Humanizmi shpreh thellë besimin dhe mundësitë e arsyes, të cilat lënë përshtypje të fuqishme. Njëkohësisht, ajo që thuhet për njërin, mund të thuhet edhe për tjetrin: të dy ofrojnë një pamje njerëzore, ku të kuptuarit, arsyeja dhe morali janë themelore dhe ndihmojnë për të triumfuar mbi pesimizmin.
Po ashtu, ata zgjojnë ndjenjën e realizmit, ndonëse shpesh janë kritikuar se bien në utopi. Kjo vlen për ata që krijojnë idenë e një forme të veçantë të jetës politike, e cila në shumicën e rasteve realizohet vetëm në situata të caktuara dhe në periudha të shkurtra, ku institucionet politike duhet të përshtaten për shkak të një sërë kushteve më të thjeshta.
Por cilat janë këto kushte? A ekziston një bazë reale për një egoizëm racional, siç e kemi parë herë pas here në Kosovë dhe në politikën e lidershipit të lartë? Ndokush mendon se institucionet shoqërore mund të formohen përmes mekanizmave “korrekt–shtytës”, në mënyrë që egoizmi i përgjithshëm racional të prodhojë një shoqëri të kënaqshme, të pakorruptuar dhe ndoshta edhe më të mirë. Për një pikëpamje të tillë kemi dy vërejtje. Së pari, ideja e një egoizmi racional universal, në aspektin logjik, nuk përputhet me idenë e një shoqërie të kënaqshme, e cila mbështetet në mekanizma korrektues–stimulues. Kjo qasje mbetet utopike.
Njerëzimi, në shekullin XXI, përballet me probleme të mëdha që kërkojnë zgjidhje institucionale ose mbi-institucionale: probleme të sigurisë, probleme shoqërore dhe çështje që lidhen me klimën dhe mjedisin ku vepron. Problemi i një politike të arsyeshme dhe morale tashmë shtrihet si në nivel rajonal ashtu edhe global. Sfida të mëdha kërkojnë mënyra të reja të të menduarit.
Detyrë e rëndësishme është krijimi i suazave institucionale, të cilat mundësojnë që diskutimi dhe bisedimet të jenë efektive dhe morale. Nuk duhet lejuar që ata që dëshirojnë të debatojnë dhe të bisedojnë për objektiva të arsyeshme dhe morale, në mënyrë të paanshme e të ndershme, të mos kenë njohuritë e duhura ose të bien në mëdyshje të dëmshme për shtetin.
Përmes një pune objektive dhe strategjike, duhet të rregullohen proceset e komunikimit dhe të vendimmarrjes, aty ku shfrytëzohet potenciali për krijime të reja dhe ku arrihet rezultati i objektivave të argumentuara mirë dhe me moral, në mënyrë që Kosova të ketë dritë — e jo të jetojë nën dritë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
