Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që çështja e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, në gjykatën speciale nç Hagë të trajtohet si prioritet numër një në agjendën shtetërore. Gjatë diskutimit me ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, Behrami kritikoi mënyrën aktuale të raportimit të kësaj gjykate, duke theksuar se ajo vazhdon t’i raportojë UNMIK përmes EULEX, gjë që sipas tij e largon nga mbikëqyrja direkte e institucioneve vendore. Ai kërkoi që raportimi të bëhet drejtpërdrejt në Kuvendi i Kosovës, duke mos përjashtuar as ndryshime ligjore për ta mundësuar këtë. Sipas Behramit, një angazhim më i madh institucional do të ndikonte që vendimet përfundimtare të bazohen në drejtësi dhe jo në konsiderata politike. Deputeti i PDK-së kërkoi gjithashtu nga ministri Hoti angazhim konkret për përmbushjen e kërkesave të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke e konsideruar këtë një obligim institucional dhe kombëtar. Debati rreth rolit të institucioneve në raport me gjykatën speciale vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në skenën politike në Kosovë, duke reflektuar përplasjet mbi sovranitetin institucional dhe qasjen ndaj proceseve ndërkombëtare të drejtësisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
