Antigone Qeriqi – Salihu: 185 ditë pa ty, i dashur Babi

Çdo datë shtatë, e çdo muaji për mua, është një datë e mërzitur. Në çdo datë 7 ndjehem bosh e e përlotur. Këtë datë do ta kisha larguar nga kalendari..

 Babi, u ndave nga në një ditë të shënuar, në Ditën tënde të Mësuesit, në ditën e përmbylljes së ditëve të lavdishme të marsit të Jasharajve, por për ne ishte një goditje që nuk po e kalojmë lehtë. Asnjëherë e gatshme për vdekjen e prindit, edhe pse tash jam gjyshe, prapë prindi është i pazëvendësueshëm, e sidomos ti, babi.

Në dhomën tënde — më mirë të them në bibliotekën tënde, në shtëpinë tonë, aty ku u rrita, nuk më bëjnë këmbët të hy. Sa herë hyja në atë dhomë, të shihja ty duke punuar në kompjuter, dhe kur pushoje nga kompjuteri, gjithmonë kishe një libër që po lexoje. Të pyesja: “Pse nuk po pushon pak?” Nganjëherë sikur më shikoje me çudi; shikimi yt më bënte të ndjehesha shumë e vogël para teje, e pavlerë, dhe e urreja veten që ta bëja këtë pyetje, sepse nga fytyra jote kuptoja që më thoshe: “Bija ime, unë kështu pushoj.” Me të vërtetë, ti në moshën tënde krijoje 15 orë në ditë dhe nuk thoshe kurrë që lodheshe. Ishe një frymëzim për mua; sa herë që lodhesha në punë e me punët e mia, i thosha vetes: “Hej, babi punon 15 orë në ditë dhe nuk lodhet.” Dhe realisht, lodhjen e harroja. Natyrisht që punët e angazhimet e mia ishin të pakrahasueshme me ato punë madhore që realizoje ti.

Me të vërtetë ishe një enciklopedi; nuk kishte pyetje për të cilën nuk merrja përgjigje, dhe gjithmonë me urtësi, pa ngritje zëri. Babi, gjashtë muaj — gjysmë viti — më duket sa një shekull; nuk ke idenë sa më ka marrë malli të të shoh. Pavarësisht që të shoh në dokumentarët e tu dhe të çmallem për pak momente, më pas e kuptoj se ti nuk je më, dhe dhimbja më qindfishohet.

E di që nga lart na shikon, dhe kemi një rrugë të gjatë pa ty, por boshllëku që ke lënë pas është i pazëvendësueshëm. Sa krenare ndjehemi me emrin tënd, me veprat tua që ke lënë pas. Njëkohësisht shpresojmë që do të ndjekim rrugën tënde, që të mos devijojmë për asnjë çmim nga rruga e drejtë, rruga e atdhedashurisë, të cilën, nga momenti që linde e deri në vdekje, secilën minutë të jetës tënde të lavdishme ishe në shërbim të atdheut. Ke vuajtur tre herë burg të rëndë, ke përjetuar luftën, por kurrë nuk je dorëzuar, dhe kjo na bën të ndjehemi krenar që të patëm. Fjalët e veprat tua do të na përcjellin çdo ditë të jetës sonë, deri sa edhe ne të vijmë tek ti.

Prehu në paqe, babi im i shtrenjtë. Të kam dashur dhe të dua më shumë se çdo gjë në këtë botë. Krenare për jetë e mot me ty, babi, engjëlli im mbrojtës. Me dhimbje e zemër të thyer, do të të kujtoj përgjithmonë.

Bija jote,
Gona

Kontrolloni gjithashtu

SHERIFE BERISHA – THAÇI KRENARI QĖ E MUND DHIMBJEN

Edhe pse shumė i ri – Vendimin e kishte marrė, por, nuk e kishte ba …