Brickos

Antigonë Salihu: Motivi shqiptar i sakrificës në legjendën e Rozafës ( Ifigjenia dhe Rozafa)

Motivi i sakrificës në traditën dokesore e folklorike shqiptare është shumë i vjetër dhe i përket periudhave të hershme të jetës së popullit tonë. Te të gjithë popujt e lashtë ekziston ky fenomen, i cili ka lidhje me flijimet e botës pagane, por edhe të fesë monoteiste, sikur është rasti i profetit Abraham, i cili bëhet gati ta flijojë djalin, Izakun, për hir të Zotit.

Në pjesën e parë të këtij studimi do të prezantoj mendimet e disa studiuesve shqiptarë e të huaj që i kanë thelluar observimet e tyre, me qëllim për ta ndriçuar këtë motiv të njohur të trashëgimisë sonë gojore, që është përcjellë brez pas brezi.

 

Fenomeni i flijimit është i lashtë sa vet bota njerëzore, i cili e ka përcjellë shoqërinë gjatë tërë historisë së saj, prandaj haset në kulturat e popujve të ndryshëm me tiparet e veçanta kombëtare e më shumë me tiparet universale, të cilat kanë evoluar gjatë zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Evoluimi i karakterit të flijimit është një dëshmi domethënëse e nivelit të zhvillimit të kulturës së një kombi, që gjithsesi nënkupton edhe zhvillimin shoqëror të tij. (Kardush Radogoshi. SEMANTIKA E FLIJIMIT Prishtinë, 30. 1. 2009 Pashtriku com.) l

Motivi i sakrificës dhe flijimit është i njohur edhe në traditën e rrëfimeve dhe legjendave shqiptare. Motivi i flijimit, përafërsisht i njëjtë me motivin e Ifigjenisë, është murimi në muret e kështjellës së Rozafës, njëra prej grave të tre vëllezërve, të cilët gjatë tërë ditës po ndërtonin kështjellën, (në disa variante, Urën), por ajo gjatë natës rrënohej. Për të mos u rrënuar kështjella, një plak mentar u kishte thënë vëllezërve se ata duhej ta murosnin njërën nga gratë e tyre, në themelet e kështjellës. Dy vëllezërit më të moshuar u kishin treguar grave të veta, duke i porositur që të mos e sillnin bukën për muratorët, që po e ndërtonin kështjellën, ndërsa vëllai i vogël nuk i kishte treguar gruas së tij. Meqë dy kunatat e saj, të lajmëruara paraprakisht se çka mund t i priste)  nuk kishin pranuar t’ua dërgonin bukën muratorëve, ajo pa ditur për tragjedinë që do ta godasë. lë fëmijën e vogël në përkujdesje të vjehrrës dhe u dërgon ushqimin muratorëve.

  1. Qeriqi: Fenomeni i Besës në traditën shqiptare, Bujku, 25 qershor 1994.)2

 

Me të arritur te murana e kështjellës, kryemuratori i bën me dije nuses me emrin Roza se  ajo do të flijohet. Roza, më vonë e emëruar si Roza-fat, apo shkurt Rozafa,  nuk refuzon, e vetëdijshme se nuk mund ta ndërronte fatin e tragjedisë së saj, por kërkon nga muratorët, që me rastin e murosjes, t’ ia linin anash kraharorin, në mënyrë që djali i vogël të thithte gjirin për disa ditë, meqë ishte e porsalindur.

Studiuesi, Shefqet Dibrani, thotë se   Te Theohari, “Rozafa” bëhet “Rozafati“?! Por, një lexim me parantezë jep një kuptim të ri. Ta zëmë: Nëse besojmë se emri i saj ka qenë “Roza”, sipas lules me të njëjtin emër, pjesa tjetër lidhet me “Fati-n” e saj, sado tragjik të jetë ai. Kështu kemi formuar një parantezë si nëntekst i ri dhe gjithsesi me një kuptim të ri “Roza – Fati”, apo më mirë të lexohet si “Fati i Rozës

 Rozi Theohari “LOTËT E ROZAFËS MBI DRIN”, poemë, (rumanisht-anglisht-shqip), botoi “ARARAT” Bukuresht 2007. Faqe 120.) 3

Ashtu sikur në rastin e Ifigjenisë, e cila nuk i reziston babait, për ta bërë terror edhe Rozafa e rrëfimit shqiptar, nuk i reziston fatit të shkruar nga Hyji për të qenë e sakrifikuar, me qëllim që muri i kështjellës së mbante.

Heroina e rrëfimit shqiptar, është dhënë në pajtim me traditën dokësore të Ligjit të lekës, ku thuhet se “E mira e përbashkët i paravithet dëmit individual, dëmit të veçantë”.

Në këtë rast një nuse e re, me djalin e sa të porsa lindur ishte zgjedhur për të qenë e flijuar për të mirën e përgjithshme.

Dallimi mes aktit  të sakrificës së bijës së vet Ifigjenisë nga Agamemnoni dhe sakrificës së Rozafatit është evident dhe u takon dy botëve sa i përket përmbajtjes.

Ifigjenia sakrifikohet për fitoren e babait kundër grekëve, ku e derdh rrëke gjaku njerëzor, me qëllim që grekët ta fitonin luftën, edhe pse ata nuk e fituan  luftën me heroizëm por me dinakërinë e Odiseut, i cili shpiku “Kalin e Trojës”. (A. Qeriqi: Fenomeni i Besës në traditën shqiptare, Bujku, 25 qershor 199.) 4

Rrëfimi shqiptar, nuk ka motiv fitoren e një mbreti, apo të nj lufte, por fitoren  e përgjithshme, ndërtimin e një kështjelle, për të shpëtuar njerëzit nga të papriturat, apo ndërtimin e një ure, si dhe një lidhje e komunikimi mes njerëzve.

Motivi shqiptar i legjendës së murimit është motiv më i humanizuar sesa motivi grek, i cili në esencë ka fitoren mbi kundërshtarin. 

Humanisti  i madh shqiptar i shekulli  XV, Marin Barleti, në veprën e tij, “Rrethimi i Shkodrës” tregon se, ne gjuhën popullore (vernacula) ndodhet një  kronika për dy vashat: “Na patën rënë në dorë disa shkrime, thotë ai… Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themelueset e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa”.  Ky interpretim i Barletit, nuk ka të bëjë me legjendën e murimit por me përpjekje për të treguar toponimin, prejardhjen e Kalasë së Shkodrës. (Marin Barleti, “Rrethimi i Shkodrës”, shqipëroi: Henrik Lacaj. Shtëpia botuese: “Onufri”. 2012.) 5

Motivet e shumta shqiptare me elemente homerike na japim të kuptojmë se shumë nga tragjeditë greke dhe nga rrëfimet e Homerit në veprat madhore botërore si Iliada e  Odisea, me faktin se  u përkasin dy popujve fqinje kanë shumë elemente të përbashkëta.

Duke shkruar për autoktoninë e motiveve shqiptare, filozofi dhe albanologu i njohur gjerman Johanes von Hahn, ka shkuar: “tradita shqiptare e lashtësisë i ka ruajtur motivet arkaike shumë më të pastra e më besnike sesa motivet te popujt fqinj. Hahn  ishte ndër albanologët e parë, i cili e kishte vërejtur autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkan.

(A. Qeriqi: Fenomeni i Besës në traditën shqiptare, Bujku, 25 qershor 1994) 6

Në vëllimin e parë të Studimeve shqiptare Hahni shkruan: “Të paret e shqiptarëve te sotëm banuan ne vendin e tyre qysh nga kohet e lashta duke ruajtur edhe zakonet e moçme shume me besnikerisht se popujt fqinje. Por mbrojtja me kryesore dhe me e fuqishme e zakoneve dhe dokeve të  moçme është konservatorizma dhe shovinizma natyrore për ruajtjen e traditave dhe te zakoneve te tyre dhe luftimi i zgjedhës se huaj… Vetëm kjo konservatorizmë e shpjegon gjendjen e pandryshueshme te Shqiperise”. ( Han – Albanesische Studien I, fq 214) ”… nje shembull i mire i kesaj jane shqiptaret e Dalmacise dhe te Italise”. Per shqiptaret e Borgo Ericos te shperngulur atje perpara v. 1622 Hani shprehet se “…shqiptaret qi u shperngulen n’Itali shkruen Sami Frasheri, ruejten gjuhen e kombesine e tyre deri me sot. Gjuha qe flasin eshte shqip fjeshte toskerrisht pak e prishun e perzimun me italisht e kane ruejt shume fjal shqipe te vjetra qi na kemi harue. Ne mes te shqiptarevet Italise jane shume njerez te vleret qi kane perzemer kombesine e gjuhen e tyre, e kanë mbledhur shumë vjersha e kange te vjetra“ (Han – Alb. Stud. I fq. 13) Enriketa Papa:  Johann Georg Von Hahn (1811-1869) në portalin Albanova) 7.

 

Johann Von Hahni kërkoi nëpër Shqipëri, përpos të tjerash, edhe lëndën për veprën e tij madhore në tri vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), që u botua në vitin 1854. Aty Hani argumenton për herë të parë nga një pikëpamje multidisiplinare (historike, gjuhësore, etnografike, etj.), autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen ilire të shqiptarëve e prejardhjen e shqipes nga ilirishtja dhe hedh idenë e prejardhjes së përbashkët “tireno-pellazgjiketë ilirëve, të epirotëve e të maqedonasve, të cilët, krahas grekëve dhe romakëve, formonin një degë të veçantë e të rëndësishme të lashtë. Ai ka mbledhur material në vend, mësoi gjuhën shqipe dhe dëshmoi përkatësin e shqipes si gjuhë e familjes indoevropiane. (Johann Georg Von Hahn Vikipedia e Lirë.) 8

 

 II

  

Ifigjenia dhe Rozafa

Pavarësisht se Ifigjenia është personazh shumë i njohur në meset letrare kudo në botë, e veçmas në Evropë, dhe që ka zanafillë në tragjedinë greke, të njohur dhe të përkthyer në sa e sa gjuhë të botës, Rozafa e rrëfimeve shqiptare është përmbaruese e një morali të ri, në esencë humanist. Ajo është sakrifica e individit në emër të shumicës sipas parimit tradicional të Ligjit të Lekë Dukagjinit:  “E mira e përbashkët i paravihet dëmit individual, dëmit të veçantë”, aspo sipas parimit analog, “Një për të gjithë, të gjithë për një”.  (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933.) 9

Ifigjenia, ka tjetër fat të parashkruar nga Zotat e pamëshirshëm të botës greke. Ajo, edhe pse bijë mbreti, nuk është imune ndaj gabimeve të prindërve dhe duke qenë pjesëtare e një familje me origjinë nga mëkatarët, nga tantalët, ajo dashur pa dashur bëhet pre e mëkatit të të parëve të saj nga origjina. Për më shumë, tragjedia e flijimit të saj lë edhe shumë pasoja. Nëna e saj, Klitemnestra, për hakmarrje vret burrin, Agamemnonin sepse ai kishte flijuar bijën, e cila nuk ishte vetëm e tij por edhe e asaj. Dhe krimi i paraparë nga zotat antikë nuk mbaron me kaq. Të indinjuar me vrasjen e babait nga nëna e tyre, djali dhe vajza tjetër e këtyre dy prindërve fatkeq, Oresti dhe Elektra vrasin nënën e tyre.

Ifigjenia është thjesht viktimë e një ligji anihuman, antinjerëzor dhe ajo si bijë Mbreti e kupton fatin e saj pa rrugëdalje, edhe pse nuk ka bërë asnjë mëkat. Ajo pranon vullnetin e babait dhe babai vullnetin e zotave për ta ndihmuar në një luftë pushtuese.

Rreth 415 para Krishtit, dramaturgu i madh grek,  Euripidi zgjodhi për të punuar  mitin e Ifigjenisë, të cilin e emërtoi “Ifigjenia në Tauridë  Çështjet e përfshira në këtë tragjedi janë të shumta. Në gjithë e Greqinë e kohës ishte përhapur lajmi  se Ifigjenia u flijua nga Agamemnonit babai i  saj si viktimë flijuese, për të lejuar anijet greke ekspeditën kundër Trojës. Mirëpo asokohe  vajza ishte  gjallë nën përkujdesje të  një priftëreshë në Tauridë. Këtu shihet urrejtja e grekëve të cilët, në emër të luftës dhe të fitores kundër trojanëve , nuk u kundërshtojnë sakrificën e  tij. (Vikipidia në gjuhën italiane. Ifigenia in Tauride). 10

Fati i keq do ta përcjellë deri në vrasje mbretin grek, Agamemnon. Kur u kthye nga  lufta e Trojës, ku kishte qenë  kryekomandant i ushtrisë ngadhënjyese, u vra gjatë gostisë së përgatitur për nderë të tij prej duarve të vrasësve të paguar. Kushëriri i tij, Egjisti, urdhëroi që ta vrasin dhe për pjesëmarrje në këtë krim e bëri për vete edhe Klitemnestrën, për t’u martuar me të dhe për t’u bërë mbret i Mikenës. Çdo gjë ndërmori për ta vrarë edhe Orestin e ri, pasardhësin e ligjshëm të fronit të Agamemnonit, por në këtë e pengoi Elektra, motra e Orestit. Me ndihmën e dados së moçme ia bëri të mundshme Orestit që të ikë te mbreti i Pokidës, Strofiu, burr i Anaksibisë, motrës së Agamemnonit, i cili e pranoi dhe e rriti si djalë të vetin. Pas shtatë vjetëve, kur u rrit dhe u mësua të përdorë shpatën, Oresti, i përcjellur me Pilandin djalin e Strofiut, me të cilin u miqasua shumë, u nis  për ta dënuar vrasësin e babait të vet. Me ndihmen e Elektrës, i panjohur, hyri në qytetin e Mikenës dhe tha që ta bëjnë me dije Klitemnestrën: gjoja se po i sjellin lajme për vdekjen e të birit të saj, Orestit. Nëna e dëgjonte me një kënaqësi të hapët dhe pastaj e thirri Egistin. Kur Egisti paraqitet në derë, Oresti ia futi shpatën në zemër dhe pastaj me të njëjtën shpatë e mbyti edhe Klitemnestrën. Në mitologjinë greke ekzistonte betimi se fati i jetës së njeriut ishte i shkruar nga perënditë  dhe njeriu, cilido qoftë ai, mbret apo njeri i thjeshtë nuk i ikte dot fatit të shkruar.

(Mitologjia greke Vikipedia internet) 11

 

Rozafa,  personazh i motivit arkaik shqiptar, sado që i përket një bote tjetër është po ashtu e viktimizuar për hir të ndërtimit të një kështjelle apo ure, e cila nuk mbante dot pa vënë në themele një krijesë të pafajshme, të çiltër dhe të paracaktuar për t’u flijuar mbi parimin e “besës” fenomen tipik shqiptar, dikur i përhapur edhe në botën antike.

Rozafa është nusja e vëllait të vogël, vëllait më të ri nga tre vëllezërit muratorë, e cila muroset në themel, pikërisht sepse burri i saj e kishte mbajtur besën e lidhur mes vëllezërve, për të mos iu treguar grave, që do të vinte e para për ta sjellë bukën do të murosej në themel të Kështjellës.  Ajo është e zgjedhura me besë, është pasojë e mbajtjes së besës me çdo kusht dhe në çdo rrethanë, madje edhe me çmimin e jetës. Ashtu sikur Ifigjenia edhe Rozafa pajtohet me fatin, por kërkon nga burri dhe kunetërit që njërin kraharor, njërin gji, t’ ia lanë jashtë murit ku do të murosej me qëllim që ajo t i jepte qumësht  djalit të porsalindur.  Për dallim nga pasojat tragjike që sjellë në familje, flijimi i Ifigjenisë,  Rozafa me aktin e saj të pranimit të fatit nuk sjellë asnjë tronditje. Ajo flijohet, murana mbanë, djali rritet dhe jeta vazhdon….

(A. Qeriqi: Fenomeni i Besës në traditën shqiptare, Bujku, 25 qershor 1994) 12

 

Në trashëgiminë gojore shqiptare, në rrëfimet e moçme dhe në legjendat, të cilat kanë arritur deri në ditët tona kemi sa e sa motive të ngjashme me motivet greke të Iliadës, Odisesë dhe veprave të tjera. Motivet shqiptare, me faktin se janë shkruar vonë, ndërsa janë interpretuar nga brezi në brez, kanë humbur shumëçka nga elementet përcjellëse nga dialogu, nga mënyra e rrëfimit dhe dialogut arkaik, por në esencë janë ruajtur motivet, sikur është motivi i rinjohjes së burrit me gruan, Konstandini i Vogël, motivi i pamundësisë së martesës së vëllait me motër, sikur është legjenda e Lutë varfanjakut, i cili blen në treg një robëreshë, pa e ditur se është motra e vet, ndërsa me shenjat në trup rinjihen motër e vëlla. Ky motiv sfidon motivin e Edipit, të cilit zotat ia kanë caktuar fatin që ta vrasë babanë dhe të martohet më nënën e vet, pikërisht në përpjekje për t’ i ikur fatit, kishte ikur nga prindërit që e kishin adaptuar duke menduar se ata ishin prindërit e vërtetë.

Edhe me motivin e mirënjohur biblik dhe kur’anor të ringjalljes, motivi shqiptar sfidon fete monoteiste, duke e lidhur ringjalljen mbi parime të besës. Vëllai i Vogël, i nënti me radhë, i kishte dhënë besën nënës se motrën e martuar larg, vit për vit, ai dhe tërë vëllezërit  do ta sillnin në të pame, në shtëpi. Por të gjithë vriten në një luftë,apo nga një sëmundje fatale  dhe nëna shkon te varri i Konstandinit për t’ i kërkuar llogari për zotimin, besën e tij. Ai ngihet nga varri, shkon larg te motra dhe e sjellë atë në shtëpi, ndërkohë që sërish futet në varr. Kjo është legjenda më e përmbaruar shqiptare,  cila duket se është krijuar në kohën e përhapjes së krishterimit ndër shqiptarë, ku motivi i ringjalljes, sipas Biblës  kishte përfunduar me ringjalljen e Jezu Krishtit, ndërsa ishte përjashtuar mundësia të ketë ndonjë ringjallje tjetër individuale, përveç ringjalljes së përgjithshme pas apokalipsit, kiametit.

Ringjallja është një prej motiveve me karakter parabiblik dhe biblik në eposin shqiptar dhe fondin e baladave. Në epos shfaqet në formën e vdekjes së përkohshme apo të pajetës së përkohshme. Heronjtë kulturorë të eposit ngrihen nga varri pas 100 vjetësh dhe u duket se kanë marrë një sy gjumë. Në fondin e baladave paraqitet një formë tjetër e ringjalljes, ajo e frymës humaniste. Në epos ka një formë të amshimit: heronjtë kulturorë, kur mbaron epoka e tyre, ndryshe prej eposit boshnjak, nuk vdesin e nuk varrosen, nuk kanë vende pelegrinazhi, por mbyllen në zgafellë. Kjo është koha e mbarimit të epokës së kalorësisë dhe e shfaqjes së armës vrastare në largësi. Ky problem shihet në rrafsh krahasues me motivin biblik, me ëndrrën e njeriut për përjetësi, me konceptin e përjetësisë si mallkim, me konceptin ungjillor të amshimit, me ringjalljen laike në letërsitë humaniste dhe me konceptin mitologjik për pavdekshmërinë e heroit, duke specifikuar konceptin e vdekjes së përkohshme, apo të ndërprerjes së përkohshme të jetës, në formën e vdekjes fiction, në epet “Muji mas deket“ dhe “Halili mas deket“.

Ermira Ymeraj Shkolla e Masterit, Universiteti i Shkodrës, Prishtinë 28-29 gusht 2010) 13.

Literatura:

Shfjefen Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933.

Bibla shqip, Ferizaj 1994.

Ahmet Qeriqi: Besa në traditën shqiptare, Gjurmime e studime Prishtinë 2011, f. 256.

Kardush Radogoshi. SEMANTIKA E FLIJIMIT Prishtinë, 30. 1. 2009 Pashtriku com.

Rozi Theohari “LOTËT E ROZAFËS MBI DRIN”, poemë, (rumanisht-anglisht-shqip), botoi “ARARAT” Bukuresht 2007.

Marin Barleti, “Rrethimi i Shkodrës”, shqipëroi: Henrik Lacaj. Shtëpia botuese: “Onufri”. 2012.)

Vikipidia në gjuhën italiane. Ifigenia in Tauride.

Ermira Ymeraj Shkolla e Masterit, Universiteti i Shkodrës.  Prishtinë 28-29 gusht 201o.

Hahn – Alb. Stud. I fq. 13.

Johann Georg Von Hahn Vikipedia e Lirë.

Mitologjia greke Vikipedia internet.

Enriketa Papa:  Johann Georg Von Hahn (1811-1869) në portalin Albanova.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …