Ish deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 28 dhjetor, duke e konsideruar të pazakonshme organizimin e procesit zgjedhor në periudhën e fundvitit, kur një pjesë e madhe e qytetarëve ndodhen jashtë vendit për pushime. Hoti theksoi se pavarësisht kohës, këto zgjedhje janë thelbësore për rikthimin e normalitetit institucional dhe largimin e, siç e quajti ai, qeverisjes së dëmshme të Albin Kurtit. “Viti 2025 duhet të jetë vit i rikuperimit të marrëdhënieve me aleatët tanë, i rivendosjes së qeverisjes normale, i përmbylljes së projekteve të mëdha infrastrukturore dhe i nisjes së investimeve të reja në energjetikë. Duhet të miratojmë marrëveshjet ndërkombëtare të bllokuara me vite, të kthehemi te marrëveshja e Washingtonit dhe të heqim sanksionet e Bashkimit Evropian,” deklaroi Hoti. Ai shtoi se Kosova ka nevojë për një orientim të ri të politikës së jashtme e të sigurisë. Sipas tij, që nga viti 2026 duhet të rifillojnë mbledhjet e përbashkëta me Shqipërinë, të intensifikohet dialogu me Bashkimin Evropian për integrim të plotë dhe të punohet ngushtë me partnerët strategjikë në mënyrë që Kosova të ecë drejt anëtarësimit në NATO.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
