Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se situata politike në vend është pasojë e neglizhencës së Lëvizjes Vetëvendosje. “Për fat të keq, kemi vetëm ditë të humbura. Kjo neglizhencë për moskonstituimin e Kuvendit është një qëllim politik i LVV-së, sepse nuk ka pasur mundësinë të krijojë një shumicë që do t’i mundësonte si parti e parë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re,” deklaroi Zemaj. Ai tha se Kushtetuesja ka vërtetuar qartë se nuk mund të ketë konstituim të pjesshëm të Kuvendit: “Gjykata Kushtetuese në thelb konfirmoi atë që ne kemi thënë: nuk ka konstituim të pjesshëm të Kuvendit. Kuvendi duhet të konstituohet në tërësi, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, qoftë nga shumica shqiptare, qoftë nga përfaqësuesit e pakicave që kanë vende të garantuara në kryesi.” Zemaj ngriti shqetësime për pasojat që kjo bllokadë politike ka në stabilitetin institucional dhe në imazhin e Kosovës në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. “Është shumë e rëndësishme që të kemi një veprim politik të përgjegjshëm. Nuk duhet ta lejojmë dobësimin e Kosovës për shkak të veprimeve të VV-së apo të Albin Kurtit si kryetar i saj. Sepse Kosova është mbi të gjitha më e rëndësishme se çdo parti apo individ. Ajo duhet të mbrohet, jo të minohet nga brenda, duke i dhënë hapësirë elementeve destruktive që nuk kanë fuqi kushtetuese,” u shpreh ai.
