Ambasadorja gjermane viziton Luginën e Preshevës: Diskutim për të drejtat e shqiptarëve

Ambasadorja e Gjermanisë në Beograd, Anke Konrad, zhvilloi sot një vizitë në Luginën e Preshevës për t’u njohur nga afër me zhvillimet dhe të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon. Ajo u prit nga përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc. Sipas kryetarit të Këshillit, Enkel Rexhepi, gjatë takimit u diskutua për sfidat aktuale të komunitetit shqiptar, përfshirë mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, mosnjohjen e diplomave nga Kosova, si edhe çështje që lidhen me përfaqësimin institucional dhe të drejtat qytetare. Palët adresuan gjithashtu procesin e pasivizimit të adresave, si dhe shqetësimet për ndarjen e pabarabartë të fondeve për kulturë dhe media në gjuhën shqipe. Në takim u theksua rëndësia e zbatimit të Planit me 7 Pikë, i konsideruar dokument bazë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë. Këshilli Kombëtar Shqiptar vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa potencoi nevojën për zbatim të marrëveshjeve dhe shmangie të praktikave diskriminuese. Në përmbyllje, përfaqësuesit e Këshillit shprehën angazhimin për të vazhduar rolin e tyre si zë institucional i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe për forcimin e bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Specialja lehtëson masat për një vizitor të HashimThaçit, kufizimet mbeten për 10 të tjerë

Në gjykatën speciale në Hagë, është marrë vendim që vetëm njërit prej 11 personave t’i …