Anila Basha: Enver Hoxha e çmonte shumë krijimtarinë artistike të Ismali Kadaresë

Ismail Kadare e Enver Hoxha…Bashkëjetesa e një shkrimtari me diktatorin, në kohën e diktaturës së proletariatit. Të gjithë kanë lexuar shumë këto vitet e fundit të demokracisë mbi marrëdhëniet e të dyve, por deri më tani, e vërteta ende nuk është zbardhur akoma. Duke qenë se bëhet fjalë për shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare, i cili gjatë gjithë këtyre viteve ka përfaqësuar denjësisht kombin tonë edhe në arenën ndërkombëtare për të rregulluar sadopak imazhin e shqiptarëve, çështja ngjall gjithmonë kuriozitet. >>>


 


Pak më parë në faqet e Gazeta Shqiptare botuam një përmbledhje të librit “Ismail Kadare, shkrimtari dhe diktatura, 1957-1990” me autor Peter Morgan, një libër posaçërisht dedikuar për shkrimtarin nga studiuesi i huaj, i cili vëren se shkrimtari i madh e ka pasur shumë të vështirë jetesën në Shqipëri. Madje, mes rreshtave të romaneve, duket qartë edhe përçmimi ndaj regjimit. Po kjo është e vërtetë për disa vepra të Kadaresë. Por cili ka qenë raporti i shkrimtarit me diktatorin?


Familja Hoxha, na vë në dispozicion pjesë të “Ditarit vetjak të Enver Hoxhës”, i shkruar nga ky i fundit për çdo ditë të jetës së vet me aktivitetet që kryente përditë. E në këto shënime që na janë servirur për ditën e sotme, duket qartë se marrëdhnëniet nuk kanë qenë ato të një shkrimtari të persekutuar në frikën e një diktatori, por marrëdhnie miqësore, madje bashkëpunuese.


Sipas ditarit vetjak të Enver Hoxhës, në 24 mars të vitit 1971, pra 39 vjet më parë, Kadare, Elena dhe vajza e tyre kanë qenë mysafirët specialë në shtëpinë e Enver Hoxhës. Vizita sipas kujtimeve të Enverit është zhvilluar pasdreke, dhe sipas kujtimeve të Enverit, vajza e tyre ishte një çupë “shumë e zgjuar dhe simpatike”.


Takimi, i cili është shoqëruar edhe me foto që do ta përcjellim në këtë numër gazete, ka kaluar në biseda mes dy çifteve mbi letërsinë shqiptare dhe të huaj, artet dhe politikën. Por, është përqëndruar edhe mbi romanin e ardhshëm të Kadaresë. Dhe për këtë Enveri, i ka dhënë Ismailit shumë informacione dhe episode për ngjarjet me Hrushovin. Ndërkohë sipas kujtimeve të Enverit, ky i fundit i ka dhuruar një libër të tijin me dedikim, ndërkohë që Nexhmija, nga ana e saj, i ka dhuruar një kolazh të veprave të Balzakut në frëngjisht.


Sigurisht për këtë takim ka folur edhe vetë shkrimtari i madh. Por kësaj radhe, vijnë këto pak radhë të ditarit të Enver Hoxhës që daton në 24 mars 1971.


Vlerësimi


Sipas kësaj që duket nga ditari vetjak i Enver Hoxhës, i vënë në dispozicion të GSH nga familja, duket qartë që Enveri ka vlerësuar më së shumti, përveç romaneve, veprën studimore të Kadaresë, duke u ndalur gjerësisht tek “Eposi i Kreshnikëve”. Enveri vëren në kujtimet që i ka hedhur në 13 shkurt të vitit 1979 se ky studim është ndër më të mirët që kishte lexuar, duke hedhur poshtë edhe vepra studimore të autorëve të tjerë. Enver Hoxha bën me dije, se shumë gjëra për Eposin e Kreshnikëve nuk i ka pas ditur as ai, dhe këto i ka mësuar nga studimi i Kadaresë. Duke ngritur lart figurën e shkrimtarit, Enver Hoxha, na sjell në rrëfimin e tij, në këto faqe ditari të papublikuara më parë, se vepra e Ismailit duhet të përkthehet edhe në gjuhë të huaja, në serbisht, greqisht, italisht, gjermanisht, e më së shumti në turqisht. E si të jetë një kritik i letërsisë e shkencës, Enver Hoxha, ka analizuar në ditarin e tij çdo rresht të Eposit të Kreshnikëve të Kadaresë.


Por Hoxha nuk mbetet vetëm te Kadareja. Në këtë fletë ditari të tij, ai shikon edhe Dhimitër Shuteriqin dhe Baki Kongolin, të atin e shkrimtarit tjetër të madh të kohëve të sotme Fatos Kongoli.


Për Shuteriqin Hoxha thotë se është një shkrimtar dhe studiues shumë i mirë, madje dhe një koleksionues shumë i mirë. Por mendon se duhet të përkrahet në punën e vet studimore.


Ndërsa për Baki Kongolin pranon se “shokët e partisë”, i kishin thënë se kompozitori nuk vlen më, vetëm se ai kishte ngrënë një drekë me Beqir Ballukun.


Sigurisht, kush i kujton ato kohëra, e di shumë mirë se të shoqëroheshe me një armik të popullit, më së pakti përjashtoheshe nga partia, e më së shumti të priste një periudhë e gjatë internimi. Por ja që Enveri, na rrëfen në Ditarin e tij vetjak se nuk duhet të ndodhë kështu me Baki Kongolin, këngët e të cilit, në 1979, Enveri vazhdonte t’i dëgjonte me ëndje.


E në këto fletë ditari të ish diktatorit, secili lexues mund të gjykojë në mënyrë të pavarur se çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet Ismail-Enver, por edhe se çfarë ka pretenduar Hoxha për letërsinë e studimet shqipe.


Kjo pjesë e parë e ditarit që botohet për herë të parë, plotëson në një farë mënyrë panoramën e krijuar deri më tani për marrëdhëniet mes tyre, por edhe hapësirën, që ka pasur gjatë asaj kohe letërsia dhe studimi shqip.


E martë, 13 shkurt 1979


 


Sot diskutova me shokët mbi një artikull studimor që ka botuar Ismail Kadareja mbi eposin e kreshnikëve, për të cilin kam krijuar një përshtypje shumë të mirë. U shpreha shokëve pikëpamjen time se ky autor është njeri i zoti, jo vetëm si romancier e poet, por edhe si studiues. Romanet e Ismailit kanë rëndësi të madhe si nga brendia, se kanë shumë mendime, por ato janë shumë tërheqëse edhe nga forma e nga stili. Shkrimi i tij mbi eposin e Kreshnikëve, që është një studim shkencor, është i rëndësishëm.


Kam folur edhe një herë tjetër mbi shftytëzimin e arkivit të Institutit të Folklorit. Ky arkiv, në të cilin gjendet një thesar i madh, ka mbetur i vdekur, sipas mendimit tim. Ismail Kadareja ka kapur një kënd të këtij thesari të madh, e duhet njohur se e ka kapur bukur, jo vetëm në të shkruar, por ai e ka zhvilluar drejt në kuptimin e zhvillimit materialist të problemit, duke e konfrontuar me studimet e huaja që janë bërë si pro epikës sonë, ashtu edhe kundër saj. Në këtë drejtim, sidomos studiuesit sllavë pretendojnë të nxjerrin eposin tonë si një huazim të eposit të tyre të përkthyer në shqip. Ismaili në këtë shkrim, ka vërtetuar autenticitetin e eposit tonë, të provuar edhe nga dijetarë të huaj, veçanërisht nga Lamberci që ai citon, ku del qartë që si albanolog i vjetër i kësaj çështjeje Laberci i ka hyrë mirë dhe Kadareja këtë autor e nxjerr shumë pozitiv. Zakonisht gjermanët dhe austriakët janë interesuar shumë për çështjen shqiptare. Në përgjithësi, gjermanët kanë nxjerrë shumë studiues të historisë së popujve, por kanë nxjerrë edhe albanologë. Të njëjtën gjë, mund të themi për austriakët.


Kadareja, duke u mbështetur në studimet e kryera nga këta albanologë, në përmbajtjen e eposit, në të dhënat historike të dyndjeve të popujve, në karakteristikat e njërit epos e të tjetrit, në periudha kohe të caktuara, eposin tonë e nxjerr jo vetëm si një krijim popullor më të bukur, por edhe shumë më të vjetër nga i sllavëve dhe i boshnjakëve. Epika e kreshnikëve tanë, vërteton Ismaili, ekzistonte përpara se të vinin sllavët në Ballakn dhe për këtë jep argumente të forta, tregon edhe për ç’arsye kënga jonë epike ka zonë të sajën malësitë e thella, bjeshkët, dhe nuk është kënduar asnjëherë nëpër kafene ose xhami, siç ka ndodhur në epikën boshnjake.


Kadareja në këtë studim bën një vërtetim shkencor mbi lashtësinë e eposit tonë, ai bën edhe krahasimin e brendisë së të dy eposeve dhe rekomandon si i duhet futur thellë mbrojtjes së autorësisë shqiptare mbi eposin e kreshnikëve. Në asnjë mënyrë, thotë ai, nuk duhet të bëjmë këtë as për shovinizëm shqiptaromadh, as për mendjemadhësi nacionaliste, por për të vërtetën. Ka meritat e saj edhe epika e sllavëve, e boshnjakëve, nënvizon ai, e, natyrisht, të dy palët kemi huazuar nga njëri-tjetri, por që të themi se epika jonë ka lindur në shekullin e 17-të, siç flasin disa, kjo është e papranueshme. Ai e vërteton këtë me poemat e arbëreshëve të Italisë, që janë larguar nga atdheu që në shekullin e 15-të, të cilët e kanë ruajtur të gjallë një pjesë të epikës sonë, gjë që tregon se ky cikël ka pasë qenë formuar të paktën qysh në këtë shekull. Megjithëse Ismail Kadareja e ka provuar veten si njeri me mend, me kulturë, e studiues edhe në veprat e mëparshme, me këtë studim e vërteton akoma edhe më mirë një gjë të tillë. Unë nuk kam lexuar asnjë studim si ky nga ndonjë autor tjetër, për të mos folur për Zihni Sakon, se ato që shkruan ky nuk kanë shumë vlerë, Zihniu nuk tregohet i thellë në shkrimet e tij. Neve nuk na duhen parrulla, slogane, ose mbledhje pa bukë në të tilla institucione si ky i folklorit, por dëshirojmë që studiuesit të hyjnë thellë në vëllimet ekzistuese të “Thesareve të Kombit”. Këto vëllime, sipas mendimit tim, kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Vërtët janë shkruar në kohën e zogut, por kanë një vlerë të madhe dhe po u fute brenda, humbet në to dhe nuk del dot, po të mos dish të orientohesh, po të mos u futesh në esencë problemeve, por t’i shikosh këto vetëm në sipërfaqe. Kjo ndodh për arsye se ky thesar është i ngatërruar, ai është marrë e hedhur pa kujdes në ato kohë, pa u bërë më parë një klasifikim shkencor i tij, gjë që duhet bërë. Kadareja, megjithëse nuk ua zë emrin në gojë, u bën një kritikë të mirë disa studiuesve tanë në këtë drejtim dhe kjo kritikë është e drejtë. Edhe vlerësime bën ai, për shembull Eqerem Çabenë e përmend për mirë në këtë studim. Për të gjitha këto shkrimi i tij më pëlqeu shumë dhe njoh se kam mësuar gjëra të reja për eposin që deri tash nuk i dija. Në përgjithësi ne dimë që kemi thesare të mëdha, por duhen vënë njerëz që këto t’i zbulojnë. Ja, kur e lexon këtë studim, me të vërtetë të hapen horizonte. Nga pjesa ime kam një sërë mendimesh dhe, kur të takohem ndonjëherë me Kadarenë, do t’ia them, se duhet ta vazhdojë këtë punë. Natyrisht nuk e kam fjalën këtu vetëm për problemin që trajtohet në këtë studim, por edhe për probleme të tjera. Dhe njerëz që dinë të kapin çështjen e t’i trajtojnë mirë këto tash kemi.


Të marrim fjala vjen Dhimitër Shuteriqin. Unë kam lexuar mjaft shkrime dhe studime të këtij autori. Vertët Dhimitri është narrativ, është një koleksioner i shumë gjërave të vjetra, njeri me horizont të gjerë kulturor dhe, natyrisht, këtë e shfrytëzon sipas mënyrës së tij, po të përkrahet e të inkurajohet, me atë bagazhë të mirë njohurish që ka edhe Dhimitër Shuteriqi do të jepte shumë më tepër në fushën e letërsisë, me romane e studime të ndryshme.


Prandaj duhet të dimë t’i trajtojmë të tillë njerëz. Në këtë rast, më shkoi mendja te kompozitori elbasanas, Baki Kongoli, të cilin, vetëm pse vajti hëngri njëherë bukë me Beqir Ballukun dhe na thonë që s’vlen më. Vdiq ky njeri për këta, mirë po dikur Bakiu ka kompozuar këngë të bukura siç është “Vajza e Kombinatit” që e dëgjoja ngaherë me endje, por si kjo ai ka bërë edhe këngë të tjera.


Kadareja përmend në këtë shkrim edhe “Chanson de Ronald” dhe “Nibelungen” nga eposi francez dhe ai gjerman. Unë e di mirë, se e kam lexuar të tërë “këngën e Ronaldit”, që e kemi bërë në shkollë dhe konstatoj se Ismail Kadareja e përcakton tamam siç është, një poemë epike, që i përket një periudhe të caktuar, asaj të Karlit të Madh kur shkon të luftojë kundër maurëve në Spanjë. Në kohën që Karli kthehej fitimtar, praparoja e tij, me Rolandin në krye, rrethohet në luginën e Ronsëvalit nga maurët, bie bririt, por është vonë dhe bie heroikisht në fushën e betejës. Kur kthehet Karli, e gjeti me një gur në dorë. Kjo është një ngjarje e shkëputur. Por në Francë ka edhe këngë të tjera që i përkasin eposit heroik, siç është ajo e Tristanit dhe Izoltës etj, etj, të cilat, po t’i marësh të shkëputura, duket sikur nuk kanë lidhje, por që, siç shprehet Kadareja me një figurë të bukur, ato kanë ndikime reciproke dhe kanë zënë njëra-tjetrën si borërat kur bien në bjeshkë.


Edhe kënga gjermane e “Nibelungëve” si ajo e Rolandit në Francë dhe të tjera si këto, vërtet janë të një epoke, por, po të mos futesh thellë, nuk e dallon dot vazhdimësinë e tyre, për të cilën flet Kadareja. Kënga e “Nibelungëve” është një histori e gjatë dashurie e trimave të mëdhenj. Vagneri, i frymëzuar nga ky epos, shkroi “Tristanin e Izoltën”, Kadareja tregon kështu edhe vazhdimësinë, edhe shkëputjen që kanë këto epose nga njëri-tjetri, shkëputje që e kanë diktuar rrethanat, por që s’e ka humbur kurrë lidhjen, vazhdimësinë që kanë ato midis tyre.


Unë mendoj se studimi i Ismailit duhet të përkthehet dhe të botohet në një libër të vogël me kapak dhe s’ka dyshim që në shqip patjetër, por mendoj të përkthehet edhe në serbokroatisht, në greqisht, në gjermanisht, në italisht dhe sidomos në turqisht. Tirazhi natyrisht të mos jetë i madh, pse këto janë libra shkencore, që s’është nevoja të shpërndahen kudo nëpër biblioteka, por t’u shërbejnë punonjësve shkencorë që merren me probleme të folklorit. Jam i bindur që, edhe të huajt, kur ta lexojnë këtë libër do të habiten.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …