Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e dialogut me Serbinë dhe zhvillimet e fundit politike. Sipas saj, qeveria ka ndërmarrë tashmë hapat e parë drejt zbatimit të Zajednica, duke përmendur si shembull Ligjin për të Huajt. Ajo theksoi se këto veprime po bëhen pa transparencë dhe pa përfshirjen e duhur institucionale. Musliu-Shoshi ngriti shqetësimin për mungesën e informimit të deputetëve lidhur me ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, duke deklaruar se Kuvendi ka mbetur në errësirë për më shumë se tri vite. Ajo akuzoi kryeministrin dhe kabinetin qeveritar për shmangie të llogaridhënies, duke theksuar se nuk ka pasur raportime as në komisionet parlamentare dhe as në seancat plenare të Kuvendit. Sipas saj, kjo qasje përbën një devijim serioz nga standardet demokratike dhe rrit dyshimet për mënyrën se si po zhvillohet një nga proceset më të ndjeshme për vendin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
