Zgjedhjet vendore në Shqipëri u përmbyllën pa incidente të mëdha sikur ishte paralajmëruar

Artan Boriçi: Nëse nuk do BE-ja Shqipëria duhet të punojë me bashkimin tregtar të BP për të joshur Mbretërinë e Bashkuar

Aspirata e popullit shqiptar për tu bërë pjesë e Evropës i ka rrënjët historike që në periudhën veneciane kur Shkodra dhe një pjesë e qyteteve dalmate ishin pjesë e Republikës së Venedikut. Pjesë e rëndësishme e përpjekjeve historike të shqiptarëve për tu bërë pjesë e Evropës ka qenë lëvizja politike e Skënderbeut për të njohur kurorën arbërore prej Papës, përpjekje që dështoi prej strategjisë gjeopolitike të Venedikut për marrëdhënie pragmatike me Perandorinë Osmane.

Dorëzimi i Shkodrës nga ana e Venedikut më 1478 është padyshim pika më kulmore që do të përcaktonte vijën ndarëse ndërmjet Evropës dhe Bizantit, tashmë nën Perandorinë Osmane.

Në mënyrë paradoksale kjo politikë gjeopolitike vazhdon ende sot kur Kroacia dhe Sllovenia janë pjesë e BE-së, ndërsa Shqipëria ndodhet në të ashtuquajturin grup të shteteve të Ballkanit Perëndimor (BP).  Ndërkaq situata në terren nuk është edhe aq paradoksale meqë BE, që prej traktatit të Mastrihtit është shndërruar prej një hapsire tregtare në një hapësirë juridike më elementë të një bashkimi shtetëror. Si rrjedhim, BE është veç të tjerave edhe një bashkim kulturor, i cili është larg vlerave kulturore bizantine që ndajnë një pjesë e mirë e vendeve Ballkanike.

Një prej lëvizjeve të mëdha gjeopolitike evropiane ka qenë dhe mbetet Greqia e cila konsiderohet si djepi kulturor i Evropës. Ajo u krijua prej Evropës për t’i dhënë fund pranisë së gjatë të Perandorisë Osmane në Ballkan. Që prej asaj kohe Greqia është një instrument i rëndësishëm i Perëndimit në rajon dhe luan rol të rëndësihëm në gjeopolitikën evropiane në Ballkan. Si rrjedhim, diplomacia greke përdor levën evropiane për të avancuar politikën e saj ndaj shteteve të Ballkanit.

Shembulli më tipik është bllokimi i Maqedonisë për tu bërë pjesë e NATO-s. Greqia, megjithëse është flamurtare e vlerave bizantine me institucione fetare që nuk janë ndarë qartas nga shteti tolerohet prej pozicionit të saj gjeopolitik. Në këtë mënyrë shpjegohet paradoksi Grek.

Përtej këtij paradoksi, Shqipëria dhe vendet e BP kanë një të kaluar të vështirë dekadat e fundit. Përafrimi me BE-në ka qenë shpesh i vështirë. Shqipëria duhet të përfshihet në integrime ekonomike rajonale dhe globale, e si rrjedhim, përafrimi me BE-në ka qenë dhe mbetet i vetmi instrument politik i saj, për sa kohë nuk janë shfaqur nisma të reja globale. Kjo ka bërë që Shqipëria të jetë e detyruar t’i nënshtrohet vazhdimisht fqinjit të saj jugor në orekset e saj gjeopolitike.

Greqia është një shtet i vjetër ballkanik dhe ka fuqi të madhe diplomatike për të nxjerrë gështenjat e Evropës nga zjarri. Në këtë kuptim duhen parë edhe negociatat e fundit me Greqinë, ku ajo me anë të varrezave ka konsoliduar librat e saj historikë për kufijtë e saj imagjinar më Shqipërinë. Ajo me të drejtë mendon se kufijtë nuk janë asnjëherë të palëvizshëm, prandaj përgatitet që në një çast fatlum gjeopolitik të zgjerojë kufijtë e saj veriorë.

Interesi shtetëror grek është i lidhur ngushtësisht me bazat mbi të cilat ai është formuar. Interesi gjeopolitik amerikan mbi shqiptarët i manifestuar në mbështetjen e madhe ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë krijon probleme afatgjatë në doktrinën mbi të cilën mbështetet shtetformimi grek. Në këtë kuptim, koha që jetojmë është pozitive për shqiptarët, prandaj Greqia po përpiqet të pengojë sa më shumë të drejtën në rritje të shqiptarëve në Ballkan duke përparuar ide tradicionale ballkanike mbi kufijtë.

Historikisht, kufijtë kanë qenë në mendjet e ballkanasve, siç tregon këmbëngulja shekullore e Serbisë për të pasur në zotërim Kosovën apo këmbëngulja historike e Greqisë për të patur në zotërim të gjithë krahinën e Epirit, veri e jug bashkë. Ndonëse shqiptarët ndajnë të njëjtën veti mbi kufijtë imagjinarë, ata asnjëherë nuk kanë patur një politikë shtetërore për të realizuar imagjinatën e tyre. Më keq akoma, Italia fashiste dhe Gjermania naziste kanë ushqyer iluzionin e të drejtës historike shqiptare mbi Kosovën dhe Çamërinë me qëllim rreshtimin e tyre me boshtin fashist.

Greqia po sheh se përfshirja e Shqipërisë ne integrimet globale mund ta bëjë atë një shtet me interesa të qarta gjeopolitike, prandaj po shpejton të vendosë pengesa ligjore me anë marrëveshjeve shtetërore dypalëshe.

Në këtë kuptim, Shqipëria, duke synuar integrimin në BE po bën lëshime strategjike ndaj fqinjit të saj jugor. E vërteta është se Shqipëria nuk mund të bëhet pjesë e BE, prandaj çdo lëshim i saj ndaj Greqisë nuk sjell asnjë dobi strategjike. BE e ka shpallur qartë se kufijtë e saj në Ballkanin perëndimore përfundojnë në Kroaci. Prandaj, Shqipëria nuk duhet të bëjë përpjekje për tu afruar me BE, por duhet të ndjekë një politikë të hapur dhe pragmatike ndaj saj.

Shqipëria ka një instrument shumë të vlefshëm siç është MSA dhe duhet të punojë fort për ta përmbushur atë dhe të kërkojë që edhe Evropa të bëjë të njëjtën gjë.

BE nuk është më ajo që ishte përpara Brexit. Dalja e MB nga BE është një ngjarje botërore. MB është një vend me potencial të madhe ekonomik dhe njohëse e pashembullt e Lindjes. Ajo është lojtare globale me interesa të qarta tregtare. Shqipëria duhet të punojë fort me bashkimin tregtar të vendeve të BP për të joshur MB. BP duhet të punojë fort si instrument i një bashkimi të madh tregtar e pragmatist që do përfshinte MB dhe Turqinë. Treshja MB, Turqi dhe BP është një potencial i madh tregtar dhe integrues.

BP duhet të shfrytëzojë marrëveshjen e ardhshme të Londrës si pikënisjen e një bashkimi të tillë tregtar qindra milonësh, i cili mund të konkurojë me BE. Vetë Shqipëria duhet të çlirohet nga kompleksi i të lënit jashtë BE sepse ka potenciale të mëdha e të pashfrytëzuara. Një pozicionim i tillë e bën Shqipërinë të konkurrojë denjësisht e në barazi të plotë me Greqinë, anëtare të BE. Efekti sanduiç për Greqinë, Bullgarinë e Rumaninë ndaj një bashkimi të tillë hipotetik tregtar do të ndante Ballkanin në mënyrë pardaoksale, por me pasojë afatgjatë largimin e Greqisë, Bullgarisë dhe Runamisë nga blloku kulturor BE për t’iu bashkuar unionit të ardhshëm tregtar. (DITA)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi S. Qazimi

Ilmi Qazimi: Për ditë e më shpejt po ngjitemi… poshtë!

Kryeministri ynë deklaroi këto ditë se Shqipëria po jeton në ditët më të mira! Kë …