leoni

Arbana Delia: E kam ditë që Rama vjen

Ka momente në jetë kur fjalët humbasin kuptimin dhe mbeten vetëm ndjenjat – të qarta, të forta, të vërteta. Në çastet e fundit të jetës, njeriu nuk ka nevojë për shumë fjalë – ka nevojë për praninë e atyre që kanë qenë pjesë e shpirtit të tij. Kështu ndodhi edhe me babain tim. Ai priste diçka – ose dikë. Dhe kur e pa që kishte ardhur miku i tij i vjetër, Rama, buzëqeshi me një qetësi që e kisha parë shpesh tek ai. “E kam ditë që Rama vjen”, tha me një besim që nuk kishte nevojë për sqarim. Babai im ishte në prag të vdekjes. Trupi i tij po dobësohej dita-ditës, por mendja dhe zemra e tij nuk e kishin humbur forcën. Kishte një pritje të heshtur brenda tij, një ndjenjë që nuk e thoshte me zë, por që e ndjeja kur e shihja në sy. Nuk më tha kurrë hapur, por unë e kuptoja që po priste dikë – dhe ky dikush ishte Rama. Kur i thashë që kishte ardhur Rama, ish-kolegu dhe miku i tij i ngushtë, sytë e tij u ndriçuan. Ai buzëqeshi dhe tha: “E kam ditë që Rama vjen.” Në atë buzëqeshje kishte falënderim, kishte paqe, kishte një përshëndetje të fundit që po e merrte përpara se të largohej nga kjo botë. Kur Rama hyri në dhomë, babai e shikoi drejt në sy dhe me zë të dobët, por me zemër të plotë, i tha: “Faleminderit që ke ardhur. E kam ditë që ti nuk e le pa ardhë.” Ishte një fjali e thjeshtë, por e mbushur me një jetë të tërë miqësie, besimi dhe dashurie. Pastaj mbylli sytë – për herë të fundit. Rama e thirri me mall, e puthi në ballë me respekt dhe dhimbje, ndërsa babai i bëri një lëvizje të lehtë me dorë – një përshëndetje që tingëllonte si: “Mirupafshim, miku im.” Ai çast më mësoi më shumë për jetën sesa shumë fjalime a libra. Mësova se miqësia e vërtetë nuk ka nevojë për shumë fjalë. Ajo qëndron edhe në heshtje. Mësova se në fund të jetës nuk mbetet asgjë tjetër përveç lidhjeve që kemi krijuar me njerëzit që kemi dashur dhe na kanë dashur. Babai e kishte ndjerë ardhjen e Ramës jo si një befasi, por si një gjë që duhej të ndodhte, sepse miqtë e vërtetë nuk mungojnë kur më së shumti nevojiten. Arbana Delia

Kontrolloni gjithashtu

Shqiperia Etnike

Ekrem Alija: Bashkimi Kombëtar Shqiptar

Bashkimi Kombëtar Shqiptar Bashkimi Kombëtar Shqiptar është një ideal kombëtar i cili synon bashkimin e …