Spekulimet e disa jugo-medieve për mos radhitjen e Kosovës në shtete armike nga Rusia, janë naive dhe kanë për qëllim të mbjellin mjegull, paqartësi, dubioza dhe marifetllëqe të tilla, të liga e ogurzeza. Ditë më parë Rusia kishte radhitur tri shtete në Ballkan si armiqësore, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Ky lajm u dha material disa jugo-medieve për të manipuluar me paragjykime ndër më të ndryshmet, edhe pse arsyeja e vetme dhe krejt e kuptueshme, pse Rusia nuk e radhiti Kosovën si shtet armik, është sepse ajo vendin tonë e konsideron pjesë të Serbisë dhe nuk e njeh si shtet, ashtu sikur i njeh zyrtarisht Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Përpjekjet për të ngjallur dyshime, duke përhapur dezinformata bëhen në radhë të parë për sensacione dhe mbjelljen me qëllim të paqartësive.
