Arbana Qeriqi: Në katër mujorin e shkuarjes në amshim të Babit

Katër muaj pa ty, babi. Katër muaj, pa mendimin tënd gjithmonë të kthjellët, pa praninë që për mua s’ka asnjëherë zëvendësim. Katër muaj pa ty fizikisht, por me ty gjithmonë në zemër, në kujtim, në çdo hap të jetës e të punës.

Lidhja jonë ka qenë e veçantë gjithmonë, por u bë edhe më e fortë gjatë 25 viteve që i kaluam bashkë në radio. Nuk ka moment kulmor të karrierës sime që nuk e kam ndarë me ty. Ishte e natyrshme – TI, ishe aty për çdo nismë timen, për çdo sfidë, për çdo arritje. TI, ishe si një busull që më orientonte, një urë që më çonte tutje, një zë që gjithmonë më jepte siguri.

Që katër muaj çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, kur hyj në punë, më ndalon hapi para fotografisë tënde në mur. Të përshëndes me shpirtin plot mall. Kur më merr malli për zërin tënd, ndonjëherë kthehem te intervistat e Tua në TV “Dielli”, që më sjellin pak ngushëllim. Ato nuk janë vetëm kujtim, janë shkollë më vete – plot dije, urtësi, përkushtim. Sa herë që i dëgjoj, më duket sikur më flet, sikur më këshillon ende…

Ndonjëherë, kur thellohem në punë dhe më duhet një mendim, një sugjerim, ngrihem pa vetëdije nga vendi, nis të shkoj drejt zyrës sate, si dikur. Por ndaloj. Realiteti më përplas në fytyrë – ti nuk je më aty. Sa e rëndë është kjo mungesë. Sa bosh është tani radioja pa TY- BABI>. Në çdo rubrikë ndihet mungesa jote – shkrimet Tua, analiza, mendimi Yt gjithmonë i saktë.

Edhe sot, katër muaj më pas, njerëzit vazhdojnë të vijnë për ngushëllime. Askush nuk vjen vetëm për një rit zakonor. Vijnë sepse të kanë dashur, të kanë respektuar. Sepse mungesa jote është plagë e përbashkët për të gjithë ata që të njohën dhe të dëgjuan.

Ne, fëmijët e tu, po mundohemi të ecim në hapat e tu. Nuk po ndalemi, por nuk e dimë nëse po ia dalim. Sepse mungon TI, shtylla jonë, drita jonë e parë dhe e fundit.

Takohemi çdo javë në Krojmir, te varri YT. Sa ftohtë e sa rëndë është aty pa TY. Sa e zymtë bëhet ajo tokë pa buzëqeshjen tënde, pa dorën tënde që na përkrahte gjithmonë.

Babi, ike herët në botën e amshuar. Shumë herët. Por nuk ishte në dorën tënde. Vendosi dikush tjetër. E ne mbetëm këtu, me dhimbjen, me mallin, me mungesën që nuk shuhet kurrë.

Të dua pafundësisht, Babi. Do të të dua gjithmonë. Në çdo hap të jetës sime, në çdo tingull të radios, në çdo kujtim. Do të jesh aty – pjesë e përhershme e imja.

Pusho në paqe, Babi im. ❤️

 

 

Kontrolloni gjithashtu

OVL e UÇK- së, ka uruar dhe ka shprehur mirënjohjen e përjetshme për popullin e ShBA-së, me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë

Përmes një njoftimi për medie, OVL e UÇK-së thekson se populli amerikan ka qenë gjithmonë …