Analisti politik Avni Arifi ka deklaruar se veprimet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe debatet publike lidhur me Listën Serbe vetëm sa po e forcojnë këtë subjekt, duke i dhënë mundësi të rikthehet në skenën politike. Arifi tha se mos votimi i kandidatit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, si dhe retorika e fundit politike, kanë krijuar efekt të kundërt nga ai i synuar. “Kjo punë me Listën Serbe, në parim, është si një terapi për rikthim të tyre në skenë. Duhet parë nga këndvështrimi i Serbisë, jo vetëm nga ai i shtetit të Kosovës. Në Serbi, Lista Serbe ka ndërtuar një imazh shumë të keq. Ata shihen si njerëz të Aleksandar Vuçiqit, shpeshherë edhe si një krah gjysmë ushtarak i tij. Përmes krimit të organizuar kanë krijuar pasuri të mëdha dhe janë perceptuar si arrogantë,” tha Arifi. “Faktikisht, qytetarët serbë i konsiderojnë fajtorë për faktin që Kosova ka vendosur sovranitet në veri pa pengesa. Pra, në një kohë kur imazhi i tyre në Serbi është për tokë dhe ata janë të vdekur politikisht, ne, përmes këtyre veprimeve, po u krijojmë mundësi që të rikthehen me narrativë nacionaliste dhe të fitojnë përkrahje të reja,” përfundoi Arifi.
