Arbanë Qeriqi: Intervistë me veprimtaren dhe të burgosurën politike, Kadrie Gashi-Myrtaj

Kadrie Gashi i takon brezit të studenteve shqiptare, të cilat në vitin 1981 nuk kishin prioritet kryerjen sa më parë të studimeve, por fuqizimin e Lëvizjes kombëtare në mbështetje të kërkesave për Kosovën Republikë. Në pranverë dhe në verë të vitit 1981, u angazhua për ta jetësuar idealin e çlirimit të trojeve  shqiptare fillimisht me krijimin e  Republikës së Kosovës  për  të gjithë shqiptarët në Jugosllavi, pastaj edhe bashkimin me Shqipërinë. Ka qenë e organizuar në Lëvizjen për krijimin e Republikës  së Kosovës dhe ka vepruar në Organizatën  e PKMLSHJ-së për Shtime dhe Ferizaj. Për shkak të veprimtarisë së saj revolucionare, në vitin 1982  është dënuar gjashtë vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

 

Motra Kadrie, mirë se keni ardhur në Radion-Kosova e Lirë! Fillimisht a mund të na  thoni, cilat kanë qenë rrethanat politike e shoqërore në Kosovë e më gjerë, që quan në shpërthimin e  demonstratave të vitit 1981?

Kadrie Gashi-Myrtaj: Siç dihet, pozita e popullit shqiptar nën pushtimin gati gjysmëshekullor të Jugosllavisë titiste, ishte pozitë e një populli të rendit të dytë. Vitet e fundit të dekadës së tetë dhe fillimi i dekadës së nëntë të shekullit 20 u karakterizuan nga një krizë e thellë ekonomike. Kjo krizë ishte pasojë e domosdoshme e kalbëzimit të sistemit ekonomik hibrid gjysmë-kapitalist të këtij shteti. Si e tillë, ajo, domosdo do të reflektohej edhe në sistemin politik të ashtuquajtur të vetëqeverisjes socialiste. Mendoj se ishte pikërisht kjo krizë e përgjithshme ekonomike e politike shkaku i fillimit të procesit të pandalshëm të shthurjes së shtetit jugosllav të dominuar nga Serbia dhe politika e saj. Atmosfera e këtyre rrethanave, më shumë së në çdo njësi tjetër të federatës jugosllave, po  pasqyrohej në krahinën me status të dominimit të dyfishtë të Kosovës (Kosova si krahinë ishte njësi konstituive e federatës jugosllave, por njëkohësisht edhe pjesë përbërëse e shtetit të Serbisë) dhe te populli shqiptar, ndaj të cilit urrejtja, shtypja dhe diskriminimi i politikës shtetërore dolën në sipërfaqe. Diskriminimi ekonomik, politik, kulturor e nacional i shprehur haptazi ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera nën Jugosllavi, tashmë po përgënjeshtronte edhe politikën nacionale të këtij shteti, e cila politikë ishte vetë-reklamuar si më e drejta dhe më autentikja në zgjidhjen e çështjes së pakicave kombëtare të quajtura me terminologjinë jugosllave si kombësi. Këto, pra, ishin rrethanat që çuan në krijimin e parakushteve objektive të shpërthimit të dufit të madh popullor demonstrues të shqiptarëve në pranverën e hershme të vitit 1981, e jo siç thuhej dhe mund të dëgjohet edhe sot mendimi se shpërthimi i krizës në Jugosllavi, në fillim të viteve ’80 ishte pasojë e vdekjes së Titos në maj të vitit 1980 dhe e mungesës së një udhëheqësi autaritativ!

Nga ana tjetër, me hap të shpejtë ishin krijuar e pjekur edhe parakushtet subjektive, si rezultat i ngritjes së ndërgjegjes kombëtare e politike, veçanërisht të rinisë, por edhe të shtresave të tjera të popullatës shqiptare. Një rol të padiskutueshëm në ngritjen e kësaj ndërgjegje, përveç etjes dhe hovit të shqiptarëve për arsimim që shkaktoi hapja e universitetit të Prishtinës, demonstratat e vitit 1968 dhe bashkimi rreth flamurit kombëtar në vitet ’60, po luante edhe politika e sforcuar kombëtare e shtetit amë, Shqipërisë, e si kurorëzim i të gjitha këtyre ndikimeve, edhe lëvizja e organizuar kombëtare në Kosovë, e cila duke rënë e duke u ngritur nuk e pushoi për asnjë çast veprimtarinë e vet në përpjekje për ta çliruar popullin shqiptar dhe trojet e tij nga sundimi serb e jugosllav. Pra, të gjitha këto rrethana së bashku rezultuan në shpërthimin e demonstratave në Mars e Prill të vitit 1981, me të cilat filloi një epokë e re për Jugosllavinë titiste-epoka e shpërbërjes definitive të një krijese artificiale e cila ishte krijuar pas Luftës së Parë Botërore me Paqen e Versajit dhe që prej atëherë, ndaj shqiptarëve ishte zbatuar politika shtypëse, pavarësisht prej formës së sistemit. Ky proces i shpërbërjes u rrumbullakësua me përfundimin e luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Qershor të vitit 1999.

Ju keni vepruar  në kuadër të Organizatës së quajtur Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi. Cili ishte programi i kësaj lëvizjeje?

 

Kadrie Gashi-Myrtaj: Po. Unë kam vepruar në mënyrë të organizuar në kuadër të organizatës së fshehtë e quajtur Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi. Siç dihet, qëllimi dhe programi politik i kësaj organizate ishte realizimi i aspiratës së shqiptarëve për republikën e Kosovës dhe të viseve të tjera të banuara nga shqiptarët nën Jugosllavi. Mirëpo, kjo ishte menduar të ishte vetëm një zgjidhje taktike e çështjes shqiptare në Kosovë e në trevat e tjera të pushtuara, përndryshe, sikurse edhe anëtarët e organizatave të tjera simotra të fshehta që kishin vepruar më parë dhe po vepronin në atë kohë në Kosovë, edhe unë si individ, qëllim të fundit kisha realizimin e platformës politike të lëvizjes historike kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare.

Cila ka qenë bërthama për veprimtari atdhetare, të cilën e keni krijuar dhe kush kanë qenë anëtarët e organizatës?

Kadrie Gashi-Myrtaj: Siç dihet, forma e organizimit të shumicës së organizatave të fshehta të lëvizjes sonë kombëtare në rrethanat e atëhershme ka qenë ajo e celulave të përbëra në treshe. Mirëpo, në raste të veçanta kjo formë e organizimit ka bërë përjashtime dhe celula mund të përbëhej nga dy , apo edhe nga katër anëtarë. Treshja, pastaj formonte dhjetëshen, e kështu me radhë. Në përgjithësi, zgjerimi i organizatës bëhej në mënyrë zingjirore, në pikëpamje të shtresimit shoqëror dhe në pikëpamje të shtrirjes territoriale. Disa prej anëtarëve të celulës me të cilat kam vepruar kanë qenë veprimtaret e veprimtarët: Lumnie Azemi, Fatime Gjinolli, Nazmi Shahini, Reshat Gashi, Ymer Shahini, Ruzhdi Shahini, Nebih Shahini, Ali Biba etj.

 Zonja Kadrie, në cilat burgje e keni vuajtur dënimin dhe si keni qenë e trajtuar Ju dhe shoqet e tjera, të burgosura për veprimtari  atdhetare dhe pjesëmarrje në revoltën popullore të vitit 1981?

Natën e parë të burgut, me rastin e arrestimit më 16 Nënëtor 1981, e kam kaluar në burgun e Prishtinës. Pastaj më kanë dërguar në burgun e Mitrovicës, ku kam qëndruar një vit,derisa më kanë transferuar në burgun e Lipjanit dhe së fundi në burgun e Pozharevcit në Serbi, prej ku edhe jam liruar në Tetor të vitit 1986.

Sa i përket trajtimit tim dhe të shoqeve të mia, mbase do të ishte e tepërt të flitej, pasi është vështirë të përshkruhet ai, e edhe më e vështirë që të kuptohet prej atyre që nuk e kanë përjetuar. Ky trajtim ishte si ai ndaj personazhit 101 në kampin e Mat’hausenit, i përshkruar në veprën “Shkëndija e Jetës”. Unë nuk mund ta harroj dot natën e parë të tmerrit në burg, kur me urdhrin e kriminelit Mehmet Maliqi, i cili në atë kohë ishte në krye të UDB-ës në Kosovë, më kanë torturuar mizorisht  inspektorët shqiptarë. Përveç kësaj, udbashët shqipfolës ia dhanë kënaqësinë edhe një bashkë-krimineli të tyre serb që të shfrynte urrejtjen e tij shoviniste mbi mua, edhe duke më lidhur për karrigeje. Ndërsa tre kriminelët shqiptarë po më mbanin të mbërthyer, ai serb po më godiste me tërë fuqinë. Disa prej emrave të këtyre kriminelëve mbaj në mend të përmendeshin: Hasan Mehmeti nga Prishtina,  Adem Goga, inspektori kryesor  nga Ferizaj, udbashi i quajtur Afet nga Kaçaniku, Halit Loku etj.

Trajtimin e të rinjve shqiptarë në hetuesi e në burgjet jugosllave e pasqyronin edhe muret e dhomave dhe të banjove gjakosura me  gjakun e tyre. Si pasojë e torturave fizike, në atë kohë shumë të rinj patën vdekur apo u patën çmendur. Rasti i të riut, Afrim Abazi, nxënës i shkollës së mesme në Ferizaj, i cili ishte mbytur në tortura në UDB-ën e Ferizajt dhe pastaj ishte hedhur nga katet e larta të ndërtesës, ishte njëri prej shumë rasteve të tilla të krimit.

Në ditën që më nxorën nga dhoma e burgut të Prishtinës për të më transferuar në burgun e Mitrovicës, më 17 Nëntor 1981, si pasojë e torturave fizike unë nuk mund të ecja për shkak të ënjtjes së këmbëve. As këpucët nuk mund t’i mbathja se nuk më nxinin këmbët. Dy inspektorë të UDB-ës më tërhiqnin zvarrë korridorit të stërmbushur me policë të të gjitha viseve të Jugosllavisë. Në mesin e tyre kishte qenë edhe një polic i moshës rreth 30 vjeç, i cili shprehu dhembje kur më pa në atë gjendje dhe për habi iu drejtua kolegëve të vet me fjalët:“çfarë keni bërë kështu zoti ju vraftë”! Akti i guximit dhe keqardhjes së atij polici nuk më është hequr nga mendja dhe më dha kurajo që të mendoja se megjithatë ndjenja njerëzore nuk kishte vdekur dhe ajo mund të ngadhënjente mbi krimin.

Sjellje kriminale mbi të burgosurat politike nuk demonstronin vetëm hetuesit kriminelë, por edhe personeli i burgut, vetëm e vetëm që të zbatonin politikën jugosllave të shtypjes e represionit ndaj qëndrimeve tona politike. Një urrejtje të kamufluar dhe cinike pat shprehur edhe drejtoresha e atëhershme e burgut të Lipjanit, Shpresa Kuçi, ndonëse sjelljet tona ishin shumë korrekte. Mirëpo, në anën tjetër dëshiroj ta përmend edhe qëndrimin e guximshëm të oficeres së atëhershme të burgut të Lipjani, Bedrie Syla, e cila në vazhdimësi na ka qëndruar pranë, për aq sa e kanë lejuar rrethanat e atij ambienti.

Ndoshta është vendi të përmendet edhe fakti tjetër se edhe në rrethana të tilla, shumë prej të burgosurave politike e vazhdonin veprimtarinë e organizuar në burg, me qëllim që të përgatiteshin për të vepruar edhe pas daljes nga burgu. Pra, edhe atje vepronim në kuadër të celulave. Për shembull, një celulë të tillë, në burgun e Lipjanit e përbënim unë, Nazife Xhemaili nga fshati Komogllavë i Ferizajt dhe Akile Dedinca nga fshati Vragoli i Fushë Kosovës, ndërsa celula tjetër përbëhej nga Minire Ramadani nga fshati Talinovc i Ferizajt,Hafide Topalli nga Gremja e Ferizajt dhe Florije Hajrullahu, po ashtu nga një fshat i komunës së Ferizajt…

Edhe pas daljes nga burgu nuk e keni ndërprerë aktivitetin atdhetar, por keni mbajtur kontakte me shoqet e burgut, jeni angazhuar në konsolidimin e radhëve, keni bërë plane dhe keni vepruar në kushtet dhe rrethanat ekzistuese gjithnjë e më të vështira. Si jeni gjendur asokohe, si keni vepruar?

 

Kadrie Gashi-Myrtaj: Edhe pse prindërit e mi dhe gjithë familja ime kishin vuajtur shumë në vitet sa kisha qëndruar në burg, unë prapë vazhdova aktivitetin atdhetar, duke pasur parasysh faktin se edhe më të tmerrshme ishin vuajtjet e Kosovës së robëruar. Rënkimet e saj ishin të papërballueshme për secilin që kishte ndjenjë atdhedashurie.

Në atë kohë, prindërit dhe vëllai ma kishin lënë në dispozicion shtëpinë e ndërtuar në vitin 1981, që ishte edhe një përkrahje më tepër që unë të mund të veproja e papenguar, ndërkohë që familja të angazhohej rreth mbijetesës së saj ekonomike. Për sigurimin e mjeteve për jetesë, por edhe për ta krijuar një lloj mbulese për angazhimin që bëja, edhe unë hapa në shtëpi një shitore private, e cila shërbente edhe si një lloj baze e veprimtarisë së organizuar me shumë prej bashkëveprimtareve dhe bashkëveprimtarëve. Në rrugën e veprimtarisë sime ilegale, edhe pse në moshë të re, më ka shoqëruar edhe djali i vëllait tim Fahredini, i cili pa u lodhur shpërndante trakte, mbante lidhjet, madje bartte edhe armatim nga njëra trevë te tjetra…

Gjithashtu gjatë asaj  periudhe dramatike nëpër të cilën po kalonte Kosova, përkrahës imi i palodhshëm dhe shtyllë e fortë, që bënte të ndihesha edhe më e sigurt, ishte edhe profesori im i gjuhës shqipe i shkollës së mesme, po ashtu i burgosur politik, Ahmet Qeriqi, me të cilin kam edhe lidhje familjare.

Vetëm pas luftës së UÇK-së dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia,  iu keni rikthyer studimeve, të cilat edhe i keni kryer. Edhe bashkëshorti Juaj, Nezir Myrtaj ka qenë i burgosur politik i viteve ‘80 dhe njëri ndër veprimtarët më të dalluar dhe më konsekuentë të Lëvizjes Kombëtare. Keni një djalë, tashmë student dhe të tre jetoni në Prishtinë. Si ju duket tani e  kaluara dhe të arriturat në familje dhe në shoqëri?

 

Karie Gashi-Myrtaj: Siç dihet, pothuajse të gjithë të rinjve shqiptarë, kundërshtarë të shtetit jugosllav pas demonstratave të vitit 1981u ishte mohuar e drejta e vazhdimit të shkollimit. Nga ana tjetër dëshirën për shkollim e demotivonin edhe rrethanat e përgjithshme të shtypjes kombëtare që mbretëronin në Kosovë, duke përfshirë pastaj edhe gjendjen e rëndë ekonomike. Prandaj, edhe për mua, pas daljes nga burgu, nuk ishte fare në rend të parë synimi për ta vazhduar shkollimin, e lëre më për ta gjetur një vend pune. Këto synime i kam realizuar tek disa vite pas çlirimit të Kosovës. Dua të them se edhe pas përfundimit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra edhe në Kosovën e lirë kam pritur disa vite derisa më 2003 kam arritur ta gjej një vend të thjeshtë pune, fillimisht si asistente, e cila për mua dhe moshën time ishte pozitë degraduese, e pastaj si zyrtare për monitorim dhe tash zyrtare për barazi gjinore në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Disa kohë, bazuar në trajtimin çfarë kisha, edhe në këtë vend pune e ndieja veten krejtësisht të huaj, madje gati si dikur në qeli burgu. Mbase kjo pozitë dhe ky trajtim më shtynë të marr forcë dhe në vitin 2004 regjistrova studimet me korrespondencë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilat i përfundova në afatin rekord, madje edhe me mesatare të lartë të notave. Natyrisht, ky hap nuk ishte sfidë e lehtë për mua, që si familjare, si grua dhe si nënë, t’u përkushtohesha studimeve krahas orarit të plotë të punës. Motivi i këtij përkushtimi nuk ishte synimi për karrierë e pozitë, por përkundrazi ishte ndjenja që më shkaktonte përçmimi nga rrethi injorant ku unë punoja, ku çmohej letra e jo virtyti e dinjiteti njerëzor.

Sa i përket pjesës së pyetjes tuaj për të kaluarën dhe bilancit të të arriturave në familje e në shoqërinë tonë, mund të them se për të kaluarën mbase nuk kemi çfarë të shtojmë. Për këtë vend e për këtë popull kemi bërë kush sa ka pasur mundësi, aq sa na ka thënë ndërgjegjja jonë dhe aq sa kemi pasur zemër. Unë për vete jam përpjekur të mos kursej asgjë nga vetja e familja për ta pare të lire Kosovën. Mendoj se ishte fat i madh dhe krenari që përjetuam edhe luftën çlirimtare, pavarësisht se ajo, si çdo luftë tjetër, kishte tmerret e saj. Mirëpo, aq sa ishte fat dhe krenari që ishim bashkëkohës, mbështetës dhe pjesëmarrës të kësaj lufte, mjerisht sot duhet të them se po aq të pafat dhe jo krenare e ndiej veten që jam bashkëjetuese e realitetit të uzurpuar nga një shtresë manipulantësh, në emër të gjakut e të luftës së shenjtë të UÇK-së. Me meritën e këtyre manipulantëve uzurpatorë, vegla të “miqve ndërkombëtarë” dhe profiterë ordinerë, menjëherë pas luftës çlirimtare Kosova u orientua në rrugën drejt Serbisë drejt së cilës po vazhdon të shkojë edhe sot dhe mjerisht tashmë mund të konstatohet se ajo nuk ka as gjysmën e lirisë që kishte menjëherë pas luftës. Paaftësia e popullit tonë për t’i marrë në duart e veta fatet e Kosovës dhe për t’ia pamundësuar shtresës së profiterëve që ta përdorë atë si pronë çifliku, po rrezikon t’i hakmerret të ardhmes së saj dhe gjeneratave që do të vijnë. Mendoj se për rikthimin e asaj që ka humbur Kosova në vitet e pasluftës çlirimtare, gjeneratave të ardhshme do t’u duhet të përjetojnë tmerrin që kemi përjetuar ne dhe ata para nesh. Nëse do të jetë kështu, mallkimi do të jemi ne.

Është për keqardhje fakti se pjesë e shtresës që e çoi Kosovën deri këtu, në prag të zgjedhës së re serbe, u bë edhe një numër jo i vogël i ish të burgosurve politikë. Të yshtur nga lakmia për karrierë e kapital, ata harruan idealin, betimin dhe çdo parim mbi të cilin e kishin mbështetur veprimin e dikurshëm atdhetar dhe u bënë prapavijë e fortë mbështetëse e proceseve degraduese e antikombëtare në Kosovën e pasluftës. Si të tillë ata shkelën frytet e kontributit dhe të vuajtjeve të tyre të dikurshme, si dhe ato të luftës së UÇK-së…

Në rrafshin familjar, unë e bashkëshorti im, Nezir Myrtaj, pas të gjitha angazhimeve dhe arritjeve në të kaluarën dhe të tashmen, mund të them se të vetmin satisfaksion dhe frymëzim jetësor e kemi djalin tonë të edukuar e të mrekullueshëm, Endritin, i cili tash është student në Fakultetin e Mjekësisë. Ai na e plotëson dhe mbush jetën me shpresë…

 Ju falënderojmë për intervistën!

 Faleminderit juve.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

– “Në Tepelenë ka disa grupe labe që mbajnë gjallë dhe mbartin këngën më të …