Arsim Bajrami: E drejta për gjuhën shqipe nuk është kompromis – është detyrim kushtetues dhe obligim nga Marrëveshja e Ohrit

Reagim
Mbështes plotësisht dhe pa asnjë rezervë kërkesën legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kjo nuk është një çështje e natyrës teknike apo administrative, por një e drejtë themelore që buron nga parimet universale të barazisë, mosdiskriminimit dhe respektimit të identitetit gjuhësor e kulturor.
Kjo çështje duhet parë në mënyrë të drejtpërdrejtë në raport me Marrëveshjen e Ohrit, e cila nuk ishte një kompromis i përkohshëm politik, por një akt themeltar që ridefinoi karakterin kushtetues të shtetit dhe vendosi standarde të qarta për barazinë substanciale të komuniteteve. Në këtë kuptim, përdorimi i gjuhës shqipe në arsim, përfshirë edhe në proceset e vlerësimit profesional si provimet e jurisprudencës, nuk është privilegj, por detyrim që rrjedh nga vetë arkitektura juridike dhe politike e shtetit.
Pikërisht për këtë arsye, është shqetësuese që, më shumë se dy dekada pas Marrëveshjes së Ohrit, ende kemi situata ku të drejta të tilla elementare vihen në diskutim apo relativizohen përmes praktikave administrative të padrejta. Kjo dëshmon për një hendek serioz ndërmjet normës kushtetuese dhe zbatimit praktik, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi funksionimin efektiv të shtetit të së drejtës.
Çdo refuzim apo vonesë për të mundësuar përdorimin e gjuhës shqipe në këtë kontekst përbën jo vetëm shkelje të të drejtave themelore, por edhe cenim të drejtpërdrejtë të frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe të vetë konceptit të barazisë ndëretnike mbi të cilin mbështetet stabiliteti i shtetit. Më tej, një qasje e tillë rrezikon të prodhojë pasoja më të gjera, duke minuar besimin e qytetarëve në institucionet dhe duke ushqyer ndjenja të përjashtimit dhe pabarazisë.
Është e papranueshme që të drejtat gjuhësore të trajtohen si çështje diskrecionale apo si favor institucional. Ato janë të drejta të garantuara, të sanksionuara si në Kushtetutë ashtu edhe në instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe si të tilla kërkojnë zbatim të plotë dhe pa ekuivok.
Prandaj, u bëj thirrje institucioneve përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut që të heqin dorë nga çdo praktikë penguese dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme, të qarta dhe të verifikueshme për të garantuar realizimin e kësaj të drejte. Çdo vonesë e mëtejshme nuk është vetëm dështim administrativ, por devijim nga obligimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që vetë shteti i ka marrë përsipër.
Respektimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe i të drejtave që burojnë prej saj nuk është opsion politik, por kusht i domosdoshëm për funksionimin demokratik dhe për perspektivën evropiane të shtetit.
Akademik Arsim Bajrami

Kontrolloni gjithashtu

BDI: VLEN hesht, projektet anulohen, qytetarët humbin

BDI: VLEN hesht, projektet anulohen, qytetarët humbin

Sot po bëhet e qartë për të gjithë se me VLEN-in në pushtet, jo vetëm …