Arrestimi i Zana Muratit nga xhandarmëria serbe, fragment nga romani në dorëshkrim, "Betimi i motrës"

Arrestimi i Zana Muratit nga xhandarmëria serbe, fragment nga romani në dorëshkrim, “Betimi i motrës”

2.

Ditën e dytë pasi kishte kryer hakmarrjen për vëllezërit, Zana e kishte kaluar në pyjet e dendura rreth shtëpisë, duke pritur mos po dukej rastësisht, Lilë Bagra. Ajo nuk kishte hetuar asnjë lëvizje të oborr, edhe pse nga vendi ku vëzhgonte nuk shihej tërë oborri as këndi para shtëpisë.

Ndihej e lodhur dhe e sfilitur, meqë as kishte ngrënë as kishte fjetur, ndërsa nga ushqimi me kajsi e dardha ishte helmuar dhe ndiente turbullime në lukth.

Brengosej sidomos për humbjen e kalit. Atë e kishte marrë dikush, meqë ajo gjatë natës ishte larguar nga frika se ndokush do t’i binte në gjurmë, pasi  kali në çdo rast mund të hungërinte. Mendonte që sapo të errësohej të futej tinëz në shtëpi, meqë gjatë tërë ditës nuk kishte parë asnjë lëvizje. Ishte më se e sigurt se as Emineja nuk ndodhej në shtëpi, meqë ajo do të shihej diku në oborr, ose jashtë. Nuk e shihte as loparin, i cili qysh në mëngjes i merrte lopët dhe i dërgonte në kullotë.

Nga do që vështronte, nga do që i studionte rrethanat arrinte në përfundim se në shtëpinë e Lilë Bagrës, të cilën nuk e konsideronte më edhe shtëpi të sajën, nuk kishte, as njeri, as gjë të gjallë. Lilën sikur e kishte lëshuar toka, po ashtu edhe Eminen dhe bagëtinë.  Nuk e merrte me mend se ç’ kishte ndodhur. E frikësonte fakti se as rreth shtëpisë nuk ndihej asnjë frymë e gjallë e njeriut, madje as çobanët, as dhitë, as qentë endacakë.

Shpeshherë mendonte se mbase ishte ëndërr. Fërkonte dhe i hapte sytë, por asgjë nuk shihte, asgjë nuk pipëtinte. Nga qëndrimi në shkurre, ishte mpirë dhe mesi priste të lëshohej nata. Kishte vendosur, që sapo të lëshohej terri të shkonte në shtëpi dhe të priste Lilën, apo këdo tjetër që mund të vinte. Nuk kishte kah t’ ia mbante. Të shkonte te daja, ishte sikur të dorëzohej në polici. Të kthehej në shtëpinë e mbetur shkret , ishte po ashtu njësoj sikur të dorëzohej.

Kah të ikte, kah t’ ia mbante tani, kur kishte humbur edhe kalin.

E gëzonte fakti se kishte me vete ferexhenë me perçe dhe mund të rrugëtonte gjatë ditës, por edhe pse kishte një revole, mund të binte fare lehtë në pritë. Kishte qëllim ta vriste Lilën dhe pastaj edhe xhandarët e parë që t’ i afroheshin, por as po e takonte Lilën, as po takohej me xhandarët.

Tërë ditën e kishte kaluar, nëpër shkurre.

Ndiente etje e uri, meqë në vendin afër nuk kishte ujë.

Në orët e mbrëmjes kishte ecur në drejtim të lugut të thellë, ku e dinte se kishte ujë. Kishte rrugëtuar me shumë kujdes dhe më në fund kishte ndalur në një vend dhe kishte pirë ujë derisa ishte ngopur.

Pa vonuar ishte kthyer në vendin paraprak ku vëzhgonte terrenin dhe çdo lëvizje rreth shtëpisë së Lilës, e cila dukej sikur ishte braktisur përgjithmonë. Në kohën kur po lëshohej terri, Zana ishte mbështjellë me xharrin e saj, me qëllim që të mos diktohej dhe me alltinë në dorë ishte nisur në drejtim të shtëpisë.

Ndalej pas çdo hapi dhe përgjonte.

Asgjë nuk pipëtinte përveç korit të gjinkallave dhe zërave të shpendëve të ndryshëm. Nga larg vëren se qeni plak nuk ndodhej në kasollen e vet. Ishte i vetmi dallim që vërente. Nuk dëgjoheshin as palljet e lopëve, as mjaullimat e maceve.

Gjithçka i dukej se kishte vdekur.

Madje, madje kishte çaste kur mendonte mos tërë kjo kishte qenë një ëndërr e gjatë dhe e mundimshme. Shkundullohej, fshinte sytë, shtrëngonte revolen në njërën dorë  dhe lëvizte supet nga pesha e rrobave që kishte ngarkuar mbi shpinë.

Kishte arritur te gardhi mbi shtëpi. Diçka thellë në qenie, sikur i thoshte të mos bënte tutje. Ishte ulur dhe përherë të parë po mendonte mos ndoshta dikush kishte organizuar pritë brenda shtëpisë.

Kishte brofur nga vendi dhe kishte kapërceu gardhin dhe niset në drejtim të shtëpisë. Dera e dhomës ishte e hapur. Një duhmë e rëndë sikur e mishit të prishur, ia kishte zënë  frymën. Ishte terr dhe nuk kishte me çka ta ndizte dritën e llampës. Duke prekur vendin ndesh në një trup njeriu. Nga e papritura lëshon një britmë të fortë, nga e cila u frikësua edhe më shumë. Ishte trupi i vdekur i Emines. Tani hetoi se trupi i saj kishte filluar të prishej. Nuk kishte shenja gjaku, por trupi iu kishte shtanguar dhe ndodhej e shtrirë në shpinë, në arallëk, mes dy shtrojave.

Ndoshta ka vdekur vetë, mendoi duke e prekur plot trishtim trupin e saj. Çuditej sesi nuk po qante. Ishte sensibilizuar tejmase nga e papritura. Nga qëndrimi në terr iu kishte mprehur shikimi dhe po dallonte të gjitha objektet.

Merr një çarçaf të bardhë dhe e mbulon Eminenë e vdekur, të cilën e kishte dashur ashtu sikur nënën e vet Trupin e saj të vdekur e tërhoq mbi shtroja.

Mbase dikush e kishte mbytur, thoshte vet me veti.

Ndoshta e kishte goditur vetë Lila, por ai nuk do ta kishte vrarë gruan, e cila i shërbente. Mbase ishte hakmarrë, kur kishte mësuar se ajo kishte ditur për ikjen e Zanës dhe nuk e kishte lajmëruar Lilën. Pasi i kishte mbyllur hundët me shami, meqë duhma ishte bërë e padurueshme, e kishte prekur në trup dhe në fytyrë. Kishte menduar  se Eminja kishte vdekur nga tronditja për largimin e saj, ose pasi kishte dëgjuar se ajo kishte nxjerrë hakun për vëllezërit. Në trupin e saj nuk kishte asnjë gjurmë dhune. Papritmas u kujtua të shkonte në ahur. U habit, pa masë  kur nuk pa asnjë nga lopët e viçat. Mendoi se dikush i kishte vjedhë, ose Lila mund t’i  kishte dërguar te ndonjë i njohur, nga frika se po ngordhnin në grazhd, meqë edhe vetë kishte ikur nga shtëpia. Lila duhej të kishte ikur para se të kishte vdekur Eminja, përndryshe ai nuk do ta linte pa e varrosur.

Ishte kthyer sërish në dhomë ku ndodhej kufoma e Emines.

Papritmas i shkrepi në mendje që ta varroste. Në çast sikur e  mori veten dhe shkoi te plemja ku gjeti veglat e punës. Caktoi një vend të butë te gardhi dhe filloi ta hapë varrin, për gruan e pafat dhe të gjorë, të cilën  e kishte dashur po aq sa edhe nënën e vet.

Groponte  dhe kohë pas kohe përgjonte, për të hetuar mos po lëvizte kush.

Pas dy orësh, kishte hapur një varr, jo edhe aq të thellë. Kur e kishte shtrirë trupin e saj në varr, qe kujtuar se nuk kishte dërrasa për ta mbuluar. Nuk donte që dheun t’ia hidhte mbi trup e në  fytyrë. Në moment iu kujtua se në pleme ndodhej një derë e vjetër prej druri. E kishte marrë atë dhe e kishte vendosur në  këndin diagonal,  pastaj dhe e kishte mbuluar me dhe.

Ndiente një lehtësi në shpirt.

Kishte kaluar mesnata dhe ajo endej si hije herë nëpër oborr herë nëpër dhomat dhe kthinat e shtëpisë. Nga qëndrimi shumë kohë në vendin te shkurret e shpeshta, iu kishte kthyer ritmika e lëvizjeve shumë të shpejta.

Në magje kishte gjetur bukën, të cilën e kishte gatuar dy ditë më parë, vetë Eminja. Duke prekur me dorë ushqimet në magje, kishte vërejtur se atje ende ishin të mbeturat e dy netëve më parë. Kjo do të thoshte se që nga mëngjesi i ditës kur ajo kishte ikur, askush nuk e kishte hapur magjen. Sipas këtij konstatimi delte se Eminja kishte vdekur ose ishte mbytur një apo dy orë pasi ishte larguar ajo.

Merr dhe han me rrëmbim disa copa buke.

Sërish kishte dalë  oborr dhe nuk kishte  vërejtur asgjë të dyshimtë.

Instinktivisht kishte shkuar  varri dhe ishte kujtuar të këndonte lutje për shpirtin e Eminës. Nëna i kishte mësuar edhe lutje të tjera, por meqë nuk e kishte praktikuar faljen askush në shtëpi, përveç prindërve,  i kishte harruar. Kishte kënduar pa zë tri herë, të tri lutjet që i dinte. Pastaj ishte larguar në drejtim të derës së oborrit, meqë iu kishte dukur se kishte dëgjuar një zë.

Pas pak, kishte vërtetuar se mund të kishte kaluar ndonjë egërsirë apo ndonjë qen endacak.

Nuk kishte vërente asgjë të dyshimtë.

Nuk e zinte vendi vend.

Papritmas preku brezin dhe hetoi se i kishte rënë  revolja.

Në moment hetoi sikur koka iu kishte nxehur. Fillon të prekte nëpër terr vendin ku ndodhej, duke u munduar të sillte në kujtesë ku e kishte lënë. Kontakti me Eminen e vdekur e kishte befasuar aq shumë, sa ajo nuk e kujtonte dot ku e kishte lënë revolen, për të cilën ishte e sigurt se e kishte pasur me vete, në momentin kur kishte prekur trupin e vdekur të Emines. Mbasi i kishte rënë aty afër dhe ajo e kishte mbështjellë së bashku me kufomën. Del sërish në oborr. Nga drita e hënës, e cila sapo kishte dalë, vendi ishte ndriçuar aq sa mund të vërehej gjithçka. Revolen nuk e gjente dot. Kishte shkuar me shpejtësi në odë duke menduar mos do të gjente ndonjë nga armët e Lilës, por nuk kishte gjetur asgjë. Mendonte se çka do të ndodhte po të kthehej rastësisht Lila. Atëherë iu kujtua se kohë më parë kishte fshehur në një vend të caktuar të ahurit një ballti të vogël, e cila ishte e njëjtë me sëpatën e vogël e të përdorshme. Mori në dorë sëpatën dhe e ngriti lart si trofe. Edhe me atë mund t’ia çante dysh kokën Lilës.

Sërish filloi ta kërkonte revolen, kur papritmas vëren se kishte filluar agu i parë. Futet brenda me qëllim për të kërkuar edhe njëherë revolen, meqë po ndriqohej. Prapë iu duk se kishte dëgjuar hapa te dera. Pas pak iu bë se dëgjoi që dikush kishte  kaluar gardhin. Me sëpatën në dorë kishte dalë në oborr.

– Stooooj – ( ndaloI) ishte  dëgjua një zë tejet i thekshëm, i cili u pasua edhe nga zëra të tjerë.

Zana kishte shtrënguar në duar sëpatën dhe me shpejtësi ishte futur në ahur.  Kishte mbyllur derën me shul dhe ishte afruar te dritarja. Kishte hequr  xharrin nga trupi, meqë  nën të kishte veshur tirqit e vëllait dhe këmishën e bardhë të tij.

-Dorëzohu oj Zanë se të kemi rrethuar me 30 xhandarë. Edhe po të kesh krah nuk ke kah fluturon, kishte dëgjuar një zë, i cili i dukej  si zë i njohur.

Zërat vinin disa dhjetëra hapa më larg ahurit.

Xhandarët ishin njoftuar se ajo kishte armë dhe fare lehtë mund ta shkrepte.

Kishin urdhër, që në asnjë mënyrë të mos shtinin në të dhe  të mos e vrisnin. Togeri serb, Janjiq, i cili kishte organizuar rrethimin shkrep disa plumba të revoles në mur, me qëllim për të parë reagimin e saj. Shkrep edhe disa plumba të në drejtim derën e ahurit.  Pastaj urdhëron xhandarët te hedhin kashtë të lyer me vajguri te dera e ahurit me qëllim që të ndizej dera dhe ajo të ngulfatej nga tymi.

Zana po mallkonte rastin që kishte humbur revolen.

Ndërkohë zjarri kishte depërtuar brenda. Nga tymi Zana  kishte filluar të kollitej. Tymi e kishte  ngulfatur. Kishte shikuar  edhe njëherë nga dritarja e ahurit dhe kapërcen pengesën së bashku me sëpatën e vogël në duar. Para saj i dolën  tre xhandarë me bajoneta në maje të pushkëve, të drejtuara kah ajo.

Ne pucaj oruzjem ( mos shti me armë!) urdhëroi togeri Janjiq.

-Hidhe sëpatën në tokë se të mori plumbi, dëgjoi një zë nga mesi i xhandarëve.

Zana mbante sëpatën në gjendje gatishmërie dhe dridhej e tëra nga befasia. Sytë iu kishin skuqur nga tymi e zjarri, flokët iu kishin shpupurishur. Trupi i saj i bëshëm, kraharori i zhvilluar dhe shtati i gjatë i kishte tmerruar xhandarët, të cilët kishin urdhër të mos shtinin. Në moment, ajo iu drejtua me sëpatë xhandarit të mesit, i cili me shpejtësi të rrufeshme  e kishte kryqëzuar pushkën,  ndërsa dy të tjerët lanë pushkët  dhe në çast e kishin përthekuar. Zana ishte kacafytur derisa  tre xhandarët  po mundoheshin ta shtrinin për tokë, në kohën kur ishte afruar togeri, Janjiq.

 

Herët në mëngjes, togeri Janjiq kishte lajmëruar kryetarin, Aleksiq, se operacioni për kapjen e Zanës së Murat Marashit ishte kryer me sukses të plotë dhe pa pësuar asnjë dëm. I kishte raportuar po ashtu se asnjëri nga xhandarët nuk kishte guxuar ta prekte trupin e saj, as e kishte poshtëruar apo qesëndisur. Ai po ashtu i kishte bërë të ditur se ajo, nuk nxirrte asnjë fjalë nga goja, as shqip as serbisht. Vetëm vështronte me urrejtje, por nuk fliste. Kishte kërkuar  informacione si të veprohej me tej…

Duke qenë ushtarak dhe i graduar me shumë dekorata për trimëri dhe guxim, Aleksiqi kishte shfaqur interesim për ta marrë vetë në pyetje, Zanën,  para se të dërgohej të gjykatësi hetues. Hetimet do t’ i zhvillonte në prani të togerit të xhandarmërisë Janjiq, të cilin e kishte besnik dhe kuadër të dëgjueshëm.

Pa vonuar, me përcjellësit e tij,  kishte hipur ne qeze dhe ishte nisur në drejtim të stacionit të xhandarmërisë, ku ndodhej edhe burgu.

Pasi hyn në zyrën e togerit Janjiq, kryetari urdhëron ta sjellin të arrestuarën. Janjiq i kishte ofruar gotën e rakisë dhe e kishte ftuar në dolli për kryerjen me sukses të aksionit.

Dy xhandarë të bëshëm kishin sjellë Zanën para kryetarit.

Ia kishin lidhur duart me litar. Edhe këmbët i kishte të lidhura me një litar, por në distancë sa për të lëvizur hapin, jo më shumë se gjysmë metri.

– Lirojani duart dhe këmbët, kishte urdhëruar kryetari.

– Mund të na befasojë ekselenca Juaj.

– Jemi dy burra bre, dy oficerë të Kralit, para një  arnauteje.

Xhandarët ia kishin hequr litarin nga duart e nga këmbët dhe ishin larguar nga zyra.

Zana ishte shtangur dhe nuk vështronte në sy asnjërin prej tyre. Nga pagjumësia dhe vuajtjet fizike e shpirtërore të tri ditëve të kaluara, ajo dukej sikur ishte ngurtësuar. Por nuri i saj i bukurisë dukej edhe më i shprehur. Flokët i kishte të shkapurisura dhe  të katranosura nga tymi, këmisha e bardhë e vëllait ishte nxirë nga tymi, ndërsa tirqit ishin zhubrosur.

– Shikoje çfarë rase, të lutëm, thotë Aleksiq dhe shton. Shikoje çfarë shtati të hedhur dhe tipare të femrës amazone. Vështirë që të ketë origjinë arnaute. Kjo duhet të ketë origjinën nga kombi ynë, nga ato gjenet tona të dikurshme të vajzës kosovare të kohës së mbretit Llazar, kur të gjithë këta arnautët ishin serbë, por pastaj u arnautizuan dhe humbën komb e fe.

– Nuk di Ekselencë sa e njihni terrenin, por shumica e femrave të kësaj ane janë malësore dhe shtathedhura, kështu si kjo.

– Shumica prej tyre kanë origjinë të pastër serbe, a më kupton? Ata nën presion dhe dhunë të arnautëve, e me përkrahje të turqve, u dyndën  nga Shqipëria në Kosovë  dhe i shkombëtarizuan me dhunë serbët. Dhe sot këta njërës të gjakut tonë të dikurshëm ne po i vrasim dhe këta po na vrasin, edhe pse raportet mbi humbjet janë shumëfish në dëm të tyre. Këta tashmë janë ndërruar përgjithmonë. Këta i kemi humbur për gjithmonë dhe duhet bërë përpjekje t’ i kthejmë në gjuhën dhe në fenë tonë, por shteti nuk po investon sa duhet në këtë drejtim.

– Lartmadhëri, të mos harrojmë se kjo është një kriminele, është arnaute.

– Nuk e di, kjo do të provohet. Sipas bindjes dhe kulturës së saj të jetës e kombit, të cilit tash i  takon, kjo është një zbatuese e ligjit të vjetër, të pashkruar, por shumë të fortë dhe të aplikueshëm në çdo familje arnaute.

Pasi e kishte vështruar me qortim qëndrimin e saj, iu kishte afruar, i gatshëm për t’u mbrojtur në rast sulmi, meqë Janjiq i kishte treguar se tre xhandarë të rinj, mezi e kishin pushtuar me rastin e arrestimit.

Zana kishte tretur vështrimin e saj dhe nuk kishte nxjerrë zë nga goja. Ajo i dukej si një nga ato pikturat italiane të mesjetës. Bukuria dhe shtati i saj po e magjepsnin kryetarin epshtar, edhe pse e dinte se pozita e tij bënte që ai kurrë të mos e shijonte bukurinë magjepse, as trupin e saj. E tërhiqte sidomos kryeneçësia e lindur për të mos komunikuar me kundërshtarin, apo armikun.

– Përse nuk po flet, i drejtohet në gjuhën serbe, ndërsa Janjiq kishte përkthyer, meqë i kishin thënë se nuk dinte asnjë fjalë serbisht.

Ajo nuk e kishte luajtur qerpikun.

– Ku e merr këtë forcë statizmi kjo qenie, toger?

– Unë mendoj në egërsinë e racës së saj, në malokërinë e lindur dhe në disponimin tejet urrejtës kundër nesh, edhe pse koncepti juaj për racën duket disi ndryshe.

Aleksiqi iu kishte afruar dhe befasisht i kishte rënë shuplakë të fortë fytyrës, për të parë reagimet e saj.

– Koka i kishte luajtur nga e rëna e befasishme, por nuk kishte nxjerrë zë.

– Ju thashë Ekselencë, se është e egër dhe e pandjeshme. Kjo nuk qan edhe trupin t’ia bësh  copa-copa.  Mbaj mend, kur keni hyrë në fshatin Talin, këtu afër. U kemi prerë para syve burrat dhe djemtë dhe këto gra nuk nxjerrin zë nga goja, nuk qajnë as nuk lemerisin para të huajve, ndërsa qajnë e lemerisin   kur vrasin njëri tjetrin. Ky është shenj i një urrejtje patologjike kundër nesh.

– Shiko si na sfidon kjo bushtër! Mund t i heqim mishtë copë-copë dhe kjo as gek as mek nuk bën.

– Do t’ia thyej kokëfortësinë, po kam frikë mos ka rënë në ndonjë delir nga pasojat që ka pësuar gjatë këtyre tre ditëve. Nga depresioni dhe traumat që ka përjetuar, kjo mund ta ketë humbur edhe të folurit. Janë momente psikike këto, të cilat është vështirë të kuptohen.

– E keni të kotë, Ekselencë. Kam shumë përvojë me këtë lloj grash të arnautëve, këto janë më kokëforta se burrat e tyre. Madje është një dukuri tjetër interesante. Në mesin e arnautëve mund të gjesh sa të duash denoncues, por në mesin e grave të tyre, nuk e gjen as edhe një për be. Nuk e di, e dini apo nuk e dini këtë të dhënë shumë interesante?

– Nuk ke zbuluar asgjë toger. Këta arnautët i mbajnë mbuluar dhe të izoluara gratë, andaj ato nuk komunikojnë.

– Shumë prej grave të tyre shoqërohen me gratë tona, nga mesi  i rajasë, disa madje e dinë edhe gjuhën tonë, por për këto dhjetë vjet shërbim, unë nuk kam shënuar asnjë emër femër të ketë denoncuar te xhandarët apo gratë e xhandarëve tanë. Madje vajzat deri sa të fejohen shkojnë zbuluar, sidomos në fshatra, ku si shihet nuk kishte arritur ndikimin as mbretëria turke e Sulltanit.

Aleksiqi po habitej me observimet tejet të mprehta të togerit Janjiq, i cili ishte në mesin e kuadrove më besnike të regjimit. Edhe pse kishte bindje se i njihte arnautët, tani po zbulonte se përvoja e Janjiqit, po ia përmbyste disa nga konceptet.

Para tij qëndronte gruaja që dyshohej  se kishte mbytur me sëpatë serbin, Mihajlo, sepse ai kishte bërë përpjekje për t’ia  dhunuar të ëmën. Atë faj do t’ ia falte, madje edhe do t’ia shtrëngonte edhe dorën. Pastaj kishte vrarë vëllezërit Cungu, meqë konsideronte se kishin gisht në vrasjen e vëllezërve të saj, dhe realisht ata kishin gisht, por dikush tjetër i kishte vrarë. Ajo, kishte nxjerrë hak sipas traditës. Me qëllim për të realizuar hakmarrjen, ajo kishte sakrifikuar rininë, bukurinë dhe ardhmërinë e saj, duke u martuar me një burrë të shëmtuar dhe plak. Kishte bërë roje në përpjekje për ta vrarë edhe burrin, vetëm sepse ai e kishte mashtruar, por e kishin zënë befasisht xhandarët dhe kishin pasur fat, që ajo nga pakujdesia kishte humbur armën, por ishte mbrojtur me sëpatë. Ajo po e injoronte atë, në radhë të parë si përfaqësues të shtetit, të cilin e konsideronte okupator. Edhe pse nuk ishte e arsimuar, ajo ishte kryelartë dhe ballëhapur, tejet e vendosur në bindjet, etikën dhe doket e kombit të vet. “Të falënderoj o Hristos”, që në këtë vend nuk ka shumë femra si kjo. Ishte një tjetër edhe më e rrezikshme në rajonin e Drenicës, e cila futej tinëz në qytet dhe në pikë të ditës vriste madje edhe  komandantët e xhandarmërisë. E tillë do të ketë qenë edhe Zhan D Arka franceze, por asaj i kishte buzëqeshur fati historik në rrethana të një bote tjetër. Këto nuk do t’ i njohë  askush. Mirëpo kishte dëgjuar se arnautet trimave dhe trimëreshave u thurin këngë dhe vepra e tyre përjetësohet në apo atë këngë që përcillen nga brezi në brez. Kjo grua do të futej në këngë, mbase edhe për së gjalli, thoshte vet me vete. Ai kishte urdhëruar xhandarët ta dërgojnë në qelinë e burgut.

– Toger Janiq, si mendon ti se mund të nxjerrë dëshmi nga kjo gjykatësi hetues?

– Do të mundohemi me të mirë, pastaj me kamxhik, por nuk besoj se flet tani për tani. Pajtohem plotësisht me Ekselencën Tuaj, që konstatoni se  kjo tani për tani është në delir, por me kohë do t’ i dalë gjuha. Do ta fusim në qelinë e saj ndonjë grua serbe, që e din gjuhën shqipe dhe mbase do të kemi sukses. Serbet, nga mesi i rajës të gjitha pa dallim e flasin gjuhën e arnautëve, madje më mirë se burrat e tyre.

Ishte zhgënjyer tejmase nga injorimi që kishte pësuar. Edhe pse ishte i martuar dhe kishte fëmijë, ai nuk ia fshehte dot vetvetes simpatinë që kishte për bukurinë, trupin dhe egërsinë e saj, por i pengonte shumë veshja me rroba burri.

– Si t’ ia bëjmë pra, pyet togeri Janjiq.

-Në radhë të parë i dërgoni rroba grash, nuk dua ta shoh me rroba mashkulli.

-Punë të bëhet.

– Pastaj të mos ngutemi, derisa nuk nxjerrim ndonjë të dhënë konkrete unë e ti, të mos e dërgojmë të gjykatësi hetues. Është në rast shumë interesat dhe dua të eksperimentojmë, për qëllime që do të duhen rreth njohjes sa më të thellë të mentalitetit të arnautëve, në mënyrë që të marrim masa adekuate për asimilimin, apo ndërrimin deri në një masë të identitetit të tyre. Krali, duhet të investojë shumë me qëllim për të ta shortuar një identitet të ri të këtyre njerëzve, meqë janë shumë dhe as mund t’ i vrasim të gjithë, as mund t i dëbojmë të gjithë, për në Turqi e në Shqipëri. Më mirë do të ishte sikur njerëzit tanë të ditur të ndërmarrin diçka serioze në ndërrimin gradual të identitetit dhe shartimit të tyre. Këta janë nga gjaku ynë i dikurshëm dhe nuk kanë faj pse janë ndërruar. Të parët tanë kanë ikur përtej Tunës, këta kanë qëndruar dhe në pamundësi për të rezistuar kanë ndërruar komb e fe.

– Po këta nuk janë turq, ekselencë. Këta kanë urryer dhe kanë luftuar  turkun më shumë se ne! Ekselencë ky është vetëm një rast dhe unë them të mos ekzagjerojmë. Madje turkun e kanë luftuar të gjithë arnautët që kanë pranuar fenë e turkut. Kjo është e çuditshme. Pikërisht ata e kanë luftuar turkun më shumë se ne. Në kohën kur ata por përzinin turqit, ne me lehtësi u vendosem në këto troje.

– Ky është një rast tejet tipik, që vlen më shumë se njëqind raste të tjera. Ti vetë the se në mesin e femrave arnaute nuk ka denoncuese. Duhet ta zbërthejmë këtë fenomen, në mënyrë që të marrim masa adekuate. Qëllimi ynë historik dhe strategjik është që Kosovën ta ribëjmë Kosovë serbe, sipas synimeve dhe strategjisë sonë, sipas së drejtës sonë historike dhe forcës dhe përkrahjes që e kemi nga vëllezërit rus por edhe të gjitha shtetet e Evropës. Arnautët nuk i do askush, nuk i do as Turqia, për të cilën u vranë me qindra mijëra. Lehtë do të bëjmë me ta, sikur ka bërë Amerika me indigjenët. Nuk do t’ i japim llogari akujt, sepse askush në Evropë nuk kërkon llogari për shfarosjen e tyre. Këta tashmë kanë vetëm dy rrugë. Të ikin në Turqi e në Shqipëri, ose të asimilohen për mes shkollave që kemi hapur dhe ndalimit rigoroz të mësimit të gjuhës së tyre, në shkollë, por edhe në vendet publike.

– Si të urdhëroni ju do të bëhet Ekselencë.

– Fillimisht le të qëndrojë vet dhe pastaj dërgo ndonjë serbe që e din gjuhën, po ama ndonjë serbe që i njeh mirë arnautët.

– Do të kem kujdes shkëlqesi.

( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …