Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po zhvillon përpjekje për të siguruar mbështetjen e komuniteteve joshumicë joserbe në mënyrë që të formojë Qeverinë e re të Kosovës. Deputeti i Partisë Rome të Bashkuar, Albert Kinolli, ka konfirmuar se pas kthimit të Kurtit nga Londra do të zhvillohet një takim zyrtar për koalicionin qeverisës.
“Sapo të kthehet z. Kurti, do të takohemi për formimin e Qeverisë. Unë do ta përfaqësoj komunitetin Rom në atë takim”, tha Kinolli. Ai sqaroi se asnjë subjekt politik nuk do të përfshihet pa kushte formale, por komunitetet janë të gatshme të japin kontribut për krijimin e institucioneve të reja. Sipas tij, pritet një “marrëveshje gjentelmene” që komunitetet të marrin pjesën e tyre të përfaqësimit, ashtu si deputetët e tjerë të Kuvendit. Edhe deputeti i komunitetit ashkali, Artan Asllani, ka njoftuar se do të takohet me Kurtin.
Ai u shpreh se Partia e Ashkalive për Integrim dëshiron të jetë pjesë e koalicionit me LVV-në, duke kërkuar që komuniteti ashkali të përfshihet në planifikimet buxhetore dhe të ketë fonde të dedikuara. Asllani theksoi se nuk do ta kushtëzojnë formimin e Qeverisë me pozita, por kërkojnë garanci për përfshirje të barabartë në zhvillimin ekonomik e social.
