Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani, të cilat ajo i bëri gjatë një konference për media, ku ndër të tjerash, e quajti atë “jorelevant”. Hoti ka thënë se presidentja është në fund të mandatit të saj pesëvjeçar dhe, sipas tij, po largohet nga posti pa asnjë rezultat konkret për shtetin e Kosovës. “Po i mbaron mandati pa asnjë rezultat e pa asnjë kontribut. Pesë vite demagogji dhe mashtrime, që tashmë po dalin në pah. Kjo është arsyeja pse ajo po nervozohet”, ka shkruar Hoti. Ai shtoi se Vjosa Osmani do të mbahet mend si “mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së” dhe si bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës. Në reagimin e tij, Hoti e akuzoi presidenten se nuk flet asnjëherë për vendimet e gjykatave që, sipas tij, konstatojnë uzurpimin e institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj politikë.
