vipa
driloni com
Fillimi / Tema Historike / Arben Saliu: Mit’hat Frashëri, Napoleon Zervo dhe Çamët
Çamëria

Arben Saliu: Mit’hat Frashëri, Napoleon Zervo dhe Çamët

Botimi ditët e fundit i ciklit të shkrimeve në ‘DITA’ rreth marrëveshjes së Mukjes dhe prishjes së saj nga Enver Hoxha, hodhi më shumë dritë mbi aktivitetin kuisling dhe antikombëtar të Ballit Kombëtar. Ka dalë fare qartë se Balli kishte hyrë në rrugën e një tradhtie kombëtare para dhe pas Mukjes 75 vite më parë, rrugë që e vazhdojnë me konsekuencë pasardhësit e tyre. Po bashkohem edhe unë me ata historianë të nderuar që kanë argumente dhe fakte e dokumente, duke treguar se prishja e Mukjes ka qenë më shumë se e domosdoshme, pasi e shpëtoi Shqipërinë nga një luftë e mundshme civile. Në Arkivin e Shtetit unë kam gjetur dokumentet se si Mit’hat Frashëri, në emër të partisë Balli Kombëtar që kryesonte, i drejtohet Partisë Nacionaliste greke për marrëveshje, ndërkohë që të njëjtën gjë e ka bërë me partinë nacionaliste jugosllave të Mihajlloviçit.

***

Shembja e modelit parti-shtet  çeli rrugën e mirëpritur për demokratizimin e jetës së vendit. Ky proces vital, krijoi hapësira edhe për rishikimin e historisë  të popullit tonë, me qëllim që ajo të  zhvishej nga politizimi i tejskajshëm dhe e vërteta lakuriqe të dokumentohej nëpërmjet  fakteve të pakontestueshme të nxjerra nga burime të ndryshme arkivore. Megjithëse hapat në këtë drejtim nuk kanë munguar, diversiteti i pikëpamjeve ka provokuar edhe polemika të mëdha në media.

Ajo që vazhdon të mbetet “thembra e Akilit” në këtë sipërmarrje, padyshim është trajtimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nëse kjo luftë ishte civile apo jo dhe cili qe roli i forcave politike në këtë periudhë. Historianë potentë shqiptarë dhe studiues seriozë  të huaj  nuk kanë qëndruar indiferentë për këto çështje. Ata e kanë thënë fjalën e tyre nëpërmjet botimit të punimeve të tyre shkencore, por për ironi të fatit,  megjithë trajtesat e tyre, ne s’kemi ende një punim përfundimtar të pranuar konsensualisht nga palët kontestuese.

Në këtë rrokopujë, ridalja në skenë e  Ballit Kombëtar, që krahas  Lëvizjes së Legalitetit, është një nga dy partitë e vjetra nacionaliste të formuara gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, si reaksion ndaj Partisë Komuniste Shqiptare, nëpërmjet misionarëve të tij,  nuk rresht  të trumbetuari me të madhe, se ai (BK) “ka qenë  faktor i qenësishëm  për çlirimin e vendit dhe bashkimin kombëtar”.

Kauzën e gabuar që ndoqi fatkeqësisht udhëheqja e kësaj force politike gjatë okupacionit nazi-fashist, nostalgjikët e qylafit me shkabë  përpiqen ta justifikojnë si shtrembërim të realitetit historik nga propaganda komuniste 45 vjeçare. Por  gjuha e fakteve këtë opsion e shpërfill. Implikimin e tij deri në kolaboracionizëm të hapur,  Balli Kombëtar e thelloi akoma më tepër, kur në emër të antikomunizmit, u përpoq të nënshkruante marrëveshje me qarqet më antishqiptare të vendeve fqinj.

***

Këtë të vërtetë të hidhur, nuk e lë jashtë trajtimit as  edhe Bernd Fischer në librin e tij “Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945”, ku ndër të tjera shkruan: “…Ashtu si Lufta Nacionalçlirimtare e dominuar nga komunistët, edhe Balli Kombëtar vendosi lidhje të ngjashme në Jugosllavi dhe në Greqi, ose të paktën bëri përpjekje  për këtë.  Disa lidhje disi të paqëndrueshme u vendosën me Mihajlloviçin, por ato rezultuan me pak vlerë për të dy organizatat. Përpjekjet për t’u lidhur me nacionalistin grek Napoleon Zervas u bënë vetëm në maj 1944, kur u dërgua në Greqi Dhimitër Fallo, i cili duhej të bisedonte për një marrëveshje të përgjithshme.  Por kjo skemë dështoi kur Fallo, bashkë me dokumentet përkatëse, u kap nga partizanët shqiptarë dhe u pushkatua…”

Nëse PKSH vendosi lidhje me PKJ të Titos  dhe PKG  të Zahariadhisit si dhe me ushtritë partizane respektive, këto aleanca  u iniciuan për organizimin e rezistencës në luftën ndaj okupatorëve të përbashkët nazifashistë, ndërsa kulisat midis Mit’hat Frashërit, Mihajlloviçit dhe Napoleon Zervës binin ndesh me aspiratat e lirisë të popujve jugosllavë, grek dhe atij shqiptar dhe ushqenin ndjenjat shoviniste.

Në Arkivin Qendror të Shtetit gjendet dokumenti, që iu kap Dhimitër Fallos si dhe shkresa përcjellëse, me të cilën ai autorizohet nga udhëheqja e Ballit Kombëtar, e posaçërisht nga kryetari i saj, Mit’hat Frashëri, për të lidhur dhe nënshkruar marrëveshjen me Partinë Nacionaliste greke, e formuluar në Tiranë dhe e përbërë prej 9-të  pikave.

Në këtë projektmarrëveshje, afishohet ideja  e krijimit  të Konfederatës Greko- Shqiptaro-Turke, ku “do të ruhet sovraniteti i palëve”, por në  rast lufte,  “komanda e përgjithshme ushtarake ngelet në dorë të Greqisë” dhe në Konferencën e Paqes “palët do të përkrahin politikën e shoku-shokut.”

Marrëveshja:

Letra e përfaqësimit:

Në këtë iniciativë bashkëpunimi me partinë e Napolon Zervës, krahas Ballit Kombëtar, kanë gëlltitur çorbën e prishur edhe Qeveria kuislinge (ku bënin pjesë edhe përfaqësuesit e Ballit Kombëtar: Bahri Omari, Koço Muka dhe Kol Tromara), Partia Zogiste e Abaz Kupit dhe i njëjti korrent nacionalist i Kosovës.

 Në thelbin e saj,  kjo (projekt)marrëveshje atakon letrën e Mit’hat Frashërit  me nr, 135/1 të datës 25 dhjetor 1943, ku midis të tjerash ai thotë: “…. Shpresojmë se edhe zotnia e juej do ta ndihmoni e do ta përkrahni organizatën tonë nacionaliste Balli Kombëtar, sepse kjo organizatë atdhetare përpiqet për krijimin e Shqipnisë Etnike, ashtë një ball i fortë luftarak, ku ashtë mbledhun i gjithë kombi shqiptar për shpëtimin e Atdheut, për Shqipërinë e shqiptarëve….”

 Se sa “ball i fortë luftarak” dhe sa përkrahje pati në popull Balli Kombëtar, e tregoi fundi i Luftës, ndërsa se sa të larë ishin nga mëkati i kolaboracionizmit krerët e tij, flet qartë  proces-verbali i FO, 7 shkurt 1945, ku ndër të tjera nënvizon se:  “Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Kadri Cakrani, Koço Muka etj, mundën të arratiseshin në Itali me një anije të dhënë nga Abveri”(referuar B. Fisherit).

 Nga ana tjetër, krijimi i Shqipërisë etnike  pa Çamëri, ishte nonsens. Si rrjedhojë e kësaj lajthitje, kush ia jepte te drejtën Mit’hat Frashërit, që një pjesë të tokës amë (Kosovën dhe Dibrën) t’ia bashkangjiste Shqipërisë shtetërore, kurse një pjesë tjetër (Çamërinë)  ta falte? Mos vallë Shqipërinë e kishte çiflik të vetin dhe mund ta ndante atë sikur te ishte ngastër byreku?!! Edhe Pashko Vasa në poemën e tij “Shqypni, moj e mjera Shqypni” i mëshon faktit se “Qysh prej Tivarit e deri në Prevezë/…Ashtë toka jonë, të parat na e kanë lanë..”

***

Dihet se okupatorët fashistë italianë , për të shuar ndjenjat antifashiste dhe për të nxitur shpirtin nacionalist, lujatën bukur kartën e “ndreqjes së padrejtësive historike të së kaluarës”, kur arritën të “bashkonin” Shqipërinë me Kosovën dhe nën pretekstin e shkëputjes së Çamërisë nga thonjtë e fqinjit jugor, nisën ofensivën pushtuese ndaj Greqisë në tetor 1940. Kur qëllimi i vërtet i kësaj lufte doli sheshit, frontin e saj e braktisën me qindra vullnetarë dhe ushtarakë shqiptarë, të cilët më pas u internuan në kampin e Shijakut. Ishte sebepi i këtij agresioni, që Greqia monarkiste nuk hezitoi të shpallte menjëherë ligjin e gjendjes së luftës me Shqipërinë, që ndonëse u shfuqizua nga qeveria greke në vitin 1987, paradoksalisht vazhdon të mos jetë ende i ratifikuar nga parlamenti helen.

Çuditërisht Mit’hat Frashëri kërkonte të lidhte marrëveshje me antishqiptarin e tërbuar Napoleon Zerva, ethet shoviniste  të së cilit, i ndjeu në kurriz popullsia çame menjëherë pas luftës, kur u masakruan me mijëra vetë dhe mijëra të tjerë u detyruan të rrugëtonin drejt Konispolit.

Teoritë e Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, “se nuk është koha për luftë”, “duhet të presim dhe të kursejmë jetën e njerëzve”, se “fitorja do të vijë nga fati botëror i fuqive nazifashiste”etj., si dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të tij në qeveritë kuislinge, dëshmojnë më së miri se marrëveshja në tentativë midis Mit’hat Frashërit dhe Napoleon Zervës, nuk ishte rastësore.  Ajo vazhdonte të mbante me oksigjen ëndrrën e “Shqipërisë së Madhe” që injektuan okupatorët nazifashistë, një ëndërr që s’mund të bëhej kurrë realitet nga palët humbëse dhe të diskredituara të Luftës së Dytë Botërore.

Vet Karta e Atlantikut, miratuar nga aleatët e mëdhenj, sanksiononte në mënyrë taksative, se “deri në përfundim të luftës, nuk do të pranohej të diskutohej për ndryshim kufijsh” Dhe kur lufta përfundoi, fatin e kufijve të Shqipërisë dhe të kombeve të tjera i vulosi Konferenca e Jaltës, kohë në të cilën Mit’hat Frashëri e Ali Bej Këlcyra me shokë mbaheshin të izoluar nga fuqitë aleate antifashiste në kampin me tela të Santa Farës, pranë Grumo Apula-s  në Itali.

Se çfarë bëri më pas Mit’hat Frashëri dihet. U bashkua me zogistët e arratisur dhe nën predikimin dhe mbështetjen financiare krijuan Komitetin Shqipëria e Lirë dhe përgatitën diversantë për t’i hedhur në Shqipëri për të përmbysur me dhunë qeverinë legjitime komuniste të Enver Hoxhës. Një operacion që përfundoi me turp, por edhe që vulosi tradhtinë kombëtare të atyre që e organizuan dhe morën pjesë në të.

Nëse Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore diti të rreshtohej në aleancën më progresiste të kohës, kjo është meritë vetëm e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe jo e organizatave kolaboracioniste, siç qe edhe Balli Kombëtar.

Shprehja ballkanike se prapa çdo patrioti, fshihet një tradhtar, memoria historike e   Luftës së Dytë Botërore, si kudo edhe në Shqipëri, s’e pati të vështirë të bënte seleksionimin e këtyre dy kategorive, pavarësisht se njerëz pervers me ndjenja nihiliste përpiqen t’u ndërrojnë vendet.

Këshilla e Papa Leoni XIII, se “Parimi i parë i historisë është të mos thuash të pavërtetën dhe, pastaj, të mos guxosh të heshtësh kur t’i kesh mësuar këto të vërteta”, tingëllon aktuale në çdo kohë.

Personalisht, për rastin në fjalë, nuk bëra as më shumë dhe as më pak.

Kontrolloni gjithashtu

Marrëveshja e Mukjes

Marrëveshja e Mukjes, 2 gusht 1943

Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis ...