Gjykata e Apelit në Hagë ka refuzuar edhe një herë kërkesën e Isni Kilajt për heqjen e masës së paraburgimit. Vendimi u mor më 1 shtator nga gjyqtarja Michele Picard, duke konfirmuar për të katërtën herë qëndrimin se paraburgimi mbetet i nevojshëm. Apeli vlerësoi se ekziston rreziku i pengimit të procedurave dhe i kryerjes së veprave të mëtejshme, ndërsa masat alternative të propozuara nga mbrojtja nuk u panë të mjaftueshme. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë. Kilaj, së bashku me Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, u arrestua në dhjetor 2024 nën akuzat për pengim të drejtësisë. Ata akuzohen se në bashkëpunim me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerë kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
