ATENTATORI I PARISIT, – 83 vjet nga vrasja e Avni Rrustemit, shkruar nga magjistër, Kadri Rexha

Avni Rrustemi u lind më 22 shtator 1895 në Libohovë. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare. Edukatën dhe mësimet e para i mori në gjirin e familjes. Qe atdhetar i flakët, luftëtar me pushkë në dorë, veprimtar dhe themelues i shumë shoqërive kulturore dhe politike, orator i shquar, mësues i zellshëm dhe publicist me prirje të theksuar liridashëse dhe demokratike.
Në vitin 1910, krah me Bajram Currin dhe Isë Boletinin edhe Avni Rrustemi, do të gjendet si pjesëmarrës vullnetar në kryengritjen e Kosovës kundër ushtrisë osmane. Nga këto kontakte, sëpari në Normalen e Elbasanit e pastaj në luftën e sipërpërmendur, Avniu lidhet shpirtërisht me Kosovën, me kosovarët, me fatin e tyre dhe këto lidhje do t’i forcojë gjithnjë edhe në të ardhmën.
Në vjeshtë të vitit 1912, i përcjellur si gjithnjë nga familja dhe nga Nuçi Naço, Avniu shkon në Zvicër që të studjojë. Puna e parë që e bën atje është themelimi i shoqërisë “Shoqëri literare”, e cila më vonë do të quhet “Burimi”. Nga këtu, puna në themelimin e shoqërive, do të jetë shumë aktive. Është koha kur për fatin e atdheut, pas aq përpjekjesh, pas aq luftërash të gjata e të përgjakshme, vendosin të tjerët, Fuqitë e Mëdha. Prandaj, është e natyrëshme dhe fare e arsyeshme që një shpirt kryengritës dhe luftarak si ai i Avniut të mos mund të heshtë dhe të mos mund të rrijë indiferent përpara çështjeve që aq me shpejtësi i nxori koha. Në mes të tjrash, ai ka besim të madh kur shkruan: “Bajram Curri, Isa Boletini e të tjerë heronj të Arbërisë nuk do të heshtin, po të shikojnë se qeveria s’plotëson kërkesat e tyre, por do të kapin armët e t’i japin fund një herë e mirë që të gjithë të jemi një”.
Pas shpalljes së Luftës Ballkanike, meqë edhe familja e tij bie shumë ekonomikisht dhe nuk ka mundësi t’i ndihmojë, Avni Rrustemi kthehet në vendlindje dhe fillon të punojë si mësues “gjoja i frengjishtes”, ku më tepër i jep rëndësi gjuhës shqipe dhe çështjeve tjera që i kërkonte koha. Viti 1914 Avniun me shokë e gjen në malet e Kurveleshit. Ai, tashmë burrë i formuar, përkrah kapedanit Cerçiz Topulli, lufton me pushkë në dorë kundër shovinistëve grekë që kishin pushtuar Shqipërinë jugore. Si themelues dhe udhëheqës i shoqërisë “Lidhja djelmoshe” Avni Rrustemi organizon demonstratën anti imperialiste dhe anti italiane të 28 Nëntorit të vitit 1918, e cila konsiderohet, me të drejtë, si fazë e parë e Luftës së Vlorës. Në këtë demonstratë Avniu foli bindshëm para popullit të Vlorës dhe u përlesh fyt për fyt me karabinierët italianë.
Pas kësaj ngjarjeje Avniu nisët për në Kalabri e Romë që t’i vazhdojë studimet e lëna përgjysmë, duke ua lënë shokëve porosinë: “se largohej për studime, si një shkëndijë e këputur nga gjiri i atdheut, duke kërkuar nga djalëria shqiptare që të mbajë lidhje me të” porosinë e përfundon me fjalët që shprehin gatishmërinë e tij: “kur të duhem, thirrmë!” Këtu shihet qëllimi i lartë i këtij njeriu, që kishte zgjedhur një rrugë të rrezikshme, por të shenjtë, edhe pse mu për këtë arsye dy herë qe përjashtuar nga shkolla dhe, gjithashtu, dy herë qe pushuar nga detyra e mësuesit. Avniu me trup qëndronte në Itali, por mendja dhe zemra i rrahte në Shqipëri. Dukej qartë se Avniun e mundonte diçka e madhe. Një shoku të tij i thoshte vazhdimisht: “Akoma nuk e kam dhënë provimin e madh që një ditë do ta jap dhe atëherë do të gëzohen që të gjithë”. Dhe, njëmend, kur në Vlorë u ndez lufta kundër agresorëve italianë, me 21 maj 1920, me guxim e trmëri, Avniu niset nga porti i Durrësit për në Paris për ta zhdukë nga kjo botë agjentin e imperializmit, bashkëpunëtorin e Serbisë dhe armiqëve më të përbetuar të popullit shqiptar, kriminelin faqezi që shitej e blehej nga të gjithë, ndihmësin e vrasjes së Cerçiz Topullit, Musa Qullit, Dedë Gjon Lulit, etj., armikun e Pavarësisë dhe qeverisë së përkohëshme të Vlorës, Esat Pashë Toptanin.
Ditën e 13 qershorit, mu në mes të Parisit, pikërisht në orën 13,00 Avni Rrustemi e nxjerr nga xhepi i djathtë revolën dhe me dy plumba e shtriu përdhe trdhtarin namzi, Esat Pashanë, akt të cilin populli e përjetësoi me këto vargje: “Do ta vras, do ta vras fare/ Kush e shet Atdheun me pare”. Lajmi i gëzueshëm i këtij akti heroik me shpejtësi të rrufeshme u përhap në gjithë botën shqiptare, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Qindra e qindra fshatarë e punëtorë, intelektualë e atdhetarë i dërgojnë telegrame gjykatës franceze me motivacion që ta lirojnë Avniun sa më parë. Telegrame me këso përmbajtje dërguan edhe Aleksandër Moisiu, Luigj Gurakuqi, Asdreni, etj. Në gjyq Avniu mbajti një qendrim krenar dhe me maturi të rrallë mbrojti interesat e veta dhe ato të atdheut. I ndodhur nën presionin e opinionit shqiptar dhe atij botëror, trupi gjykues do të detyrohet ta lirojë Avniun si të pafajshëm.
Pas këtij akti Avni Rrustemi në atdhe pritet me përzemërsi. Si gjithherë, edhe tash e tutje, ai do të gjendet krah patriotëve të tjerë, në organizimin e popullit, që të bashkohet dhe të hidhet në luftë kundër gjakpirësve shekullorë. Kudo që gjendet Avniu porositë se “armiqtë nuk janë vetëm në kufi”. Prandaj, duke e parë tek Avniu figurën e një revolucionari të vendosur kundër çifligarëve dhe padrejtësisë, A. Zogu vendos ta heq nga jeta. Atentatin e përgatitur e zbatoi, Isuf Reçi, më 20 prill 1924, në Tiranë. Pas dy ditësh Avniu vdes në spital.
Lajmi i hidhur u përhap kudo. Protestat dhe demonstratat shpërthyen si stuhi në çdo kënd të atdheut. Kudo kërkohej që të zbuloheshin dhe të dënoheshin fajtorët e këtij krimi. Varrimi i Avni Rrustemit, nga udhëheqësit e shoqërisë “Bashkimi” u bë me 1 maj në Vlorë dhe u kthye në një demonstratë të fuqishme kombëtare. Në të morën pjesë rreth dhjetëmijë vetë. Mbi varrin e tij mbajtën fjalime 17 oratorë, ndër të cilët edhe Fan Noli e Halim Xhelo, të cilët e dënuan ashpër klikën zogiste. Në këtë kohë Bajram Curri gjendej në bjeshkë. Pasi fshiu lotët për humbjen e shokut të tij të ngusht, për deputetin e Kosovë, e lëshoi kushtrimin dhe e zbrazi pushkën e parë, e cila shpalli fillimin e shpërthimit të Revolucionit demokratik të Qershorit 1924.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …