Adil Fetahu: Diskriminimi i çamëve daton që nga fillimi i shekullit XVII

Ata që mendojnë se populli i Çamërisë është diskriminuar vetëm prej kohës së këmbimit të popullsisë midis Turqisë e Greqisë (prej vitit 1822), nuk e njohin historinë e atij vendi dhe atij populli të lashtë. Këtë mund ta mësojnë nga romani më i ri historik i shkrimtarit me prejardhje çame, Arben Kondi: “Dionisi i Paramithisë”, botoi Shtëpia Botuese “Ilar”, Tiranë, 2014.

Në vitin 1453 patriku i Stambollit, Genadi, kishte lidhur një marrëveshje me Sulltanin, për marrëdhëniet e Portës me kishën greke.  Me atë marrëveshje, kisha greke fitoi privilegje çfarë nuk i kishte asnjë komunitet tjetër në Perandorinë osmane. Duke shfrytëzuar pozitën dhe privilegjet e fituara, kisha greke gjatë tërë kohës bashkëpunoi me Portën e Lartë, në dëm te shqiptarëve, dhe u përpoq që shqiptarët ortodoks t’i paraqet si grekë, t’i përçajë dhe armiqësojë me shqiptarët muhamedanë.   Në vitin 1601, në Thesali shpërtheu një kryengritje kundër pushtuesit osman, por u shtyp shpejt në mënyrë të përgjakshme, pasi nuk e kishte përkrahjen e Perëndimit. U derdh shumë gjak shqiptari gjatë dhe pas kryengritjes. Udhëheqës të kryengritjes  ishin klerikët ortodoks, dy prej të cilëve (Serafimit dhe Pakoit) iu pre koka. Prerja e kokave ishte një “formulë rutine” mbi të cilën mbahej pushteti osman. Me rastin e kontrollit të kështjellës së Paramithisë, Osman pasha ua preu kokat edhe dy komandantëve të rojës së kështjellës, për shkak se rojën e gjeti fjetur.  Udhëheqësi kryesor i kryengritjes, Dionisi i Paramithisë, kishte shpëtuar, veçse Patrikana e Stambollit ia hoqi titullin e mitropolitit të Larisës, Tërhallës e Thesalisë, të cilin e mbante prej vitit 1592, si kuadër i lartë kishtar, i shkolluar në Venedik ku njohu filozofinë, filologjinë, astronominë dhe mjekësinë, ndërsa në kolegjin e Patrikanës së Stambollit përsosi teologjinë. Në fshatrat e krishtera kishte autoritet të pakontestueshëm dhe populli e quante filozof.  Kryepeshkopi i Peloponezit, Maksimi, dhe Patriku i Stambollit i ankoheshin  Portës, se Dionisi nuk po i lente në paqe me Sulltanin. Kur patriku e pyeti Maksimin e Peloponezit, se a ka Dionisi mbështetjen e popullit, ky iu përgjigj: “Po hirësi, ka në vendin e tij, shqiptarët janë gati për luftë; në Epir ne grekët jemi sa t’i numërosh në gishta, dhe po do të na shkulë me degë e me rrënjë” (fq.66).

Pas shtypjes së kryengritjes së Thesalisë, Dionisi nuk mund të qëndronte më në vendlindje (Paramithi) as në Epir. U betua se do të luftonte për lirinë e popullit të vet, prandaj mori rrugën për në Evropë, që të kërkonte ndihmë në armatim dhe luftëtarë për  një kryengritje të re,  për çlirim nga pushtuesi osman. Me kuaj e mushka të ngarkuara dhe i shoqëruar nga kryemurgu Gjoleka e katër murgji tjerë, po kalonte rrugëve më të vështira, për të mos iu rënë në sy patrullave të ushtarëve turq, por ishin në rrezik edhe nga kaçakët, të cilët “o  merrnin mall e para, o merrnin koka, o linin kokat e tyre”. Afër Dodonës pellazgjike, djepit të qytetërimit, ku gjendeshin rrënjët mijëvjeçare, parahelene, të popullit të tij, bujti te një bari  shqiptar paramithiot, të cilit amfiteatri gjigant i shërbente si stan për bagëtinë të cilën e ruante me pagesë. “Hyni, tha bariu, stani është i juaji”. Ai e njohu mitropolitin.  Dionisi hyri në skenë, po nuk po zbriste prej kalit. E mendonte amfiteatrin të mbushur me spektatorë, stërgjyshërit e tij e të bariut mikpritës… Në këtë tokë qe tharmi i popullit të cilit i përkiste. Me qenë se fshihej nga pushteti osman, duhej të udhëtonte natën, por nuk u durua pa u ndalë te rrënojat e tempullit të Zeusit e të Afërditës dhe te lisi madhështor, nën hijen e të cilit kishte qëndruar shumë herë. Përjetoi emocione.  U nda prej bariut, i cili  e kishte përcjellë deri aty. Karvani u ndal në periferi, ndërsa Dionisi me Gjolekën, pa rënë në sy, arritën te kisha në qendër  të Paramithisë, ku u takuan me parinë e popullit. Atyre u foli për qëllimin e rrugës që kishte marrë, për të kërkuar ndihmën e Evropës për çlirim nga pushteti osman. Luftën do ta bëjmë kundër turkut, dhe jo kundër vëllezërve tanë të islamizuar, i porositi Dionisi.

Derisa Dionisi përmes Korfuzit kishte arritur në Napoli, kryepeshkopi i Peloponezit, greku Maksimi, po i shkruante një letër-raport patrikut të Stambollit, të cilën e titulloi: “Mbi Dionis Skylozofin dhe rreziqet që mund të vijnë prej tij”.  Epiteti “skylozof” iu duk më adekuat se sa ta quante “djalli me brirë”, (skylos, greqisht = qen). E lajmëronte patrikun, se Dionisi po përgatitej të organizonte një kryengritje të re me shqiptarët e tij, të cilët Maksimi i urrente edhe më tepër se turqit, e në vete thoshte: “shqiptarët dhe turqit le t’ia  hanë kokën njeni-tjetrit”. Ozil pasha, i ngarkuari për çështje fetare në Perandori, e thërret në bisedë Patrikun e Stambollit dhe i kërcënohet, se nëse ndodhë një rebelim i ri, si ai i Thesalisë, nuk do të  pritet vetëm koka e Dionisit, por edhe koka e Patrikut. Në ndërkohë, Dionisi bënte çmos të siguronte armë dhe përkrahje nga Perëndimi, veçmas nga Spanja, si forca më e madhe në Evropë asokohe. Përveç armëve, kërkonte edhe 500 kalorës dhe të paktën 5000 këmbësorë spanjollë. Në këtë mision, Dionisin e shoqëronte Jeronim Kombi, një arbëresh që gëzonte autoritet te spanjollët.  Kur e pyetën se kush do ta drejtonte kryengritjen, Jeronimi tha se drejtimin do ta merrte gjenerali shqiptar Gjergj Basta, i cili bashkë me të vëllanë Nikollë Basta patën luftuar në Francë, në Flandri dhe në Austri për Spanjën, dhe që për meritat e luftës mbreti i Spanjës, më 1597, e kishte emëruar komandant të përgjithshëm të kalorsisë spanjolle (fq.77). Në bisedat për ndihmën që kërkonte Dionisi në Këshillin e Shtetit të Spanjës (më 25 gusht 1603), ministrat i bënin pyetje nga më të ndryshmet: a ka pasuri natyrore vendi i tij; çfarë përfitimi do të ketë Spanja; si do të ushqeni gjithë ata ushtarë, etj. Përgjigjet e Dionisit ishin herë të drejtpërdrejta e herë lakonike, duke thënë se Epiri është porta e Perëndimit për depërtim kah Lindja. Derisa Dionisi kërkonte ndihmë për luftë kundër pushtuesit, Maksimi i Peloponezit thurte plane si ta likuidonte, përmes Konstandinit që ia kishte flugur prapa dhe një profesor i drejtësisë në Romë (Dario), i cili i bëri një akuzë në gjyqin e inkuizicionit,  për herezi (kinse ka thënë se pas vdekjes nuk ka ringjallje) dhe një shpifje për pedofili. Por, falë ndihmës së kardinalit të shquar arbëresh, Pjesta, që ishte mik i Jeronim Kombit, Dionisi shpëtoi nga gjykimi dhe u takua me Papën (Klementi i tetë), nga i cili kërkoi përkrahje dhe i tha se dëshiron dhe premton se shqiptarët ortodoks të Epirit e më gjerë do të  bashkoheshin me Kishën katolike e të shkëputën nga kthetrat e kishës greke, e cila ishte në shërbim të pushtuesit dhe kurrë nuk i përkrahi përpjekjet e shqiptarëve për liri, derisa shqiptarët ortodoks i konsideron për grekë (111). Klerikët grekë ishin në ujdi dhe i shërbenin turkut kundër shqiptarëve në çdo mënyrë. Osman pasha, para se të transferohej nga Paramithia për në Vlorë, thirri popullin në një tubim dhe i urdhëroi ta ndërrojnë fenë, duke iu premtuar favore por edhe duke iu kërcënuar, siç thuhej: “me kulaç e me kërbaç”. Për fillim donte vetëm t’ua ndërronte fesat (kapelat e bardha shqiptare t’i zëvendësonte me kapela të zeza turke). Një plak që kundërshtoi, ia morën nipin 7-8 vjeçar për t’ia prerë kokën, ndërsa gjyshi i gjorë u detyrua ta ndërrojë kapelën për ta shpëtuar nipin. Një djalë i ri që nuk pranoi ta ndërrojë kapelën, mbeti pa kokë; iu pre koka në trungun pranë Rrapit të Paramithisë (135). Osman pasha  la porosinë:  “Bëni selam peshekopit tuaj, se edhe koka e tij këtë fat do ta ketë” (136).

Kur u kthye nga Europa, Dionisi u bind se kryengritja ishte e pashmangshme. Manastiri i Shën Mërisë, midis malesh, u bë si shtab dhe qendër e kryengritjes, ku mbaheshin takime e merreshin vendime. Aksionin e parë kryengritësit, të prirë nga Tagani, e kryen në Gliqi, ku vranë  shtatë roje dhe dogjën vendkomandën turke. U alarmua Stambolli. Rikthimi i kryepeshkopit shqiptar po rrezikonte paqen jo vetëm në Epir, por edhe më gjerë. Nuk kaloi as java, kur forca të shumta të garnizoneve të Janinës, Prevezës e Paramithisë iu vërsulën Sulit, por e pësuan keq nga trimat e Taganit. Mirëpo, turqit morën hak mbi popullin e pambrojtur në fshatrat e Frarit. Osman pasha po vine me ushtri nga Vlora për në Janinë. Nëpër Labëri po digjte shtëpi e vriste njerëz. Në Sajadhë populli i tubuar prej Filati e në Konispol, “kaurrë e muhamedanë” bashkë po festonin Ditën e verës, kur Osman pasha hyri në mesin e turmës, maltretoi masën, prishi kremtën, ndërsa natën u preu kokat shumë njerëzve. Në Janinë mblodhi parinë, kryesisht njerëz të vetët e spiunë, ndërsa nga Maksimi i Peloponezit kërkoi që t’iu mbante meshën edhe grekëve edhe shqiptarëve, ta qetësonte popullin e të mos lejonte të rebelohej siç po kërkonte ai “djalli” Dionisi, i cili madje është takuar edhe me Papën e Romës! Në ndërkohë Jeronim Kombi kishe sjellur ca armë në Korfuz,  por kishin rënë në pritë dhe ishin vrarë dy trima të Taganit dhe armët ishin konfiskuar.  Nga fundi i gushtit 1611, Dionisi caktoi një mbledhje në Manastirin e Shën Mërisë, për t’u marrë vesh për fillimin e kryengritjes e për të caktuar vendin dhe kohën, varësisht nga gjendja në terren. Aty u dëgjuan mendime e propozime të ndryshme dhe u morën vesh që kryengritja të fillojë në fshatra, sepse atje kishte përkrahjen më të madhe. Dionisi porositi: “kujdesuni për shqiptarët muhamedanë, ata i kemi vëllezër prej një rrënje, gjuhe e gjaku” (189). Kryengritja filloi duke zbritur nga Konispoli, Sajadha, Filati, Mazreku, Margëlliqi, etj. Qindra fshatarë lanë punët e tyre në fushë dhe iu bashkuan kryengritjes, me ato armë e mjete që kishin. Në çlirimin e Paramithisë nuk pati ndonjë rezistencë turke. Kryengritësit u nisën për ta marrë Janinën, veçse elementët grekë, që ishin futur në radhët e kryengritësve, vranë e prenë barbarisht shqiptarë të pafajshëm myslimanë në  fshatrat Zaravusë dhe Turkogranicë. Dionisi u hidhërua në krerët e kryengritjes, se e prenë në besë, por shpejt u bind se atë masakër e kishin bërë disa grekë, të prirë nga avokati grekë Samaras, sipas planit që kishin bërë Osman pasha dhe Maksimi. Maksimi i Peloponezit dhe Konstandini u morën vesh për plane të reja, sipas të cilave elementi grek duhet të forcohej në Janinë, sepse një ditë Janina dhe gjithë Epiri duhet t’iu përkas vetëm grekëve dhe duhet të frymojë vetëm greqisht. Ata grekët e përzier në kryengritje,  pastaj u bashkuan me ushtarët turq. Masakra e kryer në dy fshatrat myslimane, shkaktoi indinjatë dhe përçarje në mesin e shqiptarëve ortodoks e mysliman, gjë që ishte qëllimi i kishës greke. U alarmua edhe Stambolli. Dymijë kryengritës ishin nisur për Janinë. Rrugës për në Janinë, kryengritësve iu bashkuan shtatëdhjetë fshatra shqiptare. Osman pashën dhe bashkëpunëtorët e tij i kapi paniku. Nga bedenat e kalasë hodhën gjyle topi, heshta, shtiza, gurë e trungje, vranë dhjetëra kryengritës, por turma e madhe e kryengritësve i shkeli jeniçerët dhe mori hakun për shokët e vrarë. Dionisi i porositi udhëheqësit e kryengritjes, Taganin e Gjolekën, se pas Janinës do ta sulmojmë Prevezën, Artën…, do ta çlirojnë gjithë Epirin, madje të gjitha trojet shqiptare deri në Tivar, por që asnjë shqiptari qoftë i krishterë a mysliman nuk duhet t’i mungojë fija e flokut. Tagani e Gjoleka, me një grup të zgjedhur luftëtarësh vrapuan drejt sarajeve të Osman pashës, por ai kishte ikur natën. Këta ia vunë zjarrin sarajeve. Janina u çlirua. Por, Osman pasha natën befas hyri në qytet me taborin e Prevezës dhe bëri kërdi mbi shqiptarët. Me hafijet e veta e gjetën Dionisin dhe e shpënë tek kisha e Shën Gjonit, ia prenë kokën, ia ropën lëkurën të cilën e mbushën me kashtë, e shëtitën nëpër qytete, për ta frikësuar popullin, e pastaj  ia dërguan  dhuratë Sulltanit në Stamboll. Popullit të Epirit ia hoqën të gjitha privilegjet që i kishin pasur sipas marrëveshjes.

* * *

Ndonëse disa autorë në shkrime tjera e paraqesin Dionisin si klerik grek dhe kriminel që ka bërë masakra mbi popullsinë myslimane të Çamërisë, unë këtu i bëra një vështrim  literar romanit të Arben Kondit, pa u lëshuar në vërtetësinë e përkatësisë etnike të Dionisit, dhe duke u nisur nga thënia se “prej të njëjtës lule, bleta nxjerr mjaltë, ndërsa gjarpri nxjerr helm”!

Arben Kondi është një shkrimtar i afirmuar në letrat shqipe, po ka edhe vepra të përkthyera në gjuhën angleze. Disa prej veprave të tij janë ribotuar disa herë. Ka dëshmuar prirje e talent në gjini të ndryshme letrare: prozë, poezi, tregime, ese, romane. Punën më të madhe dhe afirmimin më të madh e ka arritur me romanet. Ai ka zgjedhur një rrugë të posaçme dhe të vështirë të krijimtarisë, atë të romaneve historike, për Çamërinë e për Kosovën, të kohës së re, por edhe ca më të hershme. Është një histori në mos e panjohur, të paktën jo mjaft e trajtuar jo vetëm nga shkrimtarët, por edhe nga vetë historianët.

Romani “Dionisi i Paramithisë”, është një roman historik, përmes të cilit Kondi  “e merr lexuesin përdore” dhe e shpie në historinë e Çamërisë që prej fillimit të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Të gjitha veprat e Kondit kanë karakter të theksuar kombëtar, sikur që vet Arben Kondi është shpirti i shqiptarit, sa çam po aq edhe kosovar. Është fat i mirë që Kondi me moshën dhe me përvojën që ka, garanton edhe shumë punë e  vepra tjera me vlerë.  Ai të paktën, për çdo vjet na paraqitet me nga një vepër të re. Në Panairin e librit që u mbajt sivjet në Prishtinë, kolonës së veprave tjera ia bashkëngjiti romanin më të ri, të sapobotuar “Dionisi i Paramithisë”, kushtuar historisë së Çamërisë dhe Epirit, dhe kryengritjeve të popullit të asaj krahine shqiptare kundër pushtuesit otoman,  në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë (vitet 1600-1611). Përmes këtij romani, Kondi gërmon thellë në shpirtin e njeriut: atij të mirit e atij të keqit; atyre që gjakonin për linë e popullit, dhe atyre që shtypnin lirinë. Edhe në këtë roman, si dhe në romanet e tjera të Kondit, përmes ngjarjeve e personazheve të ndryshme, ndeshen e mira dhe e keqja, drejtësia e padrejtësia, dinakëria e trimëria. Në romanin “Dionisi i Paramithisë, “defilojnë një galeri personazhe të përkatësive, orientimeve dhe karaktereve të ndryshme.  Përveç kryepersonazhit (Dionisit), pozitive janë: kryemurgu Gjoleka,   bariu shqiptar i stanit në Dodonë, komisari i policisë së fshehtë të Napolit, shqiptari poliglot Jeronim Kombi, arbëreshi Don Francesko de Kastro, kardinali  i shquar arbëresh Pjesta, kaçaku trim  suljoti Tagani, Llambro dhe Jorgo, që ishin me shërbim në pushtetin turk por që fshehtas e informonin dhe përkrahnin Dionisin.  Personazhe negative të romanit janë: sanxhakbeu i Paramithisë, shqiptari i turqizuar dhe shok i fëmijërisë së Dionisit – Osman Pasha, kryepeshkopi i Peloponezit Maksimi, adjutanti i tij Konstandini që e përcillte këmbaskëmbes Dionisin, profesori i drejtësisë në Romë – Dario i cili akuzoi Dionisin për herezi e pedofili, avokati grek Samaras, i cili bëri kërdi mbi shqiptarët myslimanë në dy fshatra.

Përmbajtja, vlera artistike, gjuha, stili rrëfimor, metafora, dialogu, risitë kuptimore figurative, reflekset dhe ndjenjat patriotike, mendimet e përmbledhura me fjali të shkurtëra e të qarta, janë ato që lexuesin e mbajnë “të lidhur” për romanin e Kondit. Në romanin “Dionisi i Paramithisë”, në kontekst të fjalisë pararendëse,  lexuesi mund të gjejë “fjali” të përbëra vetëm prej një emri, një folje, apo një ndajfolje, si për shembull: Duhej (fq.24); Përkundrazi (29); Jo (39; Arritëm (46); Flinin (46); Priste (60); Përkundrazi (65); Rrezëllinte (65); E dinte (87); Takie (108): Heshti (110); Thjeshtë (111); Jo (126); Dakort? (163). Kondi ka një sens të posaçëm të përdorimit të figurave në fjali, të cilin e përdorë edhe në këtë roman, si ato: “Shenjëtërve nëpër mure ju bënë vetullat një” (fq.16); “Portretet e të shenjtëve nëpër mure u bënë seriozë” (31); “Madje vetë mimika e shenjëtorëve pësoi tërheqje” (31); “Në horizont Vezufi tymoste rëndë, si një babagjysh mjekërbardhë” (55);  “Me zërin e hollë e të mprehtë porsi teh jatagani” (147); “Tymoste pa prerë; mirë që nuk i mori zjarr çibuku prej ahu” (162); “Patën futur pyka të thella mes shqiptarëve” (196), etj.

Me romanet historike, të trajtuara në mënyrë letrare-artistike e përshkruar në mënyrë të hollësishme,  Arben Kondi si shkrimtar i arrirë në lartësitë e krijimmtarisë, ka dëshmuar se është edhe njohës i mirë i ngjarjeve dhe i vendeve ku janë zhvilluar ato. Por, veprat e Kondit sa janë artistike e të vërteta historike, aq më tepër janë patriotike për kauzën çame e gjithëshqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …