Ardian Bajraktari: Trupi gjykues dështoi të dëshmojë objektivitet

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, pasi trupi gjykues rrëzoi mocionin e paraqitur nga avokatët mbrojtës të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lidhur me vlefshmërinë e disa prej pikave të aktakuzës. Bajraktari shprehet se trupi gjykues ka dështuar të dëshmojë objektivitet dhe se ky vendim e minon më tej besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare. “Trupi gjykues dështoi për t’u dëshmuar objektiv! Vendimi i sotëm për rrëzimin e mocionit të palës mbrojtëse, i cili i referohet kohëzgjatjes së konfliktit të armatosur (luftës), në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është dështim i trupit gjykues dhe i Gjykatës për t’u dëshmuar objektiv, duke e rrënuar kështu edhe më shumë besimin e publikut në drejtësi”, ka shkruar ai. Avokati gjithashtu thekson se pala mbrojtëse nuk ka të drejtë të apelojë vendimet që refuzojnë kërkesat për rrëzimin e aktakuzës, çka sipas tij përbën një tjetër problem serioz në funksionimin e kësaj gjykate. “Koncepti dhe mënyra se si funksionon kjo Gjykatë lë hapësira të mëdha për dyshime. Megjithatë ende ka shpresë – nëse ka drejtësi, faza pasuese është vendimtare për palën mbrojtëse. Duam drejtësi!”, përfundon reagimin e tij Bajraktari.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata Speciale rrëzon mocionin për kufizimin e aktakuzës në rastin Thaçi dhe të tjerët

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur sot të rrëzojë mocionin e paraqitur nga ekipet mbrojtëse …