leoni

Avdulla Kënaçi: Rreth vëllimit, “Ftesë nga Fushëbardha” të Zeqo Camës

Avdulla Kënaçi: Rreth vëllimit, “Ftesë nga Fushëbardha” të Zeqo Camës

Përpara syve kam një libër të ri me mbi 300 faqe. Brenda tij ka poezi, tregime dhe publicistikë. Titullohet “Ftesë nga Fushëbardha”. Sa ka mbrritur nga Tirana me postën Fedex. Një vëllim dinjitoz që ka për autor mikun tim të vjetër, gati gjysëm shekullor, Zeqir Cama, po nga Fushëbardha.

Edhe pse jemi nga e njëjta krahinë, me tradita e zakone të përbashkëta, unë e kam njohur atë pas mbarimit të Shkollës së Lartë Ushtarake të Aviacionit. Akoma e kam të skalitur në memorie; një djalë i ri, trupderdhur brenda uniformës ushtarake, me tipare të theksuara labi; ama ahere mustaqe pa dirsur e sot flokëbardhë, po me trupin drejt. Ahere ishte i lumtur si një dhëndërr i ri ngase kishte dërguar në shtyp vëllimin e parë me poezi “Shtigje të gurta”. I kërkova të më përzgjidhte një cikël nga ky vëllim për t’ia publikuar në gazetën lokale të Gjirokastrës. Me ato poezi mbusha plot dy faqe gazete. Lexuesi e priti shumë mirë. Një nga ato vjersha hap sot siparin e këtij vëllimi dhe pikërisht “Peisazh mbrëmje nga Fushëbardha: “Nëpër plepa pikon hëna,/ Sërë sërë si hoje mjalti,/ llamburit e ndizet mbrëmja,/ sikur nata nis së prapthi…”. Shikoni sa ëmbël e sa bukur rrëshqet vargu. Më tej ka vizatuar aty stane, galeri minierash, kodra e pyje, barinj, kope delesh e dhish, zogj, burime uji e gjithëçka i ka frymëzuar vendlindja e tij, e ëmbël dhe e sertë, Fushëbardha.

Kudo që ka qenë, kudo që ka shërbyer, vendlindja dhe njerëzit e saj kanë qënë bashkudhëtarë të tij, ata i gjen që nga vëllimi poetik “Shkallët e Labërisë” e gjer “Nën diellin e Karaibeve”. Herë shfaqen rastësisht e herë të plotë me ndodhitë e tyre apo si personazhe historikë, si Kryeministër, apo gjeneral disident, si diversant apo si fshatarë të thjeshtë që luftojnë për mbijetesë. Për autorin tërë vendalijtë e tij janë të mirë e të dashur, njerëzorë e trima, heroikë e humanë. Ai nuk i veçon në ballistë e partizanë, në kulakë e komunistë, por thjesht fushëbardhas me atë kodin e veçantë; të gjithë jemi “tanët”, pra jemi një gjak e një fis, pavarësisht emërimeve e nofkave të frymëzuara nga ideologjia e njerës klasë apo tjetrës sipas periudhave historike. Madje jo vetëm fushëbardhas, por edhe zhulatas me të cilët, thotë ai “jemi të një zjarri”.

Mjaft bukur, me disa fraza, poeti i njohur Agim Shehu jep esencën e krijimtarisë poetike të Zeqo Camës: Një antologji ndjenjash që të mbeten në mëndje dhe bëhen pasuri kujtese. Një pasuri e veçantë poetike. Një thjeshtësi e çiltër tërë bukuri figurash thënë lirshëm si frymëmarrje shpirti….Publicistët Sefedin Çela, Luan Malaj e Beqir Skreli pëlqejnë përshkrimet nga vendlindja, “…detajet fine të gdhëndura si me dorë, mjediset reale e të prekshme, të vizatuar me një mozaik ngjyrash e kombinacionesh…” Ndërsa poeti fushëbardhas Agim Golemi i thotë publikisht: Ti qendis me penë pasazhe të veçantë, shpirtin dhe dashurinë e thellë të gjysheve….Duke portretizuar gjyshen tende ti ke tipizuar të gjitha gjyshet , me një gjuhë terheqëse dhe të lexueshme për këdo,…nuk ke lënë mënjanë pa përshkruar bukur edhe ambjentin rrethues…”

Zeqiri lundron me plot siguri në historinë e fshatit dhe ka ditur me mjeshtëri çfarë të na servirë, ne lexuesve të tij që e njohim pak ose aspak Fushëbardhën. A vë në dukje se fshati ka pasur një burrë të shquar, udhëheqës popullor dhe hartues kanunesh i cili ka ardhur gojë pas goje gjer në ditët tona, Idris Sulli. Një këngë popullore e shekullit të 19-të thotë: ”Idris Sulli burrë i rrallë,/ me urti i tha ca fjalë:/ – Të mos jemi të pandarë,/ s’jemi turq as venecianë…” . Pikërisht këtij kodi patriotik i është përmbajtur autori edhe në kompozimin e hartimin e këtij vëllimi dinjitoz duke dhënë mesazhin se të bashkuar do të jemi më të fortë, më rezistues e më të pamposhtur edhe në shekujt që vijnë. “Fushëbardha, në gjuhën e figurshme ngjan me një trapezë familjare, shtruar në gjunjët e pesë maleve të lartë, Gjikeçit, Gramatisë, Stravoit, Lucës, Qefallauzit e shtatë kodrave…”, zgjodha këtë fragment nga libri për të treguar se Zequa për të theksuar idenë e tij, thërret në ndihmë edhe vetë natyrën të cilën e krahason me një trapez ku janë ulur fushëbardhasit. Ose në këngën popullore: “I tha Stavroi Pylloit;/ – Bëni zë atij Dragoit,/ të marrë shkëmbënjtë në dorë,/ përmbi koka t’ua lëshojë,/ t’i mortisë, t’i sakatojë…”. E kur diku derdhet gjak djemurie, atë vend e mallkon: “Skërfic’ a u nxifsh me xyrë,/ more ca trima të mirë,/ zhulatasit xhevahirë…”. Mirpo në një rast tjetër kur një shkëmb i madh shkëputet nga maja e Shënmërisë dhe një shtëpie të Binere i kalon pranë, por pa dëme, kur e shoqja i bën burrit kafenë në mëngjes, ai i thotë: “Të parit jepja mikut (gurit) se na erdhi pa ftuar, atë duhet të falenderojmë që na la të gjallë..”. Pra, natyra dhe fushëbardhasit në shekuj kanë qenë në simbiozë duke ndihmuar njeri-tjetrin, duke këmbyer lutje e duke u ngjallur si feniks pas çdo lufte e shkatërrimi. E tillë, e shenjtë, e pakrahasueshme, e bukur dhe nazelie vjen konfiguracioni i krahinës në të gjitha përshkrimet, mbresat, tregimet, poezitë dhe publicistikën e Zeqir Camës e cila shtrihet në kohë dhe hapësirë për gjysëm shekulli. Admirimin dhe dashurinë, respektin dhe veneracionin për truallin që lanë trashëgim të parët, autori, akoma më bukur e thotë tek poezia “Fushëbardha”: “Borërat një mbi një kanë ngrirë në emrin tënd,/ jelekbardha jetëgjatë, eshtërzëna argjend,/ Zalli mes përmes, prehet pa andralla,/ si një shall i leshtë, feks në shtatë mëhalla./ Fusha sa një zemër, bora sa një mal,/ njerëzit si njerëz, të ndjeshëm, plot mall./ Reliev i thyer vale-valë,/ djepi që më tundi,/ Fushëbardhë…”. Ka një poezi për motrën që mërzitet kur i vjen vëllai pas shumë kohësh, mërzitet se nuk iu ndodh një coca-cole, por ai i lutet të mbledhë ca qershi dhe lëpjetë Fushëbardhe.

Ky vend i magjishëm, sipas autorit, ka pasur burra trima që kurdoherë i kanë dalë zot vatanit; “ Lalëmadhi po u flet:/ – Ejani të tërë në breg,/ zini shtigjet e tepjetë,/ se vjen i ligu përpjetë,/ mizë lisi porsi bletë…”. Jo më pak djem fushëbardhas e zhulaqotë kanë luftuar me heroizëm kundër pushtimit fashist duke njomur tokën me jetën dhe gjakun e tyre. Nisur nga dëshmori Xhezo Proda, Cirok Cama, Karafil Bello, Sami Golemi e shumë të tjerë për të cilët autori i kujton nëpërmjet poezive.

Në tregimet si “Kojua”, ”Çole Mëzati”, “Siva”, “Netë diversantësh”, etj. Duket se ngjarjet dhe personazhet janë vjelë të gjitha në Fushëbardhë. Autori ka skalitur me mjeshtëri portrete interesantë, ka gdhendur karaktere dhe i ka vendosur në mjedise të njohura të cilat i vizaton në detaje si një piktor peisazhist. Edhe në se ka ndryshuar emrat, fushëbardhasit i njohin dhëmbë e dhëmballë këta heronj letrarë që kanë dalë nga radhët e tyre. Episodet me shumë lehtësi dhe në mënyrë llogjike vijnë njeri pas tjetrit. Lexuesi i ndjek me buzë në gaz pasi humori lab, i përzier me ndonjë dialektizëm i tipizon akoma edhe më mirë.

Anashkalova faktin aty më lart se pak vite pasi u njohëm, u transferova me punë nga Gjirokastra në Tiranë dhe aty takoheshim më shpesh me Zeqirin. Rrodhën shumë ujra, si ushtarak e zuri reforma dhe ai u punësua në një firmë afër RTSH, aty takoheshim edhe më shpesh. Ishte kohë rrëmujash, si fëmijët e tij, ashtu edhe të mijtë, kishin emigruaar në Kanada.

– Duhet të ikim, nuk rrojmë dot pa ta, më tha në një nga kafet e mëngjesit.

– Unë i kam future dokumentet për bashkim familjar, i thashë.

– Edhe une, – tha ai.- Eh si është fati i njeriut. Asnjeri nuk e dinte se do takoheshim në një kontinent tjetër, kapërcyer një oqean.

Ka gati dhjetë vjet që ai jeton në Toronto pranë vajzës e unë më pak pranë djalit, në Mississauga, një qytet në vazhdim të Torontos. Për të pirë kafe e ndajmë rrugën gati përgjysëm. Familjarisht kemi qënë disa herë me pushime në Kubë, po mbi të gjitha, komunikimin e kemi shtuar edhe më tepër. Na bashkon jo vetëm krahina, por edhe letërsia. Kur në një nga kafet më tregoi idenë për një vëllim ku të kishte përmbledhur gjithëçka kishte shkruar për Fushëbardhën, i sugjerova “ta hapte ca më shumë krahun”, të përfshiheshin njerëz dhe ngjarje në gjithë Labërinë. Mendimi im qëlloi që ra në tokë të punuar. Ashtu bëri. Në vëllim ka një përshkrim të bukur për oficerin Hasim Çeli nga Medari, shkrimtarin disident Halil Laze nga Golëmi, ish i burgosur politik, poetin Agim Shehu nga Progonati, poezi kushtuar heroit Mustafa Matohiti nga Lekdushi, etj.

Pavarësisht që titulli i këtij libri i kushtohet Fushëbardhës, këtu ka edhe gjurmë e mbresa nga Kanadaja. Është interesant mbrritja në ditën e parë dhe udhëtimin nga Toronto në Windsor. Në atë ndryshim të madh të jetës së tij, e shoqërojnë kujtimet e fëmijërisë; ato gra punëtore, hokatare dhe të palodhura që u ngjiteshin shpateve të maleve për të grumbulluar bimë medicinale; një bari si Rushan Veliu që u ofron qumësht e shkumë, një bujk si Qerim Proda që enkas për brigadën e cila mblidhte hamocfakë në pllajat e Skërficës, u sillte vullnetarisht shalqij nga Fushëvërria për t’u njomur buzën e tharë nga vapa. Fisarmonika e Laze Norës që rrezik nuk e hiqte nga supi as kur flinte, i fanepset edhe këtu në Toronto. Kur ishte ende oficer i ri, ai ndjek skuadrën e “Luftëtarit” në Shkodër sepse aty lunate bashkëmoshatari i tij fushëbardhas, futbollisti Faik Kërpaçi me të cilin lëvdohet në shoqëri. Interesant është tregimi për ekonomatin Hajdin Kazo që rrezikoi jetën e tij për t’i ardhur në ndihmë bashkëfshatarit (në këtë rast babait të Zeqos) që rrebeshi i një përroi në Përmet rrezikoi të mbyste gati gjysmën e tufës gjatë shtegtimit veror për në mallet e Gramozit. Dhe Hajdini që shpëtoi tufën, por edhe nderin e një fushbardhasi tjetër, tërë jetën nuk kërkoi as shpërblim e as daljen nëpër gazeta. Atij i ka lënë mbresa të forta mikpritja e veteranit Brahim Miho me shtëpinë në anë të rrugës në Kakodhiq (”Shtëpia në anë të udhës”) kur priste miq apo udhëtarë që i kishte zënë nata apo moti i keq. Kujton me shumë mall bashkëshorten e tij, nënë Sheron e cila si me magji bënte gati drekën apo darkën për mysafirët dhe habia vjen kur i biri i këtij çifti bujar, bisnesmeni Astrit Miho, sponsorizon dhe organizon botimin e këtij vëllimi. Nuk thonë kot dardha nën dardhë do të bjerë. Dasmat, gëzimet, humorin dhe romuzet hidh e prit, këtë kapërcim të madh në jetën e tij, Zeqirit ia bëjnë më të lehtë duke i kujtuar herë pa here. Këto kujtime janë të shkruara me aq vërtetësi e sinqeritet sa vijnë tek lexuesi aq të gjalla e mbreslënese sikur t’I kesh përpara syve.

Nuk e harroj një moment kur ai në vitrinën e një dyqani kozmetik këtu në Kanada vuri re lule-hakthi, nga ato lule të brishta ngjyrë floriri me të cilat thurej kurora e nuseve në Labëri. I shkëlqyen sytë sikur të ndodhej në Majë të Lucës, malin nga duket deti dhe gjithë fshatrat e pellgut të Delvinës e krahinës së Kardhiqit. Heshti dhe sytë iu përhumbën, iu mbushën me lot. Kështu e kanë poetët. U tërhoqa mbrapa duke e lënë në qerthullin e mendimeve të tij. Me siguri kujtonte Fushëbardhën dhe njerëzit e saj.

Në asnjë shkrim, migracionin nuk e bën parajsë e fushë me lule, por e përshkruan me nota realiste dhe vë në pah vështirësitë me gjuhën, komunikimin me menaxherët, mungesën e përvojës kanadeze, rregullat e ngurta, etj. “Këtu nuk të pyesin se çfarë ke qënë”, shkruan ai. Disa herë vizaton karaktere të dobët që ndesh në punë apo situata komike. Por është zgjuarsia dhe intuita labe që kurrë nuk e ka lënë në baltë, por ia ka dalë jetës përballë me guxim duke mos i ndërur dorën askujt.

“Homazh për Gerin”, është nga shkrimet më të ndjerë e më mbreslënës të këtij vëllimi. Nipi i tij 23-vjeçar vdes shumë larg Fushëbardhës, në një ditë të ftohët dimri me erë, borë dhe akull. Është interesant se ai këtë ditë e lidh me tërbimin e një përroi të lumit të Kardhiqit, Kollopaneshit i cili sa herë binte shi me rrebesh ua kishte plasur buzën fushëbardhasve dhe gjithë atyre që guxonin ta kapërcenin. Dhe përsëri ngushëllimin, në këtë ditë të zezë të familjes, ai e gjen tek qëndresa e një bashkëfshatari të vet, tek i ndjeri Boço Muho që i iku pa pritur djali gazetar në moshën 33 vjeç, në prag të martesës. U mblodhën së bashku fushëbardhasit për t’i lehtësuar dhimbjen Boços, po këtu në Kanada? Njerëzit e zemrës janë larg, shumë larg. Edhe po të duan, nuk munden….Dhe dhëmbja këtu është dyfish…

Nuk kishim shumë kohë që kishim mbrritur në Kanada, kur Zeqos i ndërroi jetë e ëma. Dhe nuk mundi të shkojë në varrim. Kur mbrrin këtu, ka disa procedura deri sa të marrësh lejen e qëndrimit ose lending. Dhe për t’ia lehtësuar sadopak dhëmbjen, ne shkuam familjarisht për ngushëllim. Kur dola nga dera e apartamentit të tij, ai më zgjati një copë letër. Ishte e shkruar me shkrim dore, me atë kaligrafinë e tij të bukur. Dhe atë poezi e gjej përsëri tek ky libër: “Unë nuk të pashë kur mbylle sytë,/ siç doje vetë me pak mundime,/ po kur t’u desh, të feksi dritë,/ si bukureja, hija ime..” Dhe mbyllet me strofën: “Unë nuk të thashë as lamtumirë,/ te streh’e errët në vetmi,/ po që nga larg, një dorë e shtrirë, të ledhaton pa e parë njeri…”

Kjo është drama e emigracionit, dhe jo vetëm për ne.

Mirpo tani, interneti, telefoni, video, posta ka shkurtuar distancat duke na zbutur mallin. Edhe ky libër “Ftesë nga Fushëbardha”, është ilaç, melhem për mallin duke lënë gjurmë në kohë. Kush tha se Zeqir Cama ka ikur nga Fushëbardha? Ja ku e keni.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …