Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar që të paraqitet përballë Prokurorisë Speciale kur ishte ftuar si dëshmitar lidhur me hetimet mbi rezervat shtetërore, duke preferuar që prokurorët ta intervistonin në zyrën e tij. Sot ai u shfaq në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në seancën ndaj njërit prej drejtuesve të OVL-UÇK-së, Faton Klinakut, i cili po akuzohet se e ka kërcënuar përmes rrjeteve sociale. Kjo sjellje e Kurtit ngre pikëpyetje mbi standardet e tij: pse ai gjen kohë të ulet në sallën e gjyqit si palë e dëmtuar, por shmanget nga thirrjet zyrtare të Prokurorisë? Më 2024, Prokuroria Speciale i kishte dërguar dy ftesa për intervistim, por kryeministri nuk pranoi t’u përgjigjej. Nga kryeministria atëkohë u deklarua se Kurti ishte i gatshëm të dëshmonte vetëm në zyrën e tij, ndërsa vetë ai madje vuri në “sprovë” institucionin e drejtësisë: “Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë,” kishte deklaruar publikisht. Ky qëndrim jo vetëm që cenon autoritetin e Prokurorisë, por shfaq edhe një standard të dyfishtë: kryeministri vendos vetë se ku do të dëshmojë dhe si do të trajtohet nga organet e drejtësisë, ndërsa qytetarët e zakonshëm nuk kanë një privilegj të tillë. Në këtë mënyrë, Albin Kurti po dërgon një mesazh të rrezikshëm – se ligji nuk është i barabartë për të gjithë, dhe se zyrtarët më të lartë mund të diktojnë vetë rregullat e llogaridhënies.
