ASK: Rritje vjetore e çmimeve të banesave, por rënie krahasuar me tremujorin e kaluar

Çmimet e pronave për banim në Kosovë kanë shënuar rritje në baza vjetore, por kanë pësuar rënie në krahasim me tremujorin paraprak, sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tremujorin e tretë të vitit 2025. Sipas ASK-së, Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) u rrit me 2,4 për qind në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ndërkohë, në krahasim me tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2025, është evidentuar një rënie e çmimeve prej 2,1 për qind. Institucioni thekson se zhvillimet në tregun e patundshmërive nuk kanë qenë të njëtrajtshme në të gjitha rajonet e vendit, duke vërejtur dallime të dukshme mes kryeqytetit dhe rajoneve të tjera. “Në Rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën për 1,3 për qind në TM3 2025, krahasuar me TM3 2024”, thuhet në njoftimin e ASK-së. Ndërkaq, rritja ka qenë më e theksuar në rajonet e tjera të Kosovës, ku çmimet e pronave të banimit u rritën për 4,3 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj shpërthen ndaj Kurtit: Mania për showbiz po e zëvendëson qeverisjen

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të …