Bejzat Zenel Krasniqi (28.11.1974 – 11.6.1998)

Bejzat Zenel Krasniqi (28.11.1974 – 11.6.1998)

Në historinë e shqiptarëve muaji nëntor gjithmonë është pritur me respekt e ngrohtësi. Ngjarje të shumta lavdie dhe emra të ndritur të historisë kombëtare janë shënuar me shkronja të arta. Nëntori i Skënderbeut dhe ai i Ismail Qemailit, Nëntori i lirisë së Shqipërisë dhe Nëntori i Adem Jasharit, janë ato ngjarje dhe emra që në kujtesën tonë historike kanë domethënie të veçantë.

Më 28 nëntor të vitit 1974 në Negrovc të Drenasit, në familjen e thjeshtë e bujare të Zenel Krasniqit u lind Bejzat Krasniqi, njëri prej shtatë fëmijëve të prindërve të tij, Zenelit e Ajshes: Musliu i parë, Esati, Faiku, Nezirja, Fatmirja, Valmira dhe Musliu, që përtëriu emrin e vëllait të vdekur që në moshën 16 – vjeçare.

Bejzati, shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Komoran, drejtimi i metalurgjisë. Në këtë moshë, përveç varfërisë ekstreme nëpër të cilën po kalonte populli i Kosovës, si pasojë e shtypjes nën robërinë serbe dhe të suspendimit të autonomisë së Kosovës që u pasua me largimin e punëtorëve nga vendet e tyre të punës, ai sikurse edhe gjenerata e tij e përjetoi edhe diskriminimin në arsim e në çdo pore të jetës. Ishin vitet 1989/1990 kur në tërë Kosovën organizoheshin demonstratat dhe protestat kundër regjimit serb që po instalonte politikën segregacioniste kundër shqiptarëve në Kosovë. Dekada e fundit e shekullit 20 u karakterizua nga shtypja dhe urrejtja e thellë serbe kundër shqiptarëve.

Me daljen në skenë të UÇK-së, në Llaushë të Skënderajt dhe masakrat që ndodhën në Çirez e në Likoshan të Drenicës, ndezën zemrat djaloshare dhe zgjuan ndërgjegjen e çdo shqiptari të vërtetë. Pas këtyre ngjarjeve, Bejzati ishte ndër të parët që tregoi gatishmëri për t’i dalë zot atdheut në rrezik, i cili rënkonte nën robërinë serbe.

Në Negrovc, kishte filluar organizimi i stërvitjeve fizike e ushtarake për të rinjtë e gatshëm të radhiten në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Eprori Fadil Gashi përgatiti grupin prej 21 të rinjsh, në mesin e të cilëve ishte edhe Bejzat Krasniqi. Ky grup luftëtarësh të ardhshëm, pas sigurimit të armatimit dhe municionit do të sistemohej në pika të ndryshme të luftimit.

Më 5 qershor të vitit 1998, grupi prej rreth 50 vetash, kryesisht nga fshatrat e Drenicës: Negrovc, Nënkala, Arllat, Gjergjicë, Kisharekë, Damanek etj., u nis drejt kufirit shqiptaro-shqiptar për t’u pajisur me armatim e municion. Në fshatin përtej kufirit, Vlahnë, grupi i luftëtarëve nga Drenica bashkohet me një grup tjetër nga rajoni i Dukagjinit, të cilët kishin arritur atje po për të njëjtin qëllim. Pas ngarkimit me armatim dhe municion të kalibrave të ndryshëm, me automatikë, snajperë, mitralozë të të gjithë kalibrave, si dhe predha të minahedhësit, ata nisen sërish drejt kufirit, me ç‘rast, kur arrijnë në kufi bien në fushë të minuar dhe në pritën e forcave serbe. Ishte ora 2 e natës e datës 11 qershor 1998. Në këtë situatë, zjarrit nga shpërthimi i minave i ishte bashkuar edhe ai i armëve të tjera gjatë shkëmbimit nga të dy palët. Në këtë betejë të pabarabartë bien 12 luftëtarë, në mesin e të cilëve edhe Bejzat Krasniqi i Negrovcit dhe Hysni Jetullahu i Damanekut të Drenasit. Pas pushimit të zjarrit, një grup i luftëtarëve arrin te fshati i afërt Damjan dhe së bashku me banorët e këtij fshati u arrijnë në ndihmë luftëtarëve të plagosur, numri i të cilëve arrinte në 27, ndër ta edhe Selim Bujupi nga Arllati i Drenasit. Një ndihmë të jashtëzakonshme në trajtimin e të plagosurve kishte dhënë doktori Naim Bardiqi i cili i ishte bashkuar grupit të luftëtarëve që po sillnin armatim në Kosovë.

Dëshmori Bejzat Krasniqi evidentohej në listën e të zhdukurve deri më 15 tetor të vitit 2004, kur ekipi mjeko-ligjor dhe familjarët identifikuan në morgun e Gjakovës mbetjet mortore. Rivarrimi i eshtrave të tij u bë më 19 tetor të vitit 2004, në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve dhe martirëve të Negrocit.

Bejzati nuk ka qenë i martuar. Sot familja e tij jeton me krenarinë për të birin dëshmor. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …