Në protestën mbarëkombëtare që po zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, foli edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Në fjalën e tij, Moisiu theksoi se kjo tubim është një thirrje kundër padrejtësisë që po u bëhet luftëtarëve të UÇK-së, të cilët dhanë gjithçka për lirinë e kombit.
“Jemi mbledhur sot për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftuan për lirinë e atdheut. Këta burra nuk meritojnë të gjykohen si kriminelë, por të nderohen si çlirimtarë,” – tha ish-presidenti Moisiu.
Ai kujtoi vizitën e tij në Hagë në vitin 2022, ku kishte takuar ish-krerët e UÇK-së, dhe u shpreh i impresionuar nga vendosmëria e tyre.
“Kur ishim në Hagë, në vitin 2022, për t’i takuar çlirimtarët tanë, në bisedat me ta kuptova dhe pashë se qëndronin të gatshëm për çdo sakrificë, për ta mbrojtur të vërtetën e luftës dhe për të pastruar padrejtësisht njollën që po u vihet,” – u shpreh Moisiu.
Deklarata e ish-presidentit u prit me duartrokitje dhe emocion nga turma, duke i dhënë protestës një ton të fortë uniteti dhe dinjiteti kombëtar.