RKL: Barrikada e “turpit”, apo turpi i politikanëve tanë

Tashmë kanë kaluar 15-vjet, qyshkur trupat franceze të KFOR-it, më 14 qershor të vitit 1999 me rastin e hyrjes në qytetin e Mitrovicës, e ndanë qytetin në dy pjesë dhe në pjesën e veriut krijuan kushte për grumbullimin e kriminelëve serbë, të cilët po iknin nga vendet e Kosovës ku kishin kryer krime të panumërta kundër shqiptarëve  dhe po bëheshin bashkë në veriun e vendit të  siguruar nga francezët.


Asokohe, forcat e UÇK-së nuk u lejuan në ktheheshin madje as në veriun e qytetit për ta mbrojtur popullatën shumicë shqiptare, e cila një vit më vonë u përzu dhunshëm dhe në mënyrë masive nga Serbia dhe forcat ndërkombëtare të UNMIK-ut, me forcat e xhandarmërisë franceze në krye, me ç rast u vranë dhjetëra shqiptarë dhe qindra të tjerë u plagosen. Prej asaj kohe, administrata ndërkombëtare veriun filloi ta trajtojë si një pjesë jashtë juridiksionit të Kosovës, edhe pse rezoluta 1244 e KS të OKB-së ishte e obliguar të trajtonte si një dhe të pandarë tërë territorin administrativ të Kosovës.


Politikanët shqiptarë të asaj kohe, edhe tani zyrtarë të lartë të Kosovës, të zënë në ndarjen e presë që kishte lënë lufta, të zënë në angazhimin e tyre për t’i marrë frerët e qeverisjes, të zënë me intriga kurthe e prapaskena, as edhe e kishin shtruar ndonjëherë për zgjidhje  çështjen e veriut të Kosovës, sepse kishin punë të tjera më dobisjellëse për veten dhe klanet e tyre politike të interesit. 


 


Gjatë viteve në vijim “veriu i vendit” u bë “mollë sherri” për Prishtinën, Beogradin e Brukselin


 


Administrata e UNMIK-ut dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, po i krijonin të gjitha parakushtet që veriu i Kosovës me shumicë serbe të krijohej si një entitet i veçantë, me të cilin do të lidheshin enklavat serbe brenda territorit të Kosovës, dhe të gjitha tok të administroheshin nga Beogradi. Këtë synim, UNMIK-u e ka bërë realitet me kohë. Veriu, me kohë   është konstruktuar si vatër krize, me qëllim për t’ia zgjatur afatin e qëndrimit sa më të gjatë zyrtarëve ndërkombëtarë dhe me qëllim që Serbia të mos ndihet humbëse në luftën e UÇK-së, të cilën e ndihmoi nga ajri Aleanca ushtarake Veri-atlantike, për ta çliruar vendin nga regjimi kriminal i Serbisë së Milosheviqit.


 


Në vitet që kaluan Veriu u përdor nga politikanët tanë si çështje, të cilin secili premtonte se do ta zgjidhte në mënyrën e vetë, por asnjërit prej tyre nuk ia mbajti të shkonte apo ta vizitonte atë pjesë të Kosovës, qoftë edhe në përcjellje të forcave ndërkombëtare.


Veriu vazhdimisht i ka shërbyer politikës ditore si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, për t’u mbajtur dhe për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Duke u trajtuar problem i pazgjidhur, veriu i qytetit të Mitrovicës dhe çështja e katër komunave serbe në veri, për 15 vjet rresht kanë mbetur “zonë rreziku:  për ta mbajtur nën tension Kosovën, për të mbajtur peng edhe zhvillimin ekonomik, pastaj “farsën” që quhet integrim i Kosovës në BE dhe sfida të tjera me të cilat jemi ballafaquar dhe po ballafaqohem nga viti në vit, prej vitit 1999.


 


Protestat kundër barrikadës së “turpit” dhe ironia e Blomejerit


 


Kthesa e papritur që ndodhi ditë më parë me rastin e heqjes gjatë natës së zhavorrit e zallit mbi urën e Ibrit, riktheu për të satën herë çështjen e ndarjes së veriut, të cilën serbët në atë pjesë të Kosovës, por edhe Beogradi e Brukseli e trajtojnë së çështje të kryer, duke u bazuar në Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013, të nënshkruar në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës,  Hashim Thaçi, kryeministri të Serbisë, Daçiq dhe komisares së BE-së Keterin Ashton. Në saje të marrëveshjes për krijimin e të ashtuquajturit “Asociacion i komunave serbe në veri”, çështja e ndarjes edhe “de iure” të qytetit ka mbetur vetëm një simbolikë, të cilën serbët e kanë kuptuar drejtë dhe jo pa qëmtim kanë vendosur ta rregullojnë një park, një si lulishte, për të cilën ambasadori gjerman në Prishtinë, Peter Blomeyer, duke ironizuar përpjekjet e shqiptarëve për ta larguar barrikadën  në mes të qytetit të ndarë të Mitrovicës ka deklaruar se  “më të mira janë lulet e pishat, të cilat i kanë vendosur serbët,  sesa barrikada e shëmtuar me zhavorr”.  Ndonëse kemi disa halorë mbi urë, ato nuk do të fundosin botën. Na duhet zgjidhje për të shfrytëzuar urën, ka thënë në një intervistë për RTK, Blomeyer, i cili  u shpreh kundër protestës së shqiptarëve në veri, duke bërë thirrje për përmbajtje, pasi sipas tij çështja se çfarë do të ndodhë me urën, duhet të sqarohet  në mes të dy palëve dhe do të duhej pritur, se çfarë do të ndodhë.


Nga kjo deklaratë e ambasadorit gjerman lihet për të kuptuar se BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare janë në gjendje të presin edhe 15 vjet të tjera, krejt derisa shqiptarët të harrojnë kufirin, ashtu sikur kanë harruar Plavën e Gucinë, ashtu sikur kanë harruar Toplicën e Prokupjen, ashtu si kanë harruar Kosovën Lindore, Çamërinë, Hotin Grudën, Anamalin dhe Ulqinin. Kjo është arsyeja pse ambasadori Blomejer dhe Brukseli kërkojnë kohë, derisa brezi i ri i shqiptarëve të klonuar me “parimet” morale  dhe “edukative” të BE-së, të heq dorë përfundimisht edhe nga përkatësia kombëtare e lërë më nga fiksionet dhe ëndrrat e së kaluarës për territoret e tyre të dikurshme.


 


Kujt i takon hisja më e madhe e turpit të turpeve


 


Po ashtu, edhe kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi me nën-vartësit e tij, ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi, i cili jep fjalë si Demushi, qe 15 vjet  dhe negociatoren e serbëve, Edita Tahiri e cila lëshoi pe në të gjitha kërkesat e Serbisë,  e të tjerë kanë hisen më të  madhe të turpit, për krejt sa po ndodh mbi Lumin Ibër dhe përgjithësisht në veri.


 


Nëse kemi të bëjmë me një turp, madje me përmasa kombëtare, është pikërisht lejimi i status-quosë në veri qe 15 vjet dhe jo rikthimi i barrikadës, pas disa orësh të zëvendësimit të lëndës fizike,  sepse atë barrikadë nuk hoqi dot as Ibrahim Rugova sa ishte gjallë, (realisht ai as e dinte ku binte veriu, të cilin  nuk e kishte vizituar kurrë), nuk e hoqi as Thaçi sedërqar, me mësymjet e tij të tipit të Bali Katravellës,  as Ramush Haradinaj, me andrallat e tij  për ato 100 ditë e qeverisjes që i kanë mbetur fiksion, për t’i përtypur si çamçakëz  për gjatë të jetës, as kryetari i sertë dhe i butë, shkelësi i Kushtetutës, Fatmir Sejdiu as zonja “Zarife” e zarfit të Kris Dellit, as KROR-i me policinë ndërkombëtare.


Kush pra duhet ta heq barrikadën, nëse vërtetë duhet të hiqet.


Që duhet të hiqet kjo barrikadë e turpit, këtë e dinë të gjithë shqiptarët që rrahin gjoks për patriotizëm, por vetëm disa qindra prej tyre u treguan të gatshëm, ta heqin qoftë edhe me jetët e tyre, por barrikadën e mbron Brukseli, Beogradi dhe Prishtina. Ishin policët e Kosovës, ata që u kacafytën me protestuesit shqiptarë, pavarësisht se shefi i qeverisë e quan të turpshme barrikadën, pavarësisht ultimatumit të kryetarit të komunës, AgimBahtirit, pavarësisht “kërcënimit” të Editës dhe paralajmërimit të gjatë 15-vjeçar të Bajram Rexhepit, i cili rreth  12-vjet më parë kishte provuar të shkonte në veri kur ishte postuar kryeministër, por për të mos e lënë kokën në vendlindje dhe për të mos pranuar të shpallej martir, kishte ikur nga dritarja e ngushtë e një WC-je, në vendin ku kishte rastisur të ndodhte.


  


Barrikada e zhavorrit dhe e zallit tani e zbukurtuar me beton dhe pisha e lule sipëri


 


Barrikada e zhavorrit dhe e zallit tashmë e zëvendësuar me beton dhe pisha e lule sipëri, të paktën nuk e vret shumë syrin e kalimtarit, as të Blomejerit dhe zyrtarëve ndërkombëtarë. Do të mësohen ta shikojnë dhe ta shijojnë si urë me lule edhe Thaçi me të vetët dhe një ditë do të na duket se kufiri i ndarjes së përmotshme të qytetit, ka edhe anën e vetë artistike, simbolike gjithsesi,  andaj nuk është me rëndësi pse mbi urë nuk kalojnë automjetet. Ka rrugë të tjera për kalim, derisa të mësohemi edhe me rrugët e tjera, nëpër të cilat kemi bërë rrugën e gjatë historike  gjatë tërë së kaluarës.


Paralajmërimi i Policisë së Kosovës se do të ndëshkojë organizatorët e protestës, se nuk do të lejojë asnjë shqiptar të kalojë mbi lumin Ibër nëpër barrikadën, e cila tashmë është kthyer në kufi, japin për të kuptuar njëherë e mirë se pavarësisht fjalëve, premtimeve, kërcënimeve dhe retorikave boshe të politikanëve tanë, veriun e ka “hangër” ujku, ashtu si dikur në kohën e “Baba Dovletit” kur e kishte ‘hangër” Ulqinin, Plavën, Gucinë dhe krejt trojet e Shqipërisë me të cilat bënte Pazar baba Sulltani, i cili “nuk kishte çare pa e lëshue Ulqinin, sepse kishte Stambollin muhasere”, ashtu sikur bën sot Sulltanesha e krishterë, apo baronesha beronjë, Ashton, e cila për ta ruajtur nderin dhe të drejtën e Serbisë, të bombarduar “padrejtësisht” nga NATO-ja, ia bën tapi veriun e Kosovës  dhe jo vetëm atë.


 


Ura mbi lumin Ibër, ndarja faktike e veriut të Mitrovicës dhe katër komunave të tjera,   ashtu sikur mbetja nën Serbi të tri komunave të  Kosovës Lindore, janë realiteti ynë, me të cilin mund të ballafaqohet vetëm populli, idealistët e vërtetë, nëse ka të tillë dhe kurrsesi politika, e cila me pazotësinë e saj ka krijuar këtë gjendje pa rrugëdalje. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve në vendin tonë është zhytur në skamje e mjerim, dhe të ndodhur në këtë gjendje të mjerë sociale, qindra mijëra të  papunë, mezi presin të sigurojnë ndonjë vizë dhe të ikin nga vendi për të gjetur ndokund ndonjë punë, meqë mezi ia dalin me dy tre dollarë  të ardhura në ditë për të siguruar “bukën tonë të përditshme”. Ata  vështirë se do të kujtohen ta mbrojnë Mitrovicën, për veç duke u trimëruar në çast nga këngët e Ilir Shaqirit e Shkurte Fejzës, se kurrë nuk ndahet Mitrovica se kurrë nuk e japim Preshevën, ashtu sikur i kemi dhënë gjithnjë trojet tona duke i përcjellë me këngë nostalgjie dhe duke u mësuar ta duam këngën si të tillë, por jo porosinë e saj.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Bislimi

Besnik Bislimi nuk pajtohet me qëndrimin e Serbisë në dialogun për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë

Pas takimit në Bruksel, për çështjen e dinarit, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka shprehur …