Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar nga liderët politikë që të lënë mënjanë qëndrimet personale dhe të ulen në tryezë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të zgjidhur krizën institucionale që ka mbërthyer vendin. Gashi ka bërë thirrje edhe ndaj kryetarit të partisë së tij, Lumir Abdixhikut, që të pranojë bisedimet me Kurtin, qoftë edhe për të dakorduar rrugën drejt zgjedhjeve të reja. “Është e papranueshme që një politikan i Kosovës të ulet nesër me Vuçiqin, por të mos pranojë të ulet me Kurtin apo Abdixhikun,” deklaroi Gashi, duke e cilësuar këtë qëndrim si të paarsyeshëm dhe joracional. Megjithatë, ai e pranoi se sjellja e Kurtit në pushtet dhe mënyra se si është trajtuar partneriteti me LDK-në në të kaluarën kanë qenë problematike. Kurti duhet të kërkojë falje për gjuhën fyese dhe qasjen përçarëse, duke marrë përgjegjësi për krizën aktuale. “Ka ende mundësi për marrëveshje. Duhet të mendojmë objektivisht dhe të jemi më konstruktivë. Vendi ka nevojë për zgjidhje, jo për inate politike,” përfundoi Gashi.
