leoni

Arbanë Q. Gashi: Ylmize Tafallari, një margaritar i rrallë i këngës burimore shqiptare

Arbanë Q. Gashi: Ylmize Tafallari, një margaritar i rrallë i këngës burimore shqiptare

Një këngëtare, që ka sjellë risi në këngën shqiptare të trevave të Sharit,  është edhe Ylmize Tafallari, e cila në skenën folklorike shqiptare, ka bërë një lidhje mes krahinës së Hasit, Opojës e deri në Tetovë, Gostivar e tutje. Duke qenë në kontakt me këngën e mallit, të kurbetit, që i ka shkretuar sidomos banorët e  zonave malore shqiptare, ajo ka filluar rrugëtimin artistik duke u futur në botën magjiplote të këngës shqipe, ku  dikur ka hyrë e ndrojtur dhe e kursyer, për  të zënë pastaj një vend të rëndësishëm, madje të një niveli, që kap majat e këngës së sotme shqipe, si për nga zëri, ashtu edhe për mënyrën profesionale dhe burimore  të këndimit.

Kënga  dhe muzika shqiptare përgjithësisht është shumë e pasur si për nga ritmi, melodia, mënyra e këndimit,  instrumentet e shumta autentike, me të cilat përcillet dhe ekzekutohet ajo,  por edhe ato veçoritë karakteristike  të botës muzikore, të artit të muzikës përgjithësisht. Pikërisht sepse kjo botë autentike dhe shumë e pasur muzikore ofron mundësi të pashtershme të këndimit këngëtaret e këngëtarët shqiptarë kanë pasur dhe kanë mundësi të ndërtimit të stileve të veta, kanë mundësi të shprehin botën e tyre të pasur  artistike, me të gjitha format  e shprehjes. Disa nga këngëtaret si Ylmize Tafallari, Shkurte Fejza, Dava Gjergji, Prena Beci, Mrika Trumshi  e të tjera  me kohë kanë hetuar shumësinë e shprehjes, të ritmeve, të motiveve që ofron kënga shqipe dhe e kanë vjelë “nektarin”, duke e pasuruar e përpunuar atë në kushte dhe rrethana të caktuara të rrugëtimit dhe emancipimit muzikor.  Po kështu, këto këngëtare kanë pasur edhe mësueset e veta, nga të cilat kanë mësuar por edhe janë frymëzuar, sepse shkolla kombëtare muzikore e Marie Krajes, Tefta Tshkos, Luçije Milotit, Fitnete Rexhës, Hafsa Zyberit, Naile Hoxhës, Fatime Sokolit, Liri Rashes  Feride Kurtit, Drane Gegës, Hanife Sejfullah Reçanit, Gongje Manakovës, Nexhmije Pagarushës, Nazmije Hoxhës e këngëtare të tjera, kanë ushtruar ndikim të duhur në ruajtjen dhe mbëltimin  e trashëgimisë muzikore shqiptare të pjesëve veriore të vendit.

“Ngjyra” e zërit dhe fonetika e pastër e shqiptimit të fjalëve të këngëtares, Ylmize Tafallari,  pastaj shpalosja e forcës së motivuar të qasjes ndaj këngës dhe përmbajtjes së saj, aftësia për të kaluar nga një fjalë te fjala tjetër në thyerje të shumta të zërit, duke i dhënë këngës sa më shumë energji e motivacion, manifestimi  i një paraqitjeje dinjitoze gjatë këndimit, janë vetëm disa nga shumë tipare të tjera të këngëve të kësaj këngëtareje, e cila duket se është lindur për të sjellë në botën shqiptare të këngës, mallin e mallëngjimin  e thellë  madje edhe historik të jetës shqiptare, aq shpesh të plagosur gjatë shekujve. Këndimi serioz dhe shumë i natyrshëm që rrjedhë si gurrë malore e alpeve shqiptare, tingujt e kombinuar me mjeshtëri artistike, përzgjedhja me vëmendje e motiveve, duke i dhënë secilës këngë koloritin e vet, bën që këngët e Ylmize Tafallarit të shënojnë kulme të këndimit artistik shqiptar. Ajo, me shumë përkushtim e dashuri ndaj këngës ka arritur të sintetizojë sidomos këngën e trevave shqiptare duke filluar nga Hasi, Opoja, Malet e Sharit e deri te Tetova e Gostivari, që është edhe specialitet i këndimit të saj të mrekullueshëm, një sintetizim i muzikalitetit natyral dhe burimor të këtyre viseve.

Këndimi i këngëve nga Ylmize Tafallari ka mjaft veçanti origjinale, meqë ajo tashmë ka krijuar stilin e saj  të këndimit, ka zgjeruar repertorin me këngë të motiveve të ndryshme e të shumta, madje edhe këngë të veçanta për dëshmorët, të cilat i manifeston me një këndim të apasionuar, me një dashuri të veçantë e të përkushtuar  për secilën këngë dhe me një fonetikë të pasur të shqiptimit plot melodi të tingujve magjeps.

Prania e saj në Panteonin e muzikës popullore dhe folklorike shqiptare, paraqet një begati të shprehjes origjinale dhe profesionale të këngës, sidomos me talentin e lindur për të manifestuar magjinë e mrekullinë e saj si këngëtare e nivelit shumë të arritur nga formati artistik.

 

Motivet e këngëve të kësaj këngëtareje janë të njëjta dhe karakteristike në veçanti për trevën e cila e ka lindur, edukuar dhe pastaj ia ka falur e përkushtuar  botës së këngës magjiplote shqiptare. Thyeja e zërit me asonanca e disonanca tingëllore, “ngjyra” e zërit, fuqia e nxjerrjes  dhe përpunimit e latimit të tingujve të këngës së Ylmize Tafallarit, ia shtojnë asaj  vlerat zanore dhe shprehëse, i bëjnë ato antologjike në konkurrencën e vlerave, sepse ajo jep gjithçka nga vetja gjatë këndimit, pa kursyer asnjë komponent të mundshëm të shprehjes muzikore, nga talenti i saj i lindur për këngë.

Një vlerë tjetër e kësaj këngëtareje është qasja serioze ndaj çdo kënge  duke i dhënë secilës përkushtimin dhe seriozitetin gjatë këndimit, duke u kursyer  me lëvizje, në raste të caktuara edhe ekzaltuese, të cilat burojnë nga përmbajtja e këngës.

Orkestrimi profesional i muzikës, nga ekzekutues të talentuar të veglave muzikore, në një orkestrinë të kombinuar me instrumente tradicionale dhe vegla të reja muzikore ia shton madhështinë këngëve të kësaj këngëtareje,  që ka arritur nivele të larta të këndimit burimor, artistik e profesional. Orkestrimi  virtuoz dhe zëri i saj njëzohen dhe plotësojnë njëri tjetrin, duke arritur në një tërësi të magjishme, integrale,  ku tingujt zanorë bëhen bashkë me tingujt muzikorë dhe krijojnë në tërësi të lidhur harmonike, e cila përvetëson magjishëm dëgjuesin.

 

E veçanta e këndimit të kësaj këngëtareje është edhe lehtësia me të cilën ajo i këndon jo vetëm këngët specifike të krahinës së Sharit, Tetovës e tutje por edhe këngët e tjera të veriut  të Shqipërisë e të Kosovës, të cilat për nga mënyra e këndimit janë më të thjeshta dhe nuk imponojnë specifika  gjatë  këndimit sikur atë të zonave të Kërçovës, Tetovës e më gjerë.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …