leoni

Arbana Qeriqi:  Mos konstituimi i Kuvendit të Kosovës për 42 seanca rresht, simptoma e një klase politike të rrënuar

Që nga zgjedhjet e fundit në Kosovë, vendi ndodhet në një kolaps institucional të paprecedent. Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës për 42 seanca rresht është pasqyra më e qartë e një klase politike të rrënuar moralisht dhe politikisht, që ka dështuar ta mbrojë vullnetin e qytetarëve dhe funksionimin bazik të demokracisë parlamentare. Ky ngërç nuk është thjesht teknik apo procedural, por një krizë e thellë politike dhe një dëshmi se Republika e Kosovës po shkon drejt degradimit të plotë institucional.

Në epiqendër të kësaj bllokade qëndron partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Duke refuzuar kategorikisht të ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, znj. Albulenë Haxhiu – tashmë e dështuar për më shumë se 40 herë – VV po dëshmon se pushtetin e sheh si pronë private dhe institucionet si platformë inati. Kërkesa minimale e opozitës për ta zëvendësuar kandidaten me një figurë tjetër është jo vetëm e arsyeshme, por edhe si një mundësi reale për të dalë nga ky bllokim. Megjithatë, VV ka zgjedhur kokëfortësinë dhe mungesën e elasticitetit politik mbi përgjegjësinë institucionale. Kjo është përtej arrogancës: është papërgjegjësi shtetërore.

Opozita, në anën tjetër, sado që në këtë rast e ka artikuluar një qëndrim të unifikuar për mosvotimin e zonjës Haxhiu, mbetet një kamp i dobët, i pafuqishëm dhe pa vizion për zgjidhje konkrete. Refuzimi për të propozuar një platformë të unifikuar për daljen nga kriza, mungesa e presionit serioz politik dhe paaftësia për të artikuluar një strategji opozitare, e bëjnë atë po aq përgjegjëse për stagnimin e institucioneve.

Deputetët, përjashtuar ndonjë zë sporadik, janë shndërruar në vegla të heshtura të krizës. Për më shumë se 40 herë, ata janë ulur në karrige vetëm për t’u larguar, duke imituar funksionimin parlamentar pa e ushtruar realisht. Shumica e tyre nuk kanë mbajtur qëndrim të pavarur, nuk kanë marrë guximin për të ndërmarrë ndonjë iniciativë që do të shënonte një kthesë në këtë bllokadë. Kjo tregon një mungesë serioze të integritetit politik dhe përgjegjësisë karshi votës së qytetarëve.

Në vend të mendimit kritik, reflektimit politik dhe propozimeve alternative, kemi një mjegull të plotë mendore që mbulon sallën e Kuvendit. Deputetë që nuk arrijnë ta kuptojnë urgjencën e situatës dhe që sillen si spektatorë të një shfaqjeje pa skenar, janë sinjal i një krize të thellë të përfaqësimit demokratik.

Kosova sot ndodhet në një kolaps të heshtur institucional. Me qeveri në dorëheqje, pa kryetar Kuvendi, pa komisione parlamentare funksionale dhe pa miratim të ligjeve të reja, vendi është bllokuar në një rreth vicioz inercie. Kjo paralizë ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve: nuk ka mbikëqyrje parlamentare të qeverisë, nuk ka debat publik institucional. Janë muaj të humbur për zhvillim, për reforma dhe për ndërtim të shtetit.

Ndërkombëtarët po shohin me shqetësim, qytetarët me indinjatë, ndërsa politika me indiferencë. Kosova po zvarritet drejt një krize të thellë të legjitimitetit dhe funksionalitetit të saj, për faj të një klase politike që s’ka as vullnet e as kapacitet për të qeverisur me dinjitet.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, ju nuk jeni zgjedhur për të heshtur, për të pritur direktiva partiake, apo për t’u shfaqur ceremonialisht në seanca që nuk mbahen. Ju jeni aty për të përfaqësuar popullin, për të garantuar funksionimin e shtetit dhe për të qenë zëri i interesit të përgjithshëm, jo pjesë e një loje të shëmtuar politike.

Nëse nuk jeni në gjendje të thoni të vërtetën, nëse nuk jeni në gjendje të ndërmerrni përgjegjësi, atëherë më mirë dorëhiquni sesa ta mbani peng një vend të tërë. Qytetarët nuk presin më justifikime, por veprime. Kosova nuk meriton një Kuvend të bllokuar për inat të një emri. Dalja nga kriza fillon me vullnet politik, guxim moral dhe sakrificë për shtetin – nëse keni ndonjë nga këto, është koha t’i dëshmoni.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Daku: Nderim për bashkëluftëtarin Afrim Nuhiu

Nderim për bashkëluftëtarin Afrim Nuhiu – Uniteti.  Pensionimi i njërit prej luftëtarëve më të përkushtuar …