AOK kundërpërgjigjet ndaj kryetarit të Shtimes: “Observatori është vepër e jona, jo arritje politike”

AOK kundërpërgjigjet ndaj kryetarit të Shtimes: “Observatori është vepër e jona, jo arritje politike”

Organizata Astronomy Outreach of Kosovo (AOK) ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të bëra nga kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili përmes një fotografie ka lënë të kuptohet se Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës në këtë komunë është arritje e pushtetit lokal.

Në një deklaratë të gjatë publike, themeluesja e AOK-së, Pranvera Hyseni, thekson se ky projekt është ideuar, udhëhequr dhe realizuar nga AOK për më shumë se një dekadë, pa asnjë mbështetje reale nga komuna.

“Ky observator nuk është vepër politike. Është rezultat i një ekipi që ka punuar me përkushtim të plotë për të sjellë shkencën dhe astronominë në Kosovë. Ne siguruam tokën, projektin, fondet, pajisjet dhe çdo element tjetër shkencor që e bën funksional këtë qendër,” – thuhet në reagim.

AOK bën të ditur se i vetmi kontribut i Komunës së Shtimes ka qenë asfaltimi i rreth 100 metrave rrugë një javë para hapjes së observatorit, ndërsa të gjitha fazat tjera – nga projektimi, sigurimi i fondeve e deri te pajisjet dhe hapja solemne – janë realizuar ekskluzivisht nga organizata dhe partnerët e saj ndërkombëtarë.

Sipas Hysenit, gjatë përgatitjeve për inaugurimin, AOK është përballur me presione politike dhe mungesë totale të mbështetjes financiare nga komuna.

“Asnjë shpenzim për ceremoninë e hapjes, për mysafirët ndërkombëtarë apo donatorët nuk u mbulua nga komuna. Çdo gjë u përballua nga ne, nga xhepat tanë personalë dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë,” – thekson ajo.

AOK nënvizon se observatori funksionon sot vetëm falë të ardhurave nga vizitorët dhe se mbetet një pasuri kombëtare e pavarur nga partitë politike.

“Ky observator është fryt i dashurisë për shkencën dhe i besimit në të ardhmen e vendit. Ai nuk është pronë politike, por pasuri kombëtare që i takon çdo qytetari të Kosovës,” – përfundon deklarata.

 

______________

Reagimi i plotë:

Deklaratë Zyrtare ‼️
Në javët e fundit janë publikuar deklarata dhe postime nga përfaqësues dhe subjekte politike që përpiqen t’i atribuojnë vetes ndërtimin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës në Shtime, duke anashkaluar plotësisht rolin thelbësor të AOK, organizatës që në realitet e ka ideuar, udhëhequr dhe realizuar këtë projekt nga fillimi deri në fund. Si themeluese e Astronomy Outreach of Kosovo (AOK), ndjej detyrim moral dhe profesional të sqaroj publikisht faktet dhe rolin real të përfshirjes së organizatës sonë në çdo fazë të zhvillimit, ndërtimit dhe zbatimit të këtij projekti, i cili sot përfaqëson një nga arritjet më të rëndësishme në fushën e astronomisë dhe edukimit shkencor në Kosovë.
Ky observator nuk është vepër politike. Është rezultat i një ekipi që ka punuar me përkushtim të plotë për më shumë se një dekadë për të sjellë shkencën dhe astronominë në Kosovë. Ne ishim ata që e patëm idenë dhe vizionin fillestar. Ne punuam me arkitektë profesionistë për planet e ndërtimit. Ne siguruam tokën ku sot qëndron observatori. Ne iu drejtuam Kuvendit të Kosovës për sigurimin e fondeve për ndërtim. Ne kaluam vite duke ndërtuar lidhje me astronomë, shkencëtarë dhe kompani të nivelit më të lartë në botë për të sjellë pajisje të klasit botëror në Kosovë. Ne ishim ata që siguruam çdo teleskop, çdo montim, çdo kompjuter, çdo kabllo, çdo dizajn, çdo shfaqje, dhe çdo element shkencor që sot e bën funksionale këtë qendër. Ne u morëm me dërgesat ndërkombëtare, me doganat, me transportin e pajisjeve. Ne financuam gjithçka, me mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë dhe me kursimet tona personale.
Falë bashkëpunimit me kompani dhe partnerë ndërkombëtarë si Celestron, Sky-Watcher USA, dhe Charlie Bates Solar Astronomy Project/Sunlit Earth, ky observator është sot një prej më të pajisurve në rajon dhe një urë bashkëpunimi midis Kosovës dhe komunitetit global shkencor. Sot, ky observator u ofron mundësinë nxënësve, studentëve dhe qytetarëve të vendit që për herë të parë të angazhohen drejtpërdrejt në astronomi përmes teleskopëve profesionistë të vendit të tyre. Ai është kthyer në simbol të dijes, bashkëpunimit dhe shpresës për një Kosovë që beson në shkencë.
E megjithatë, Komuna e Shtimes, që sot e paraqet këtë observator si arritje të saj, nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për ta mbështetur realisht këtë projekt. I vetmi kontribut konkret ka qenë asfaltimi i rreth 100 metrave rrugë përreth objektit një javë para hapjes publike të observatorit. Asnjë investim në pajisje, asnjë mbështetje financiare për hapjen, asnjë kontribut logjistik nuk ka qenë rezultat i Kryetarit aktual dhe Komunës së Shtimes. Fondet për ndërtimin e vrazhdë të objektit janë aprovuar direkt nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë investuar nëpërmjet Ministrisë së Arsimit.
Gjatë përgatitjeve për ceremoninë solemne të hapjes, AOK u përball me mungesë totale mbështetjeje nga ana e komunës. Ata nuk mbuluan asnjë shpenzim për ceremoninë e hapjes, as për mysafirët ndërkombëtarë, as për donatorët që udhëtuan nga SHBA-të për të qenë prezentë. Çdo gjë, nga skena, karriget, audio, posterat, dizajnet, ushqimi, akomodimi dhe transporti, u mbulua nga vet ne, anëtarët e AOK-ut, nga xhepat tanë personalë. Donatorët që sollën më shumë se 100 mijë dollarë pajisje shkencore në Kosovë nuk morën as një darkë falënderimi nga Komuna.
Për më tepër, kemi qenë nën presion të vazhdueshëm për ndryshimin e datës së hapjes në momentin e fundit, pa asnjë konsideratë për partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët tashmë i kishin të rezervuara fluturimet e tyre drejt Kosovës. Madje, ka pasur gjithashtu tentativa për të imponuar kushte politike rreth ftesave dhe organizimit, se kush duhej apo nuk duhej të ftohej, gjë që bie ndesh me misionin e AOK-ut si organizatë shkencore, edukative dhe apolitike. Dua të jem shumë e qartë këtu: këto tentativa janë të dokumentuara përmes telefonatave dhe komunikimeve të ruajtura, dhe nëse do të jetë e nevojshme, jemi plotësisht të gatshëm t’i bëjmë publike.
Që nga hapja e observatorit, Komuna e Shtimes nuk ka e bërë as edhe një përpjekje të vetme për ta mbështetur observatorin në mënyrë të qëndrueshme. Si rezultat, AOK funksionon tërësisht falë të ardhurave nga vizitorët, të cilat janë burimi i vetëm për funksionimin dhe mirëmbajtjen e qendrës. Transparenca është mburoja e çdo pune të ndershme shkencore, dhe për AOK ajo mbetet një vlerë themelore në çdo veprim dhe vendim. AOK nuk kërkon merita politike. Kërkon vetëm që puna e ndershme dhe e verifikuar të njihet si e tillë.
E kemi ndërtuar këtë organizatë mbi parimin se shkenca duhet t’i shërbejë dijes dhe jo politikës. AOK nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë pjesë e politikës. AOK është ndërtuar mbi integritet dhe punë reale. Por kur puna shkencore keqpërdoret për qëllime politike, është detyrim të flasim, sepse heshtja ndaj padrejtësisë nuk është kurrë neutrale. Bordi dhe anëtarët e AOK kanë punuar me përkushtim, kompetencë dhe përgjegjësi të lartë profesionale. Ne e kanë ndërtuar këtë projekt me ndershmëri dhe vizion, dhe puna jonë meriton vlerësim të sinqertë, jo përvetësim.
AOK është dhe do të mbetet një organizatë shkencore, e pavarur, që i hap dyert për çdo njeri pa dallim partie, përkatësie apo mendimi. Ky observator është fryt i dashurisë për shkencën dhe i besimit në të ardhmen e vendit tonë. Ai nuk është pronë politike, por pasuri kombëtare që i takon çdo qytetari të Kosovës. Ndoshta është koha që partitë politike të mendojnë mirë e qartë se çfarë duan të quajnë punë të tyre, sepse puna e ndershme nuk matet me postime në rrjete sociale, por me vite përkushtimi, transparencë dhe rezultate reale.
Sinqerisht,
Pranvera Hyseni
Themeluese dhe Anëtare e Bordit Ekzekutiv të AOK

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Kryeministri e ka shndërruar “VLEN-in” në degë të VMRO-DPMNE-së te shqiptarët

BDI: Kryeministri e ka shndërruar “VLEN-in” në degë të VMRO-DPMNE-së te shqiptarët

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ndaj shfaqjes së përbashkët të Kryeministrit Mickoski dhe kryetarit të …