Ish-deputeti i LDK, Arben Gashi, ka komentuar zhvillimet në veri të vendit dhe mënyrën se si kanë vepruar qeveritë e ndryshme që nga shpallja e pavarësisë. Në një shkrim të publikuar në profilin e tij, Gashi ka përmendur marrëveshjet dhe veprimet e qeverive të udhëhequra nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti. Ai kujtoi marrëveshjet e kaluara për pikat kufitare dhe Asociacionin, si dhe rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit gjatë qeverisjes Haradinaj. Duke u ndalur te periudha e fundit, Gashi vlerësoi se nën qeverinë Kurti është zgjeruar ndjeshëm autoriteti i institucioneve të Kosovës në veri. Pas sulmit në Banjskë dhe rënies së policit Afrim Bunjaku, janë çmontuar strukturat kriminale të lidhura me Serbinë dhe Listën Serbe, ndërsa në veri nuk ka më demonstrime të organizuara nga strukturat paralele. Ai theksoi se sot “ka më shumë shtet të Kosovës se kurrë më parë”. Gashi shton se paralelisht me këtë zgjerim të autoritetit shtetëror, kryeministri Albin Kurti ka nënshkruar Marrëveshjen e Parimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, e cila në nenin 7 parasheh “vetëmenaxhim për komunat me shumicë serbe”. Po ashtu, ai përmend edhe pranimin e marrëveshjes së sekuencimit në Ohër. Sipas Gashit, këto dy veprime e rrisin peshën juridike të konceptit të vetëmenaxhimit më shumë sesa marrëveshjet e arritura më herët nga Thaçi–Daçiç dhe Mustafa–Vuçiq.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
