Arbana Qeriqi: Mes mallit dhe krenarisë për Ty, Babi

Babi, në këta 11 muaj pa TY, çdo ditë ka qenë një bisedë e heshtur me mungesën Tënde. Nuk di çfarë të kujtoj më parë: fjalët, këshillat, pas çdo suksesi, apo qetësinë që na jepte prania jote. Babi- koha pa Ty është e gjatë dhe e rëndë, dhe boshllëku që ke lënë nuk mbushet me asgjë në këtë jetë. Mungesa jote nuk është vetëm dhimbje, është edhe një kujtesë e përditshme e dashurisë, e përkushtimit dhe e forcës që na mësove të kemi.

Po mundohemi të ecim rrugës Tënde, në Radion “Kosova e Lirë” dhe TV Diellin, ashtu siç bëje TI, me dinjitet, me punë të pandalshme. Po punojmë shumë dhe frytet po duken, por gëzimi i tyre është më i zbehtë, sepse mungon ai momenti kur ndaleshim dhe i ndanim bashkë. Ti e dije sa shumë do të thoshte për ne çdo hap përpara. Pas çdo pune të kryer, pas çdo arritjeje, ne gjithmonë bisedonim, gëzoheshim, analizonim, planifikonim. Bënim plane njëvjeçare, shtronim synime dhe e shihnim rrugën përpara me besim në punën tonë. Na mësove të mos dorëzohemi asnjëherë, sepse puna nuk duhet ndalur kurrë, por të rritet me qëndresë nga dita në ditë.

Na kujtoje se RKL e ka pasur lindjen e vështirë dhe se pikërisht ajo e ka bërë të fortë ndër vite. Thoje se mjafton të mos ndalemi, të jemi të vërtetë sepse kështu mbetemi të veçantë dhe të pazëvendësueshëm. Këto fjalë sot janë busulla jonë. Janë amaneti YT, profesional dhe shpirtëror që përpiqemi ta çojmë në vend çdo ditë.

Babi- çdo ditë ndaj kohë në heshtje për TY. Të tregoj si kaloi dita, çfarë punuam, kush erdhi në vizitë, çfarë u tha për TY. Edhe pas 11 muajsh, njerëzit vazhdojnë të vijnë e të shprehin ngushëllime, të sjellin kujtime e fjalë të mëdha për TY. Janë fjalë që na mbushin me krenari dhe jetë, por njëkohësisht ma shtojnë mallin, sepse e kuptoj sa shumë ke lënë gjurmë dhe sa herët u ndave nga ne. Sëmundja të mori heret, shumë shpejt, pikërisht kur mendonim se do të shijoje më shumë kohë me ne, me mbesat e nipërit, me udhëtimet tona të papërfunduara, me planet për në Krojmir dhe me punët që i lamë përgjysmë.

Ne, fëmijët e tu, po përpiqemi fort ta mbajmë fjalën dhe amanetin Tënd në çdo segment të jetës, në punë, në ndershmëri, në qëndrim dhe në përgjegjësi. Nuk është e lehtë. Për mua, personalisht, mungesa jote është plagë e hapur. Ka ditë kur dhimbja bëhet më e rëndë se fjala. Por po mësojmë të jetojmë me të, ta mbajmë si kujtim të shenjtë dhe si forcë për të mos u ndalur.

Babi, jam krenare përjetë që pata një baba si TY — prind shembullor, mësues jete, njeri i drejtë dhe zemërgjerë. Dashuria jote ishte udhëzim, ishte mbrojtje, ishte dritë. Kjo nuk shuhet. Jeton në çdo punë që bëjmë ndershëm, në çdo fjalë të drejtë që themi, në çdo hap që e hedhim me dinjitet.

Me dashuri pa fund, vajza jote — Arbana.

Kontrolloni gjithashtu

VELI VELIU: JEHONA E REÇAKUT NË BOTË        

VELI VELIU: RRUGË E ARBRIT (Poemë)

1. Krenarë ecim rrugëve në Prishtinë, Shokët  e ndjekur ende në mërgatë! Ne çantë mes …