Behajdin Myrteza Allaqi (7.4.1963 – 11.6.1998)

Behajdin Myrteza Allaqi (7.4.1963 – 11.6.1998)

Behajdin Allaqi u lind më 7 prill 1963 në Prizren. Rrjedh prej një familje me tradita kombëtare, e cila vazhdimisht ishte në sy të regjimeve pushtuese serbe. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Prizren. Aktiviteti i tij patriotik zë fill qysh në bankat e shkollës së mesme, me pjesëmarrjen në demonstratat popullore të pranverës së vitit 1981. Pas këtyre demonstratave në të cilat u kërkua që Kosovës t’i njihej statusi i republikës, me shokët e tij organizon aksione për shkrimin e parullave “Kosova Republikë”. në qytetin e Prizrenit e në rrethinën e tij. Në këto zhvillime, aktiviteti i Behajdinit bie në sy të bashkëpunëtorëve të regjimit serb, dhe si pasojë disa herë merret në bisedë informative në zyrat e sigurimit jugosllav, UDB-ës, por në mungesë faktesh do t´i shpëtojë burgosjes. Përkundër këtyre vëzhgimeve e përcjelljeve, Behajdini nuk do ta ndalë dot për asnjë moment aktivitetin e tij kombëtar.

Në shtator të vitit 1981, pasi regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Degën e Filozofisë, Behajdini detyrohet të shkojë në shërbim ushtarak në armatën jugosllave, në Zemun afër Beogradit. Gjatë periudhës së këtij shërbimi ai ishte vënë në shënjestër të oficerëve të shërbimit sekret të ushtrisë jugosllave, dhe duke qenë nën masa të rrepta vëzhgimi e izolimi, atij do t´i pamundësohen aktivitetet dhe kontaktet me ushtarët e tjerë shqiptarë.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, Behajdini i vazhdon studimet në vitin akademik 1982/83 dhe në tetor të vitit 1986, i përfundon ato. Gjatë kohës së studimeve, ai nuk pushoi së vepruari për çështje kombëtare. Asokohe ai bie në kontakt me veprimtarë të lëvizjes ilegale kombëtare që vepronte në fshehtësi të organeve të shtetit jugosllav, e më pas vuri kontakte edhe me veprimtarë të lëvizjes kombëtare që vepronin në Zvicër, siç ishte Fazli Veliun.

Pasi i përfundoi studimet, Behajdini u punësua në gjimnazin e Prizrenit, si mësimdhënës i lëndëve sociologjike. Në këtë qendër arsimore Behajdini do të punojë së bashku me atdhetarin Xhemajli Berisha dhe kjo lidhje do të forcohet në drejtim të shtrirjes së aktivitetit në radhët e veprimtarëve në Prizren dhe rrethinë. Në këtë periudhë Behajdini u angazhua si pjesë e organizuar e strukturave të organizatës Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Ky angazhim ndodhi në fillim të vitit 1988, nëpërmes veprimtarit Ramush Krasniqi nga Brestoci i komunës së Rahovecit, i cili kishte qenë shok i ngushtë i atdhetarit Fadil Vata.

Në takimin që pati me krerët LPRK-së të prirë nga Fadil Vata, Behajdini do të dëshmojë cilësitë e një luftëtari të paepur, aftësi e njohuri të gjera politike e organizative, shkathtësi e guxim të madh për të vepruar, në çfarëdo kohe e rrethane. Në Konferencën e parë që mbajti LPRK-ja, në fshatin Divjakë të komunës së Malishevës, në rrafshnaltën e Berishës, ku morën pjesë përfaqësuesit kryesor të organizatës, siç ishin Afrim Zhitia, Fadil Vata, Bardhyl Mahmuti, Binak Berisha, Ali Ahmeti, Hajdin Abazi etj., veç tjerash u vendos që Behajdin Allaqi, si përfaqësues i Këshillit të Rrehtit të LPRK-së në Prizren, të kooptohet në Komitetin Drejtues të saj. Në mbledhjen e parë të radhës, Behajdini ngarkohet me detyrën e Sekretarit  Politik të LPRK-së.

Pas rënies së Afrim Zhitisë dhe largimit të detyrueshëm të Fadil Vatës nga Kosova për në Zvicër, për shkak të keqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, në vitet 1988-1990 Behajdini barti barrën kryesore organizative në Komitetin Drejtues të LPRK-së. Pas këtyre zhvillimeve, për shkaqe sigurie e me qëllim të ruajtjes se radhëve të organizuara, Behajdini u zhvendos në Prizren, ku me ndihmën e bashkëveprimtarëve gjithandej nëpër Kosovë, të rrethit familjar, e të dajës nga Krusha e Madhe, Isufit e të djemve dhe nipave të tij, arriti të ruajë kontinuitetin e veprimit të organizuar në radhët e LPRK-së.

Detyra e Sekretarit Politik për Behajdinin, do jetë një rast i mirë për materializimin e njohurive të tija politike e organizative, dhe këto cilësi i dëshmoi gjatë punës në përgatitjen e shumë takimeve e mbledhjeve konsultative të niveleve të ndryshme. Kontributi i tij u dallua kudo e sidomos në nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme në të gjitha forumet e Lëvizjes, të shpërndara përmes pamfleteve, komunikatave, proklamatave dhe projektprogrameve.

Aktiviteti i Behajdinit u shqua edhe në prëgatitjen dhe organizimin e takimeve me rëndësi të veçantë për LPRK-në, siç ishin takimet dhe mbledhjet parapërgatitore, e në veçanti Konferenca e Dytë e Lëvizjes, mbajtur në Prapashticë të komunës së Prishtinës, pastaj Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e  LPRK-së që u mbajt në tetor të vitit 1991 në fshatin Ujëmirë të Klinës dhe takimi konsultativqë u mbajt në Prill të vitit 1993, në Kollare të Kërçovës, ku u përgatitën materialet për Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPRK-së që do të mbahet më 28-29 korrik 1993, lagjen e Kodrës së Trimave në Prishtinë.

Behajdini në mbledhjen e Ujëmirit, që përfaqësonte rrethin e Prizrenit, kërkojë që platformën dhe strategjinë e luftës politike të kësaj organizate ta zëvendësojë organizimi i armatosur, përkatësisht të fillojnë përgatitjet për luftë të armatosur çlirimtare në Kosovë. Ndërsa, në takimin e Kollares së Kërçovës, ku ishin të pranishëm edhe Gafurr Elshani, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Adem Grabovci, Azem Syla, Bilall Sherifi, Halil Selimi , Hidajete Krasniqi etj., Behajdini si pjesëmarrës i mbledhjes konsultative, shprehu qëndrimin që LPRK duhet të përkrahë formimin e celulave të armatosura kundër pushtuesit.

Behajdini kishte zhvilluar një bashkëpunim të mirë edhe me kolosin e çështjes kombëtare shqiptare, Ukshin Hotin.

Krahas veprimtarisë ilegale Behajdini iu përkushtua edhe hulumtimeve kërkimore e shkencore në fushën e studimeve sociologjike. Kështu, në vitin 1989 ai regjistroi studimet postdiplomike në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë. Ai nuk pati mundësi t’i përfundojë këto studime për shkak të rrethanave që pasuan më vonë, me fillimin e luftës në ish-Jugosllavi.

Në vazhdën e aktiviteteve të LPRK-së, Behajdini kontribut të veçantë ka dhënë edhe në ruajtjen, strehimin dhe kalimin ilegal të shokëve të tij për në Shqipëri. Në janar të vitit 1992, pas një sulmi të forcave policore e ushtarake serbe në familjen e Jasharajve në Prekaz të Drenicës, përmes veprimtarëve të LPRK-së Rifat Jashari (vëllai i Adem Jasharit) u strehua në lagjen ish-Tusus (tani Lagjja e Trimave) në Prizren dhe pas disa ditësh qëndrimi në këtë lagje, nën përcjelljen e Behajdin Allaqit, Besnik Krasniqit dhe Shaip Budurit, kalon në trevën e Vërrinit, nëpër fshatin Hoqë e Qytetit dhe në hyrje të fshatit ish-Billushë (tani Kushtrim) takohet me veprimtarin Sheradin Berisha, i cili me ndihmën e veprimtarit Ismet Badallaj e përcjell për në Shqipërinë e përtejkufirit. Kjo vijë e kalimit ilegal për në Shqipëri, në vitet e mëvonshme shërbeu si kanal furnizimi me armatim për grupet e armatosura dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas një aktiviteti të bujshëm atdhetar, më 1 gusht 1993 Behajdini u arrestua nga UDB-a dhe më 11 nëntor 1993, nën akuzën për ”bashkim për veprimtari armiqësore dhe rrezikim të tërësisë teritoriale të Jugosllavisë”, në Gjyqin e Qarkut në Prizren u dënua me 2 vjet e tre muaj burg të rëndë. Së bashku me Behajdinin u burgosën edhe Ilaz Kadolli, Hysen Gega, Binak Berisha dhe Shefki Muçaj. Burgun e vuajti në Dubravë të Burimit (ish-Istog).

Pas lirimit nga burgu, Behajdini sërish vazhdoi të punojë në gjimnazin e Prizrenit, deri në qershor të vitit 1998. Me formimin e celulave të para të UÇK-së në trevën e Prizrenit, Behajdini u angazhua për forcimin dhe masivizimin e radhëve të UÇK-së. Mori pjesë në organizimin e aksioneve ushtarake në fshatrat e Përdrinisë dhe planifikoi rrjetin e bartjes së armatimit përmes maleve të Pashtrikut.

Në fillim të qershorit të vitit 1998, bashkëveprimtarët e Behajdinit e kishin kërkuar kontributin e tij në vijat e frontit dhe për këtë qëllim ai niset të shkojë t’i takojë ata. Më 11 qershor 1998, nga Shtabi lokal i UÇK-së i Drenocit, niset me disa përfaqësues të SHP të UÇK-së për në selinë e SHP, i cili asokohe ndodhej në Likoc të Skënderajt. Prej kësaj date, familjes së Behajdin Allaqit dhe shokëve të tij do t´i mungojë çdo informacion lidhur me të. Që atëherë nuk dihet as vendi i rënies, as varri dhe as shenja e nishani. Prej asaj dite askush nuk di të tregojë nëse ai kishte arritur apo jo në SHP të UÇK-së. Dëshmori i kombit Behajdin Allaqi ka lënë një mori shkrimesh shkencore të botuara dhe në dorëshkrim në fushën e sociologjisë. Ai la pas vetes gruan Nazmijen, vajzën Qëndresën dhe djemtë: Qëndrimin e Çlirimin. (B. B.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …