Agjencia e Statistikave

ASK: Çmimet e banesave vazhdojnë të rriten, jashtë Prishtinës shënohet rritje mbi 12 për qind

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit për tremujorin e parë të vitit 2026, duke konfirmuar vazhdimin e trendit të rritjes së çmimeve të banesave dhe pronave të banimit në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, çmimet e pronave të banimit në nivel vendi janë rritur për 5.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025, është regjistruar një rritje prej 2.4 për qind. Të dhënat tregojnë se rritja e çmimeve ka qenë dukshëm më e lartë jashtë rajonit të Prishtinës. Në kryeqytet dhe zonat përreth, çmimet e pronave të banimit janë rritur me 1.4 për qind në baza vjetore. Në anën tjetër, rajonet e tjera të Kosovës kanë shënuar rritje shumë më të lartë, me çmimet e banesave që janë ngritur për 12.3 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025. Sipas ASK-së, këto të dhëna pasqyrojnë vazhdimin e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme, ndërsa ritmi më i lartë i rritjes në qytetet jashtë Prishtinës sugjeron zgjerimin e investimeve dhe interesimit për banim edhe në rajonet tjera të vendit. Institucioni statistikor ka bërë të ditur gjithashtu se të dhënat për tremujorin e katërt të vitit 2025 janë rishikuar pas përditësimit të bazës administrative të të dhënave, duke sqaruar se vlerat e reja zëvendësojnë ato të publikuara më herët.

Kontrolloni gjithashtu

Joe Wilson: Deklarata e ministres serbe është e neveritshme, Beogradi s’duhet të organizojë sesionin e OSBE-së në 2027

Kongresisti republikan amerikan Joe Wilson ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, …