Thuajse një muaj pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut dhe largimit nga koalicioni VLEN, Arben Taravari ka dhënë deklarata të forta për zhvillimet politike në vend dhe raportet me figura kyçe të rajonit. Taravari ka shprehur zhgënjim ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për atë që ai e cilësoi si “përzierje të papërshtatshme” në vendimmarrjet e brendshme të Aleancës për Shqiptarët. Ai përmendi rastin e emërimit të Fatmir Fetait si ministër, vendim të cilin Kurti – sipas Taravarit – e kishte kundërshtuar ashpër në të kaluarën. “Z. Kurti thirri disa njerëz nga Aleanca për Shqiptarët, përfshirë z. Fetain. Ai kishte qenë kundërshtari më i madh i emërimit të tij. Përmes Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit, ishin përcjellë porosi që nuk i takonin. Dhe kjo ishte zhgënjyese,” deklaroi Taravari, duke theksuar se vendimet politike duhet të mbeten të pavarura nga ndikimet e jashtme. Ai gjithashtu përmendi dështimin e realizimit të një ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për të cilin kishin negociuar me VMRO-në. Ligji ishte premtuar për nëntor apo dhjetor, por deri në qershor ende nuk është miratuar. Megjithatë, Taravari tha se nuk është i penduar që ishte pjesë e koalicionit VLEN, duke e cilësuar atë si një përpjekje të sinqertë për përfaqësimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
