ALI H. TAHIRI: Shpirti i Atdheut në Vargje

LIRINË E PREKA, BACË

Sa i gëzuar jam që lirinë e preka,
Tani, sa shumë do të më zgjatet jeta.
Mirë ardhshi, o shekuj të bardhë,
Liri, dymijë vjet të kemi pritë me ardhë.

Pas gjithë atyre betejave, deri më sot,
Armiqtë kishin mbjellë mjerim e lot,
Shumë zemra ishin lënduar, o Zot.

Është koha që të jetojmë në harmoni,
Atdheut, mbi të gjitha, t’i japim dashni.
Mos t’i harrojmë vuajtjet e të parëve tanë,
Se historia e re e Kosovës mund të na mallkojë.

Ta dëgjojmë zërin dhe dhembjen e Lirisë – ajo e bekuar, kur flet…
Sot, o kurrë, kërkon të jemi të bashkuar, si rëra në buzëdet.

Ali Halim Tahiri – Skifteraj, Viti – 2023


USHTAR KAVAJA

Pasha hirin e jetës tënde,
Tani, Indrit, je hero.
Shëtitu si skifter mali,
Në Kosovë e Shqipëri kudo.

Sa të kem identitet,
Gjuhë e flamur,
Qielli gjithë shqiptarë
S’të lenë me vdekë kurrë.

Sa bukur të shndrit
Shtatorja në Kavajë.
Tani na jep zemër,
Për bashkim kombëtar.


ARBËRESH

Pluhuri i harresës nuk ju mbuloi kurrë,
As në gjuhë, as në komb, as në flamur.
Ju jeni krenaria e popullit shqiptar,
Ani pse nëpër botë, të shpërndarë.

Gjaku i shprishur ju mban në hartën e globit të gjallë,
Arbëresh, kudo që jetoni, keni histori të bardhë.
Edhe pse nga trungu të ndarë, jeni shpirti i kombit tonë,
Këngën “Moj e Bukura More” shekujt e çmojnë.

Ajo do të rrojë sa toka, UNESCO do ta mbrojë.
Eksodin e dhimbjes kjo këngë e kujton.
Gjashtëqind vite, t’bijtë e Arbërit mbijetojnë e këndojnë,
Ju, pasardhësit e Gjergjit, Bubulinës e Garibaldit tonë.

Krenar me ju, trekëndëshi i gjeografisë shqiptare,
Kurrë për ju nuk pushon zjarri i dashurisë së madhe.
Rrënjët tuaja i ruan Perëndia: Peloponezi, Dalmacia, Kalabria,
Sicilia dhe Argjentina.

Në kopertinë të lashtësisë ju pastë në zemër e juaja nënë – Shqipëria.

Ali Halim Tahiri – Skifteraj, Viti – 2024


AROMË LIRIE

Këtu te ju,
Dhimbja çau gurë.
Shpirti i kombit
S’ju lë me vdekë kurrë.

Gjaku e loti
E kishin shkrirë borën.
Nëpër varre,
Gjithandej Kosovës,
Lirisë ia ndiejmë aromën.

Ali Halim Tahiri – Skifteraj, Viti – 2025


EMRI QË JETON

Erdhe nga Lugina e Krojmirit, si uragan para agimit.
Në rini për liri, u ndeze si qiriri i Naimit.
Nëpër burgje stoikisht rezistove.
Si feniks u dogje, u ringjalle, kurrë nuk u dorëzove.

Tek Guri i Betimit, pranë flamurit u betove.
Laps e pushkë për liri i bashkove.
Ti, pishtar që nuk shuhesh kurrë.
Lirisë së Kosovës i mbete tribun.

Bacë prof. Ahmet Qeriqi, je palca e kombit.
Ju bashkove heronjve të mëdhenj, në muajin e marsit.
Emri yt në çdo gur është gdhend.
Historia e Re e Kosovës, në pergamenë të përmend.

Dheut të Kosovës ia dhurove shpirtin e bardhë.
Zemrën e kristaltë, Ti, i miri Shqiptar.
Tani, bacë, lirinë e Kosovës arrite me prekë, knaqu e pusho i qetë.
Vula e kombit s’të la me vdekë, pavdekësinë ta vulosi në dy jetë.

Ali Halim Tahiri – Skifteraj, Viti – 17.03.2025


AMULLI

Botës së përkohshme po i humb hiri.
Qenia më e përsosur – njeriu – sot nuk është më i miri.
Po jetojmë në ditët e mundimshme e të vështira.
Ka humbur respekti, dashuria e mëshira.

Dëshira e mundësia janë hidhëruar, me murë në mes veti.
Edhe te fëmijët ka hyrë në gjak interesi.
Në shpirt ka shtrirë rrënjë lakmia e padrejtësia.
Në mendje – pasuria, në zemër – zilia e varfëria.

Sot shumë njerëz ju gjasojnë kameleonëve.
Edhe delet kanë frikë të hyjnë në stane të tradhtarëve.
Kjo jetë po kalon nëpër shqetësime, në mëshirë të fatit.
Toka po dergjet prej padrejtësive e mëkatit.
Vaj halli për ne, vaj halli për ta.


ZHGËNJIM

Gjaku po rrjedh në maje të thikës.
E Papës i doli tymi i bardhë, nga oxhaku i kishës.
As për Papën s’ka ditë të mira si më parë.
Kjo botë më dysh është ndarë.

Dashuria po mungon, në Qabe dhe në Vatikan.
Sot po sundojnë diktatorë e huliganë.
Paqësorët po vëzhgojnë, vetëm me nga një sy.
Më duket se edhe ata na kanë zhgënjyer.

Në shumë anë të botës, jeta është bërë tmerr.
Çdo ditë gjak po derdhet, e jetëra po merr.
Dy palët u kanë hipur pelave hergjele turke.
Duan ta bëjnë botën – lesh furke.

Ali Halim Tahiri – Skifteraj, Viti – Maj 2025


PO VJEN ENGJËLLI

Kjo verë po vjen me këmbë të mbarë.
Një engjëll, dalëngadalë, është nisë me ardhë.
Nga mitra e qiellit ai shumë shpejt do të zbresë.
Eu, sa me gëzim zemra ime po e pret.

U rritsh e u bëfsh hise e madhe, në Karadakun plak.
Dua që me fëmijë të kënaqet, çdo votër e oxhak.
O Zot, dëgjoje zërin tim, begatoja prehërin njerëzimit me fëmijë.
Ti je ai që fal, mëshiron e dhuron dashuri gjithnjë.

Të lutem ty, o Perëndi, në këtë gjithësi.
Se vetëm te Ti gjej mëshirë, besim e drejtësi.

Ali Halim Tahiri – Skifteraj, Viti – Prill 2025


SOT PËR NESËR

Sot për nesër po jetojmë.
Qira çdo ditë duhet të paguajmë.
Kjo botë është me kontratë.
Supremi na dhuroi jetë me afat.

Pra, njihe të Njohurin e Gjithësisë.
Pajtohu me Kushtetutën e Perëndisë.
Kjo botë na përcjell me një sy të verbër.
Duhet të përballemi me të mirën e të keqen.

Mos t’i shtrojmë rrugë mërzisë.
T’jemi të fortë para stuhisë.
Krenarinë ta mbajmë në ballë.
T’i ruajmë kujtimet sa ishte i ~ e gjallë.

Ali Halim Tahiri – Skifteraj, Viti – Mars 2025


ANDËRRA E JETËS

Pi ilaqin e ëmbël si sheqeri,
Që çdo ftohje ma hiqte si me dorë.
Nëpër ullinj e në mjedis ançari,
I pashë nimfat, kur lanin gjokset vashëror.

Unë aty isha vetëm spektator.
Në atë kohë e ëndërroja pallatin mbretëror.
Erdha nga katuni, në shkollë të mesme si i gjorë,
I ngrirë nga acari dimëror, me qizme të mbushura me plot dëborë.

Ali Tahiri – Zëri i Rinisë, Prishtinë – 1978

Kontrolloni gjithashtu

Katundi arbëresh Çifti në zemër të Kalabrisë mirëpriti me ngrohtësi nxënësit, mësuesit, prindërit e shkollës shqipe nga Zvicra

Katundi arbëresh Çifti (Civita) në zemër të Kalabrisë mirëpriti me ngrohtësi dhe krenari nxënësit, mësuesit …