti është Afër.


Në një atmosferë të mrekullueshme iftari, të rrethuar më fytyra prej nuri në mesin e të cilëve dashamirë, familjarë, hoxhallarë të shkolluar e veteranë, përfaqësues të politikës, kryetar e nën kryetar komunash, medieve, policisë, FSK-së, deputetë, profesorë universitarë e deri tek masa e thjeshtë – xhemati, të gjithë të bashkuar, nga të gjitha trojet shqiptare etnike, siç e kërkon vendi e zakoni në sofrën e iftarit e karakterizuan këtë promovim në Hotelin Victory. Vërtetë i jam falënderues Allahut të madhërishëm që më bëri të mundur, edhe kësaj radhe, të përjetojë këtë kënaqësi të arritjes se suksesit ngase pa ndihmën dhe përkrahjen e Tij nuk arrihet asgjë në këtë botë. E po ashtu u jam mirënjohës edhe kolegëve e bashkëpunëtorëve të mi të cilët dhanë mundin e pakursyer që gjithçka të ishte në vend të vet ashtu siç i ka hije.


Një mirënjohje të veçantë do të dëshiroja ti shpreh panelistëve të nderuar, të cilët me referimet e tyre ia shtuan edhe më shumë vlerën këtij promovimi. Natyrisht, për shkak të kohës së ngushtë i mbetëm borxh të pranishmëve që t’i dëgjojmë sugjerimet dhe komentet e tyre, por besoj se këto do të mund t’i pranojmë kohë pas kohe.


 


Në lidhje me librin Merjemja Gruaja më e Veçantë, panelistët vunë në spikamë kronologjinë historike të ngjarjeve që trajton libri nën dritën e ajeteve të Kuranit por njëherazi të ilustruara edhe me botëkuptimin e krishterë dhe pikëpamjen kritike të mbështetur në referenca të krishtera. Sipas tyre njerëzit mund të kenë shumë versione rreth ndonjë ngjarje të caktuar, por gjuha e argumentuar, e saktë dhe e mbështetur më fakte është ajo që e çon lexuesin drejtë së vërtetës.  Ashtu siç  nxorën në pah trajtimin që i bën islami femrës në përgjithësi duke marrë shembull Merjemen e bekuar. Ata shtuan se libri në fjalë në mënyrë koncize dallon të vërtetën nga e pavërteta duke i dhënë një fokus të veçantë shpifjeve përmes së cilave njerëzit me karakter të ulët mundoheshin ta etiketonin Merjemen në kohën e saj, gjë që edhe sot nuk ka ndryshuar ky avaz kur janë në pyetje femrat me të ndershme të shoqërisë.


 


Ata në vazhdim tërhoqën një paralele në mes Merjemes dhe birit të saj Isait, të cilët edhe pse u persekutuan dhe u torturuan pa të drejtë, për një periudhë historike, që të dy më vonë padrejtësisht u shenjtëruan dhe sot e kësaj dite konsiderohen si të tillë pa mbështetje historike, shkencore dhe logjike.


 


Ndërsa sa i përket librit Kiameti është afër, panelistët ofruan një përshkrim të jashtëzakonshëm të botëkuptimit perëndimor në lidhje me Kiametin. Ku shumë priftërinj, meshtarë e përfaqësues kishtarë të shumtë pretendonin me bindje se Kiameti do të ndodhë me këtë apo me atë datë. Sipas tyre shpesh herë deklaratat në lidhje me Kiametin kishin prapavijë komerciale apo të vënies së ndjenjave të njerëzve nën kontroll. Panelistët çmuan lart kontributin e këtij libri në zbardhjen e fakteve në lidhje me një ndodhi që të gjithë pajtohen se do të ndodhë por askush nuk e di se kur dhe si. Ata për me tepër pohuan se libri sjellë argumente të mjaftueshme fetare por edhe shkencore për të hedhur poshtë pretendimet e ndryshme kalendarike që po shkaktojnë huti në mesin e masave përfshirë edhe komunitetin tonë pan-shqiptarë.


 


Për fund, lus Zotin fuqiplotë që ta ketë pranuar këtë mund prej nesh sikur që lutëm që i Plotfuqishmi të na jap shëndet, fuqi dhe bereqet të vazhdojmë me aktivitet tona në të mirë të popullit e të vatanit ashtu që kur të dalim para Zotit të dalim faqebardhë. Amiin, dhe deri në javën tjetër Esselamu Alejkum ve Rahemtullah. 


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Vjedhjet dhe problemet vazhdojnë, kurse udhëheqësit tanë luajnë ‘sy-fshehtas’


 


Si çdo vend në botë edhe vendi ynë ka probleme. Mbase të kërkosh vend pa probleme fare është pothuajse absurde, por poenta qëndron në atë se si t’i mbajmë problemet sa më pak dhe sa më të vogla. Në anën tjetër, janë disa probleme ndaj të cilave nuk mund dhe nuk guxojmë të heshtim. Si fjala vjen vjedhjet dhe grabitjet me armë, të cilat po bëhen për ditë e më të theksuara në vendin tonë. Vetëm gjatë vitit të kaluar 2013, në Kosovë, janë regjistruar rreth 9,000 vjedhje, vjedhje të rënda dhe grabitje në lidhje me të cilat janë arrestuar 2,532 persona. Ndërsa në gjashtëmujorin e parë, Janar-Qershor, të këtij viti ka pasur mbi 3,000 vjedhje, vjedhje të rënda dhe grabitje, e për këtë janë arrestuar afro 1,214 persona, sipas të dhënave të policisë së Kosovës. Kjo është vetëm një fushë e problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohet vendi ynë i vogël. E ku janë problemet tjera të cilat gati se kanë kapluar çdo fushë apo segment.


Papunësia po shënon rekord bashkë me mos-funksionimin e fabrikave. Është për keqardhje të shohësh se si ato fabrika për të cilat janë premtuar miliona investime sot janë shndërruar në gërmadha.


Nuk do mend fare se ngjyra e sundimit të ligjit është ajo më e theksuara. Në Kosovën tonë që aspirohet për integrime evropiane ka tendenca absurde për ikje nga realiteti, për fshehje të vërtetave dhe për manipulim me popullin. Janë sigurisht dështimet e njëpasnjëshme të politikës për të bërë ndryshimet e kërkuara ato që qëndrojnë prapa kësaj klime në të cilën rriten dhe ushqehen vetëm ekstremitet. E në anën tjetër ngërçet politike për qëllime tipike vetjake dhe inate individësh shihen si një ogur i zi për të ardhme të ndritur të vendit. Siç thotë një fjalë e urtë popullore “këtu nuk ka asgjë për riza të Zotit”, por për interesa personale apo partiake. Shumë pak jemi duke e parë të ngrihet dikush të punoj për të mirën e vendit, të lodhet e të mundohet, ani pse vendi ynë gjithsesi se ka burra të mëdhenj me vizion të qartë, por ja që nuk po ju jepet shansi dhe po pengohen bile disa nga ta edhe po akuzohen.


 


Janë këto punë të liga të cilat po e pamundësojnë integrimin e vendit tonë në struktura veri-atlantike, bile po e ndalojnë edhe nga lëvizjet e lira brenda kontinentit të vjetër. Ku janë premtimet e zonjushës “së ikur nga skena politike” e cila gjatë mandatit të vet tha se do të lëvizin lirshëm qytetarët nëpër Evropë? Ku është zhvillimi ekonomik, ku është sundimi i ligjit, ku është ndalimi i vjedhjeve dhe korrupsionit dhe mënyrave tjera të abuzimit dhe keqpërdorimit të djersës së qytetarët. Nuk ka përparim pa sinqeritet dhe sundim të ligjit. Hajnat duhet kapur dhe duhet dënuar rënd. Krimi nuk duhet mëshiruar, mëshira ndaj njerëzve të ligë, ndaj hajnave dhe kriminelëve është krijim i një hapësire të re për vazhdimin e atyre krimeve. Nuk ka kuptim liria e as shteti nëse nuk ndihen të lirë e të sigurt qytetarët në shtëpitë e tyre, në pronat e tyre. Zoti e drejtoftë këtë popull, dhe na i sjelltë në pushtet ata që ia kanë frikën Zotit lartë në qiell dhe i mëshirojnë njerëzit poshtë në tokë dhe punojnë për të mirën e tyre. amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum



 


Shefqet Krasniqi: Teatri Kombëtar vs. “Parku i Paqes”



Që në fillim të sundimit të vet Partia Komuniste kishte vendosur xhamitë nën shënjestër. Për pasojë ajo rrënoi qindra xhami. Ndër më të rëndësishmet prej tyre ishte “Xhamia e Llokaqit”, mu në qendër të Prishtinës, e cila u rrënua sipas planit urbanistik të qytetit me 1953. Kjo strategji famëkeqe do të ndiqet më vonë edhe nga kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviq, dhe regjimi i tij, të përkrahur pa kursyer nga Kisha Ortodokse, ku vetëm gjatë luftës së fundit 1998/99 dogjën dhe rrënuan për tokë mbi 218 xhami. Ndër më të rëndësishmet prej tyre ishte edhe “Xhamia e Ibrit” në Mitrovicë, që u shkatërrua deri në themel me 1999.




 Në vend të “Xhamisë së Llokaqit” komunistët shqiptarë ndërtuan teatrin kombëtar të stilit sllavo-rus. Ndërsa në vend të “Xhamisë së Ibrit” strukturat paralele serbe sot po ndërtojnë të ashtuquajturin “Parku i Paqes” dhe sheshin “Car Lazar”. Shqiptarët kurrë nuk ia panë hairin tetarit të tyre, kurrë nuk u shkoj puna si duhet. Madje edhe sot e kësaj dite ata nuk po mund të merren vesh mes vete, njëri thumbit e tjetri patkoit. Këtyre ditëve, në disa shkrime, madje u raportua se edhe janë rrahur mes veti dhe se punët i kanë lëmsh. Eh, Zoti është i madh, si do të mund të bëhen rehat ata që uzurpuan tokën e vakëfit. Besojmë shumë te Zoti i Madh se as serbët nuk do të ia shohin hajrin kurrë atij vendi. Njerëzit janë shkurt-pamës, oportunist dhe shfrytëzojnë me rastin, por ja që në periudhat më afatgjata i madhi Zot u kthen atyre zullumet dhe padrejtësitë në bumerang.










 


Dr. Shefqet Krasniqi: Provokimi sllavo-maqedonas dhe dhuna sistematike ndaj shqiptarëve




Nuk është hera e parë që sllavo-maqedonasit provokojnë shqiptarët dhe atë jo vetëm mbi baza etnike. Fyerja e shqiptarëve sikur është bërë zakon në ‘kulturën’ maqedonase. Jo rrallë evenimentet e tyre kulturore kalojnë në ceremoni djallëzore. Dhe, më e keqja, ata jo vetëm që nuk ndalen e nuk kërkojnë falje, por edhe vazhdojnë me këtë avaz paturpësisht. Edhe gjykimi i fundit i atij grupi, të vëllezërve tanë shqiptarë, me burgim të përjetshëm është vazhdimësi e kësaj tradite të pacipë. E cili gjykim sllavo-maqedonas ndaj shqiptarëve qe i drejtë dhe real që nga koha kur Tito e formoi Republikën e Maqedonisë, duke grabitur toka andej e këndej, e deri më tani?. Torturat dhe krimet që i bënë sllavo-maqedonasit kundër popullit shqiptar para vitit 2001 ndoshta ishin disi ‘pak më lehtë’ për t’i kuptuar, për faktin se gjithë shqiptarët andej e këndej kufijve ishin të persekutuar dhe shënjestër e maltretimeve. Për fat të keq, kjo ishte politika afatgjate sllave që nga koha e Karagjorgjit, Rankoviqit, e deri tek Millosheviqi, që shqiptarëve t’u bëhej presion ashtu që ta lëshojnë vendin e tyre. Le të shkojnë ndeshin në Anadoll e ndeshin në Atlante, por me rëndësi të mos qëndrojnë në truallin e vet. Mëmëdheu, Shqipëria, e dimë të gjithë se si ka qenë, fatkeqësisht kurrë nuk arritëm t’ia shohim hairin.


 


Sido që të jetë, pas luftës së vëllezërve tanë atje dhe pas marrëveshjes së nënshkruar në Ohër me 2001, shqiptarët atje nuk është dashur kurrsesi të trajtohen në këtë mënyrë. E ngjarjet e fundit, që në fakt janë vetëm vazhdimësi e kësaj dhune shtetërore, po tregojnë se shqiptarët atje i kanë punët keq mu ashtu siç i kishin para marrëveshjes së Ohrit. Vëllezërit tanë atje luftohen, persekutohen, madje ndaj tyre ushtrohet dhunë, gjenocid e masakër dhe atë mu para syve të botës. Kjo nuk është e lehtë për të kuptuar, por kur e shikojmë se kush po i udhëheq shqiptarët andej e këndej, atëherë e kuptojmë mirë se marrëveshja e Ohrit nuk ka qenë asgjë më shumë sesa ngjyrë në letër dhe disa foto për konsum politik. Gjithherë sllavët në avancim, andej e këndej. Gjithmonë shqiptarët të shtypur e të nënçmuar, pa asnjë vlerë, pa asnjë shenjtëri të gjakut, nderit dhe fesë së tyre. Strategji e përsosur sllave për spastrime etnike dhe ortodoksim të vendit. Flasin për ‘radikalë Islamik’ kurse harrojnë radikalizmin sllavo ortodoks. Flasin për “ekstremizëm islamik”, e harrojnë se Maqedonia është mbushur me kisha e kryqa. Kësaj belaje i shtohet edhe më shumë zullumi kur dihet se Kosova tashmë është shtet, se Shqipëria nuk është më si në kohën e Enverit, është në NATO, pastaj kandidate për Bashkimin Evropian. Kësaj belaje i shtohet edhe më tepër zullumi kur kihet parasysh se shqiptarët në Maqedoni udhëhiqen kinse nga ata që kanë fituar luftën. O Zot i madh, po kurrë nuk kishim pasur liderë të sinqertë apo pak burra që japin jetën për popull e vatan! Vërtetë ironike kjo marrëzi.  Për vetën time kamë pritur që BDI-ja menjëherë do të dalë nga qeveria, të gjithë deputetët do ta bojkotojnë parlamentin maqedonas dhe do ta hapin një tjetër në Tetovë. Apo në anën tjetër të Shkupit.  Turp për BDI-in, Turp, për qeveritë Edi e Thaçi, turp, një milion herë turp. Nuk kanë madje qoftë edhe pak mëshirë ndaj vëllezërve të tyre. Ndoshta edhe nuk kanë faj, sepse janë të zënë me kampionatin botërorë në Brazil, siç potencoi një qytetar nga Tetova.


 


Mendoj se nuk ka alternativë tjetër në Maqedoni pos të vazhdojnë protestat derisa sllavi ta ulë kokën dhe jo vetëm kaq, por nuk duhet ndalur derisa shqiptarët të jenë pjesë përbërëse e një konfederate në atë shtet me të drejta të barabarta me sllavët Maqedonas. Mos u ndalni vëllezërit e mi atje, vazhdoni të protestoni, shpërndajini protestat në gjitha qytetet, natyrisht qetë dhe me kulturë të lartë ashtu si i ka hije shqiptarëve e muslimanëve, mos pritni liderët politik as andej e as këndej se do t’ua rregullojnë punët, sepse ata vetëm sa i prishin. Ata nuk rregullojnë tjetër pos karrigeve të veta, të cilat po lutëm sinqerisht të mos i gëzojnë e mos t’ua shohin hairin. I bëjë thirrje gjithë kombit, gjithë shqiptarëve që i donë shqiptarët dhe kanë gjak shqiptari, në veçanti partitë politike të bashkohen të gjithë, ta ngrenë zërin së bashku, t’i dalin në ndihmë vëllezërve atje se vërtetë po përballen me dhunë dhe situatë të rëndë. Plani sllavo-maqedonas kundër shqiptarëve nuk përfundon me kaq, ata nuk ndalen derisa atje mos të mbetet asnjë shqiptar, derisa t’i boshatisin trojet tona etnike nga ata që flasin dhe mendojnë shqip. Vëllezër, Shqiptarët në Maqedoni janë në rrezik. Ndaj, a ka kush që u del në ndihmë pos Zotit?!


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Agjërimi ushqim i shpirtit


 


‘Kur njeriu arrin ta njoh vetën e tij, ta kuptoj fshehtësinë e Zotit në vetë njeriun, atëherë ai nuk e zhvlerëson anën shpirtërore, siç bëjnë shumë njerëz, të cilët jetën e shohin vetëm si arenë për të ngrënë, për të pirë dhe për tu kënaqur sa më shumë dhe kur të vdesin, atëherë, hidhi ku të duash.


– Urtësia e tërë agjërimit përmblidhet në fjalën e Allahut, nëpërmjet të Dërguarit të Tij Muhamedit alejhiselam, se “Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të”.


– Ani pse po lodhemi nga pak, le të lodhemi, fundja o për Zotin o për kë tjetër, ia vlen sepse çmimi është shumë i shtrenjtë, fitohet kënaqësia e Zotit, arrihet mëshira e Tij dhe synohet Xheneti i Tij’. 


Ani pse po lodhen nga pak fizikisht muslimanët vazhdojnë të agjërojnë. Ata po freskohen, po ushqehen e pushojnë nga aspekti shpirtëror e psikik, po e freskojnë trurin dhe shpirtin e tyre. Për njëmbëdhjetë muaj radhazi ata(o) iu patën përkushtuar më shumë trupit sesa për shpirtit, e tani në këtë muaj po i kushtojnë kujdes të veçantë shpirtit të tyre. Fundja ia kanë borxh, sepse njeriu si krijesë është e përbërë nga trupi i ndërtuar fillimisht nga toka, i përbërë prej elementeve të saj; dhe nga shpirti i zbritur nga qielli lart. Pra njeriu nuk është vetëm trup i përbërë nga shqisat dhe elemente tjera shoqëruese, por edhe shpirt qiellor i bashkë-dyzuar në trupin tokësor, e nëpërmes këtij shpirti njeriu lëvizë, sheh, prek, dëgjon, mendon, mediton, adhuron, din të përkushtohet, etj. përndryshe trupi pa shpirt nuk ka far kuptimi, njeriu nuk cilësohet më njeri i plotë, njeri i gjallë, por trup i ngurtë, i pa lëvizshëm, apo i vdekur. E meqë kështu është realiteti, atëherë duhet ta kuptojmë edhe atë se si trupi po ashtu edhe shpirti i kanë kërkesat dhe nevojat e veta.


Shpirti i ka kërkesat qiellore, sepse ka ardhur nga lart, atje e ka zanafillën dhe atje do të kthehet. Ndërsa trupi i ka kërkesat tokësore, sepse nga toka ka ardhur dhe në te do të kthehet. Andaj gjersa jetojmë në këtë botë si njerëz kemi për obligim t’i japim secilit element atë që i takon, pra edhe trupit por edhe shpirtit t’ia japim hakun e merituar. E tërë kjo me qëllim që njeriu të bëjë një jetë të shëndoshë dhe stabile, si nga aspekti trupor si nga ai shpirtëror. Pikërisht për të arritur këtë bilanc dhe ekuilibër medoemos duhet të nxjerrim në pah rëndësinë dhe peshën e fesë, apo e mesazhit qiellor, përndryshe nëse cilësdo anë i jepet prioritet, duke e nënvlerësuar apo lënë anash anën tjetër, atëherë shkaktohet një çrregullim apo jo baraspeshë, me çka i bëhet e padrejtë qoftë trupit apo shpirtit. Për të kuptuar këtë më mirë, ne duhet të interesohemi që  të dimë se cili është haku i trupit dhe cili i shpirtit, apo si ta ushqejmë trupin e si shpirtin? Kështu kur njeriu arrin ta njoh vetën e tij, ta kuptoj fshehtësinë e Zotit në vetë njeriun, atëherë ai nuk e zhvlerëson anën shpirtërore, siç bëjnë shumë njerëz, të cilët jetën e shohin vetëm si arenë për të ngrënë, për të pirë dhe për tu kënaqur sa më shumë dhe kur të vdesin, atëherë, hidhi ku të duash. Përkundrazi ai e vlerëson shumë shpirtin dhe përkujdeset për të, sepse nëpërmjet tij arrin ta respektojë dhe t’i bindet Krijuesit të shpirtit dhe çdo gjëje tjetër. 


Pa dyshim Allahu i madhëruar, si krijues, furnizues dhe kujdestar i yni na ka mësuar e treguar sesi ta ushqejmë shpirtin, si të arrijmë të fitojmë kënaqësinë e Zotit tonë. E nuk ka dyshim se agjërimi i muajit Ramazan luan një rol shumë të madh e të rëndësishëm në këtë drejtim, bile është shumë i veçantë. Për këtë arsye, muslimanët në Ramazan lodhen bile ka të atillë që i përjetojnë shumë më vështirësi momentet afër iftarit, por megjithatë, muslimanët gjatë këtij muaji përjetojnë kënaqësi aq të madhe sa që një kënaqësi të atillë nuk e përjetojnë në asnjë periudhë tjetër të jetës së tyre. Ata kurrë nuk ndiejnë kënaqësi më të madhe madje as kur hanë e pinë jashtë Ramazanit, sa ndiejnë kënaqësi kur agjërojnë muajin Ramazan. Këtu pra, siç shihet, ekziston një sekret, athua vallë pse, si është e mundur kjo?! A nuk është për të çuditur, a nuk ja vlen për tu studiuar ky fenomen psikologjik?! A nuk e vërteton kjo atë që u cekë më lart se edhe shpirti ka nevojë për ushqim dhe ushqimi i tij është përkushtimi ndaj Zotit, është ky agjërim dhe llojet tjera të adhurimit me të cilat ushqehet shpirti, kënaqet, lehtësohet dhe freskohet. 


Vërtetë kjo është një urtësi mjaft e spikatur dhe e rëndësishme pse ka mbetur agjërimi dhe ku qëndron sekreti që njerëzit të rrinë pa ngrënë e pa pirë gjatë tërë ditës, nga agimi gjerë në perëndim të diellit për një muaj rresht. Pa dyshim se ekzistojnë edhe dhjetëra e qindra urtësi e mirësi tjera pse njeriu ia vlen të agjërojë. E të gjitha këto urtësi që u përmende, e shumë të tjera, çojnë tek një kod, pra fjala e Allahut nëpërmjet të Dërguarit të Tij Muhamedit alejhiselam se “Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të”.


Andaj të nderuar dhe të respektuar vëllezër dhe motra, ani pse po lodhemi nga pak, le të lodhemi, fundja o për Zotin o për kë tjetër, ia vlen sepse çmimi është shumë i shtrenjtë, fitohet kënaqësia e Zotit, arrihet mëshira e Tij dhe synohet Xheneti i Tij.  Veç jemi duke e parë, agjërues të dashur, sesi i madhi Zot e ka lehtësuar këtë agjërim, e ka freskuar klimën, e ua ka mundësuar shumë njerëzve, pleq e të rinj, ta agjërojnë këtë muaj dhe atë shumë lehtë, madje shumë njerëz po e agjërojnë këtë muaj për herë të parë, gjë që është një kënaqësi e veçantë.


Allahu ua pranoftë agjërimin gjithë atyre që e agjërojnë, e i drejtoftë e i udhëzoftë ata dhe ato që pa arsye nuk agjërojnë. Amin dhe deri javën tjetër me një temë tjetër selam alejkum.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Mesazhi i muajit të Ramazanit, muajit të agjërimit


 


Të dashur myslimanë, vëllezër dhe motra, pjesëtarë të fesë sonë të çmuar në këto troje dhe gjetiu, ja pas njëmbëdhjetë muajsh na erdhi serish muaji i bekuar, muaji më i dashur, më i çmuar, më i shtrenjtë, muaji Ramazan. Na erdhi muaji i agjërimit, i mëshirës, i shpëtimit, i devotshmërisë, i solidaritetit, i unitetit, i shëndetit fizik dhe psikik. Erdhi muaji për të cilin jemi përmalluar shumë dhe për të cilin kemi aq shumë nevojë. Në veçanti në këtë kohë të një ‘ngërçi’ politik, të një vakuumi institucional, në këtë kohë kur njerëzit janë lodhur nga premtimet e shumta e të njëpasnjëshme të liderëve politikë për të bërë ndryshime, fjalë këto të cilat tashmë nuk kanë as peshën më të vogël tek qytetarët, pasi që shumica e tyre nuk kanë më forcë tu besojnë këtyre thënieve.


Mirëpo, njerëzit i besojnë Zotit të tyre, i cili i krijoi dhe i ka në dorë ata dhe preokupimet e tyre, vetëm Ai mund të bëj ndryshime, vetëm Ai mund ta kthejë mirëqenien, bollëkun dhe vullnetin e mirë në këtë vend. Erdhi Ramazani në kohën kur kriza ekonomike po shtohet e thellohet për ditë, e padyshim njerëzit kanë nevojë për një pushim, freskim e ushqim shpirtëror i cili mbase do ti freskonte, motivonte e forconte për të vazhduar më tutje veprimtarinë dhe jetën. Erdhi muaji në të cilin zbriti Kurani, mu për këtë ndryshe quhet edhe muaji i Kuranit, libër ky në të cilin është programi i plotë dhe i përkryer i jetës sonë. E natyrisht se kushdo që i ndjekë mësimet e tij do të jetë i lumtur dhe i shpëtuar në këtë por edhe në botën tjetër.


Erdhi muaji, i cili karakterizohet me efekte të shumanshme, gjithsesi pozitive, në jetën psikike, shpirtërore dhe fizike të besimtarit. Bën lidhjen e tij me Krijuesin, rregullon raportet e tij me njerëzit si dhe ndikon në përmirësimin e jetës së tij private, respektivisht me vetveten, duke filluar nga përvetësimi i shprehive të duhura, si: përmbajtja orarit, përkujdesja për ushqimin, etj. Po ashtu ai rregullon jetën e tij në raport me familjen e me shoqërinë duke e ruajtur besimtarin(en) nga fjalët e këqija, sjelljet e vrazhda e jo të hijshme e duke e bërë atë më të butë, më të dashur dhe më solidar e human, etj. Muaj ky në të cilin vërtetë ndryshon muslimani, e si jo kur ai gjatë gjithë muajit, natën dhe ditën, është në adhurim dhe përkushtim ndaj Zotit të tij, me lloj-lloj adhurimesh. Muaj ky që synon ta përngjajë njeriun me melaqe, pasi që shumë nga ta gjatë tërë vitit më shumë i ngjajnë djallit sesa melaqeve. E djalli nuk është me brirë, siç thotë populli, por është i tillë që kur vepron bënë vepra të këqija, shkakton çrregullime në tokë dhe përhap fesat, mu ashtu siç mjerisht po veprojnë shumë  njerëz tek ne sot. Duke pasur parasysh këto dhe shumë urtësi e mirësi të këtij muaji të bekuar, agjërimi është bërë obligim për të gjithë njerëzit të cilët besonin Zotin që nga njeriu i parë. Ky adhurim ishte obligim për të gjithë pasuesit e feve qiellore me radhë gjerë tek ne muslimanët.


Andaj më shumë se kurdoherë më parë ky popull, këta besimtarë dhe qytetarët në përgjithësi kanë nevojë t’i kthehen Zotit të tyre, t’i përkushtohen adhurimit gjatë këtij muaji të bekuar, t’i spastrojnë shpirtrat e vet, ta heqin ndryshkun e gjynaheve që ia ka kapluar zemrat e tyre, të ofrohen mes veti, të duhen e të respektohen, të kërkojnë ndihmë dhe mëshirë nga qielli, sepse pa ndihmën e të madhit Zot nuk ka as ndryshim, as fuqi, as përmirësim e as sukses.


Andaj të dashur bashkëqytetarë, të dashur e të respektuar muslimanë, juve të cilëve aq shumë ju dua, të cilëve ua dua të mirën më shumë se çdokujt tjetër, për hir të Zotit mbajeni Ramazanin, agjëroni këtë muaj, në veçanti ju që keni agjëruar edhe më herët, por edhe ju që do të filloni në këtë muaj për herë të parë dhe do ta vëreni ndryshimin me emrin e Zotit, do të bindeni për atë që u cekë më lartë dhe për shumë çka tjetër.


Urime muaji i bekuar Ramazan, qofshi gjithmonë faqebardhë. Agjërim të lehtë e të pranuar.


Vëllai i juaj Shefqeti      

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …