Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar pas raportimeve për kërcënimet që ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-krerë të tjerë të UÇK-së kanë marrë nga një prokuror i Hagës. Behrami e ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për heshtjen e tij ndaj kësaj gjykate, duke e akuzuar se është në të njëjtën linjë me Dhomat e Specializuara në përpjekjen për të dëmtuar figurën e UÇK-së. “Atë çfarë nuk mund t’ua bëjë Gjykata Speciale në Kosovë krerëve të UÇK-së, ua bën Albin Kurti. Atë çfarë Albin Kurti nuk mund t’ua bëjë krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, ua bën Gjykata Speciale. Gjykata Speciale dhe Albin Kurti janë vetëm zëvendësim i njëri-tjetrit në përpjekje për të demonizuar dhe kriminalizuar UÇK-në dhe krerët e saj,” ka shkruar Behrami. Ai shtoi se, pavarësisht kësaj “beteje të shumëfishtë”, krerët e UÇK-së do të dalin fitimtarë, ashtu siç kanë dalë në të gjitha betejat e mëparshme. Ky reagim shënon një tjetër përplasje të ashpër politike, ku Gjykata Speciale dhe qeveria aktuale akuzohen nga opozita si faktorë që po minojnë figurën e ish-udhëheqësve të luftës së Kosovës.
