Ambasadori gjerman: Politikanët e Kosovës janë përgjegjës për zgjidhjen e ngërçit, jo Gjykata Kushtetuese

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka dhënë një mesazh të prerë ndaj klasës politike kosovare, duke theksuar se përgjegjësia për zgjidhjen e ngërçit institucional i takon plotësisht politikanëve dhe jo Gjykatës Kushtetuese. Rohde shprehu shqetësimin për bllokimin e zgjatur të proceseve politike në vend, duke paralajmëruar se kjo situatë po e dëmton seriozisht reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. “Nuk jam në pozitë për të vlerësuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por ajo ka qenë shumë e qartë – zgjidhja i takon politikanëve. Më duket se po pritet që gjykata të luajë rolin e arbitrit kryesor, por ajo nuk mund ta bëjë punën e politikanëve”, u shpreh ambasadori. Rohde paralajmëroi se nëse kjo situatë vazhdon, Kosova rrezikon të humbasë rëndësinë e saj në arenën ndërkombëtare. “Nëse nuk ndodh asgjë, Kosova po e humb anijen. Relevanca e saj do të zbehet. Pa një qeveri funksionale dhe vendimmarrëse, nuk mund të mbeteni një aktor i rëndësishëm”, tha ai. Rohde iu bashkua thirrjeve të tjera ndërkombëtare për kompromis, duke përmendur edhe kolegun e tij francez, i cili kohët e fundit kishte bërë një apel të ngjashëm për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Specialja lehtëson masat për një vizitor të HashimThaçit, kufizimet mbeten për 10 të tjerë

Në gjykatën speciale në Hagë, është marrë vendim që vetëm njërit prej 11 personave t’i …