Deputeti Altin Krasniqi ka reaguar në lidhje me situatën e vazhdueshme të bllokadës institucionale në Kosovë, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për sjellje të papërgjegjshme dhe mungesë vullneti për zgjidhje. Krasniqi ka theksuar se “në asnjë vend demokratik deputetët nuk votojnë me imponim”, duke shtuar se praktika të tilla ndodhin vetëm në regjime autoritare. Ai thekson se nëse VV ka nevojë për vota të tjera për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit, ato duhen siguruar përmes marrëveshjeve politike, jo përmes presionit. “Nëse VV pretendon se i ka numrat për formimin e Qeverisë, atëherë pse po e mban peng vendin? Kjo është një papërgjegjësi me pasoja të rënda për shtetin,” u shpreh Krasniqi. Ai shton se që prej përfundimit të zgjedhjeve, partia fituese nuk ka ndërmarrë asnjë hap serioz për të tejkaluar ngërçin institucional, duke theksuar se për interesa të ngushta partiake po vonohen institucionet kushtetuese dhe po thellohet kriza. Krasniqi e mbyll reagimin duke e cilësuar si detyrë qytetare dhe politike që qytetarët dhe përfaqësuesit e tjerë të kërkojnë llogari nga Vetëvendosja për këtë situatë.
