Profesori universitar Arsim Bajrami ka reaguar fuqishëm ndaj zhvillimeve në proceset gjyqësore të Hagës, duke theksuar se Gjykata Speciale nuk është vetëm një proces juridik, por një përpjekje e organizuar për të rishkruar historinë moderne të Kosovës dhe për të kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta e UÇK-së, nuk ka qenë një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri për mbijetesë dhe mbrojtje nga gjenocidi serb. “Gjykata Speciale nuk është thjesht një proces gjyqësor. Përmes këtij procesi po krijohet një narrativë e rreme, ku UÇK-ja, barazohet me agresorin, viktima paraqitet si kriminel, ndërsa brezat e rinj rrezikojnë të mësojnë një histori të shtrembëruar. Ai kritikoi ashpër edhe mungesën e veprimit institucional, duke theksuar se Kosova ende nuk ka një muze shtetëror për gjenocidin serb dhe se mungesa e gjykimeve për krimet e kryera ndaj shqiptarëve po ndihmon rishkrimin e së vërtetës. “Ky pasivitet i pafalshëm institucional po lë hapësirë për rishkrimin e historisë sonë. Nëse sot nuk e mbrojmë të vërtetën tonë, brezat e ardhshëm do të rriten me histori të sajuara,” paralajmëroi Bajrami. “Deklaratat se ‘nuk po gjykohet UÇK-ja, por individë të caktuar’, janë vetëm fasadë. Aktakuzat dhe qasja e prokurorisë tregojnë të kundërtën – se lufta çlirimtare po vendoset në bankën e të akuzuarve,” theksoi ai. “Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, legjitime dhe e domosdoshme. Është detyra jonë ta mbrojmë dhe ta përcjellim këtë të vërtetë me dinjitet dhe përgjegjësi,” përfundoi Bajrami.
