Ali Ahmeti: Me Mickosskin u dakorduam për zgjedhje të parakohshme, por ai ndryshoi qëndrim

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se rreth një vit më parë kishte arritur një marrëveshje politike me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare paralelisht me zgjedhjet lokale.  Sipas Ahmetit, në takimin mes dy liderëve ishte rënë dakord që, për shkak të situatës politike dhe nevojës për një legjitimitet të ri institucional, qytetarëve t’u jepej mundësia të votojnë njëkohësisht si për pushtetin lokal ashtu edhe për atë qendror. Ai theksoi se një zgjidhje e tillë do të kursente kohë, mjete financiare dhe do të shmangte tensionet politike që zakonisht shoqërojnë procese të ndara zgjedhore. “Ne u dakorduam qartë që zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare të mbaheshin në të njëjtën kohë, por më pas Mickoski e ndryshoi qëndrimin e tij pa asnjë arsyetim të qartë politik,” deklaroi Ahmeti, duke shtuar se kjo kthesë e papritur ka minuar besimin mes palëve dhe ka krijuar paqartësi për stabilitetin politik në vend. Ai akuzoi kryeministrin se po shmang përgjegjësinë politike dhe po e mban vendin në një gjendje të zgjatur pasigurie, duke mos respektuar marrëveshjet e arritura në tavolinë. Sipas Ahmetit, një qasje e tillë dëmton dialogun politik dhe pengon reformat e nevojshme, veçanërisht në proceset eurointegruese. Deri tani, nga kabineti i kryeministrit Mickoski nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me këto deklarata.

Kontrolloni gjithashtu

Çitaku, Haxhiut: As s’do të heshtim, as s’do të dorëzohemi

PDK mbështet protestën më 17 shkurt: Drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, jo politikë

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me protestën …