Unë jam e bija e profesor Ahmet Qeriqit –njeriu që i dha jetën e tij këtij vendi, kësaj gjuhe dhe kësaj kulture. Dhe sot, nuk flas vetëm si bijë, por si qytetare që nuk mund të hesht përballë padrejtësisë, përbuzjes dhe ndërhyrjes së ulët politike në një çështje që lidhet me nderin dhe trashëgiminë tonë kulturore.
Në këtë shkrim nuk po mbroj thjesht një emër mbi një godinë. Po mbroj dinjitetin e një jete të tërë, që u përkushtua arsimit, identitetit kombëtar dhe përparimit të shoqërisë shqiptare. Po mbroj të vërtetën përballë manipulimit. Po mbroj të drejtën përballë arrogancës së pushtetit. Dhe mbi të gjitha, po qëndroj përballë një veprimi të turpshëm, të orkestruar nga një kryetar komune që, në vend se të nderojë kontributin e të mëdhenjve të këtij vendi, zgjedh të poshtërojë çdo gjë që nuk e kontrollon.
Prandaj, në mbështetje të plotë të profesor Ruzhdi Jasharit dhe në respekt të qytetarëve që nuk janë pajtuar me këtë padrejtësi, po ndaj me ju këtë qëndrim të sinqertë dhe të paanshëm. Ky është zëri im. Dhe nuk do të hesht, sepse heshtja, në rastin kur padrejtësia bëhet normë, është bashkëfajësi.
Të tre anëtarët e Komisionit që munguan në mbledhje, nuk e arsyetuan kurrkund mungesën e tyre, ndonëse ishin të ftuar zyrtarisht. Mungesa e tyre nuk ishte as rastësi e as neglizhencë – ishte e qëllimshme. Ata ishin thirrur nga kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, në zyrën e tij, ku në mënyrë të paligjshme dhe të papranueshme ndërhyri në punën e Komisionit. Qemajl Aliu kishte kërkuar që në momentin kur të dilte propozimi i profesor Ahmet Qeriqit për emërtimin e Shtëpisë së Kulturës, ata të lëshonin mbledhjen, duke sabotuar kështu një proces të drejtë dhe meritor.
Thënë troç, Qemajl Aliu është fytyra më e ulët e skenës politike komunale – një figurë që përfaqëson injorancën më të thellë, mungesën e vizionit dhe një nivel alarmant të mungesës së dijes e kulturës. Në mesin e të gjithë kryetarëve të komunave në Kosovë, ai është më i padituri. Dhe fatkeqësisht, ky realitet i dhimbshëm është i mundur vetëm sepse ai vepron nën ombrellën e pushtetit të Vetëvendosjes, ku është lejuar të shkelë mbi parime dhe mbi njerëz me vlera shumë më të larta sesa ai do të ketë ndonjëherë.
Një njeri pa kulturë, pa vlera, pa kontribut në asnjë fushë – si mund të ketë të drejtë të vendosë për fatin e një emri si ai i profesor Ahmet Qeriqit? Ky është një emër që është ndërtuar me mund, me arsimim, me burgosje politike, me luftë për komb dhe atdhe, dhe me një jetë të tërë të përkushtuar kulturës, arsimit, shkencës dhe identitetit kombëtar.
Të përmendësh një njeri të tillë në të njëjtën fjali me Qemajl Aliun është fyerje. Por ja që na detyron vetë situata, sepse sot, një “hiq” është në pozitat vendimmarrëse – një “hiq” që nuk ka kontribuar as edhe 0% në ndërtimin e këtij vendi, por gëzon pushtet përmes llogarive të tij të ulëta politike. Qemajl Aliu, me gjithë hipokrizinë dhe cinizmin e tij, vendos prioritet vetëm aty ku ka interes votash. Ai nuk i sheh njerëzit si vlera, por si numra. Pushtetin e tij e ka mbështetur mbi nepotizëm dhe mbi kërcënime të hapura. Ky është një model i mjerë politikani, që nuk përfaqëson qytetarët, por vetëm interesin personal dhe klanin që e rrethon. Fatkeqësisht, Qemajl Aliu e di mirë që votat nuk do t’i vijnë më nga njerëzit e ndershëm. As ata që dikur e mbështetën, të mashtruar e të zhgënjyer, nuk e besojnë më. Tashmë ai mbështetet vetëm te familja që e ka punësuar në të gjitha institucionet pa asnjë kriter dhe te një grusht servilësh të zellshëm që kanë zgjedhur t’i shërbejnë verbërisht, nga djepi deri në varr.
Injorimi i kontributit të prof., Ahmet Qeriqit përbën një padrejtësi ndaj së vërtetës historike, sepse ky emër është bërë dritë në këtë vend. Nuk mund të fshihet me urdhëra partiakë apo me truqe të zyrave të errëta. Nuk e mbulon dot me shoshë këtë emër, sepse ai verbëron me dritën e vet. Kujtdo që t’i përmendet, do t’i kujtohet puna, përkushtimi dhe sakrifica.
Shtëpia e Kulturës vetëm do të madhërohej me këtë emër, ndaj edhe profesor Ruzhdiu ka insistuar me ngulm që ky emërtim të bëhet realitet. Sepse pas kësaj kërkese qëndrojnë emra të mëdhenj, figura që kanë ndarë një rrugëtim të përbashkët me profesor Ahmetin në periudha të ndryshme të historisë sonë.
Prandaj, le të mbetet në histori: Qemajl Aliu është simboli i turpit në këtë çështje. Ai do të mbahet mend jo për vepra të mëdha, jo për përparim e zhvillim, por për veprat e ulëta, për korrupsionin aty ku ka pasur mundësi, për nepotizmin që e ka shtrirë pa u ndalur, dhe për arrogancën e një pushteti të verbuar nga egoja. Pushka top, o Qemajl Aliu, se emri yt do të kujtohet brez pas brezi jo si lider, por si figurë që është munduar të poshtëroj vlerat më të mëdha të këtij vendi. Një turp i gjallë që rëndon mbi historinë kulturore e institucionale të Shtimes.
Dhe e them me gjithë neverinë që më sjell ky krahasim: më vjen ndot të përmend emrin tënd në të njëjtin tekst me emrin e profesor Ahmet Qeriqit-Babit tim. Por detyrimi moral për të mbrojtur të drejtën dhe për t’i dhënë nder atyre që e meritojnë, më detyron ta bëj.