Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se kriza institucionale në Kosovë nuk buron vetëm nga konfliktet politike apo paqartësitë kushtetuese, por nga mungesa e kulturës së kompromisit politik. Sipas tij, logjika e kompromisit është themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës, duke theksuar se çdo sukses institucional ka pasur bazë kompromisin historik, ndërkombëtar dhe kushtetues. Gashi ka vlerësuar se kultura e dominimit politik ka prodhuar tensione të vazhdueshme në funksionimin e institucioneve dhe ka vështirësuar bashkëpunimin ndërmjet forcave politike. Ai ka theksuar se vendi përballet me dy alternativa: ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të kompromisit politik përmes forcimit të bashkëpunimit ndërpartiak, ose kalimin drejt një sistemi më të fortë mazhoritar. Sipas Gashit, një sistem i tillë mund të rrezikojë dominim autoritar dhe të krijojë tensione të reja politike brenda vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
